Dita e Pavarësisë së SHBA-së, festë edhe për shqiptarët - Bota Sot
Dita e Pavarësisë së SHBA-së, festë edhe për shqiptarët

Amerika

E enjte, 19 korrik 2018

Dita e Pavarësisë së SHBA-së, festë edhe për shqiptarët

Beqir Sina Nga Beqir Sina Më 3 korrik 2018 Në ora: 17:30
Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë 242 Vjetorin e Pavarësisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë çdo 4 Korrik - Ditën e Pavarësisë. 4 Korriku shënon këtë vit 242-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Deklarata e Pavarësisë është një dokument ku 13 kolonitë e Mbretërisë së Bashkuar nga Amerika e Veriut shpallën pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar. Dokumenti i Pavarësisë u ratifikua më 4 Korrik 1776.

Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787 përshkruan më pas bazën dhe strukturën e qeverisë të Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë, në ato ekzekutive, legjislative dhe juridike, pra Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë.

Dita e Pavarësisë në SHBA, kudo festohet me parada madhështore, festime familjare dhe mbyllet me hedhjen e tonelatave të fishekzjarrëve në qiellin e Eldorados, ku qytetet kryesore, Nju Jorku, Filadelfia, Uashingtoni, Los Angelos, Çikago, Dallas, Feniks, Detroiti, Bostoni, e tjer e shënojnë këtë natë magjike më një hedhje fishkezjarresh spektakolare.

Duke u nisur nga kërcënimet terroriste ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë, autoritetet amerikane këto vitet e fundit në Ditën e Pavarësisë – 4 Korrikun, I rrisin masat e sigurisë, duke mobilizuar mijëra oficerë policie, për të patrulluar rrugët dhe sheshet e qendrave të banuara.

Me rastin e ditës së Pavarësisë nuk ka për të munguar edhe urimi nga President i vendit më të fuqishëm në botë, Donald Trump i cili vitin e kaluar tha se : “Tani më shumë se kurrë ne duhet ta rimarrim vendin tonë. Pasardhësit tanë besonin në atë se çfarë mund të jetë Amerika dhe kanë luftuar për këtë. Është koha për të kërkuar pavarësinë tonë.

Është koha jonë për të bërë Amerikën e Madhe sërish, - Making Great America Again” ka deklaruar ai. 4 Korrik 1776 ose këtë 242-vjetori i Ditës së Dekleratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e thirrur ndryshe Ditëlindja e Amerikës! është dita më e madhe dhe me e festuara në SHBA. Kjo është dita kur lindi Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta amerikane, është ditë gëzimi, jo vetëm e amerikanëve, por si miq të mëdhenjë dhe si populli më pro amerikan në botë, natyrishtë që festë edhe e kombit shqiptar.

Sot, më 4 Korrik 2018, u mbushën 242 vjet nga dita, që kur burrat më të ndritur të kombit amerikan, nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, duke u betuar, ashtu siç thuhet edhe në deklaratë, për nderin e tyre, të kombit të cilit ata i përkisnin. Kurse, pas Dekleratës së Pavarësisë erdhi Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787, e cila përshkruan bazën dhe strukturën e qeverisë të Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë: “në ato Ekzekutive, Legjislative dhe Juridike”, që në një gjuhë më të thjeshtë janë Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë.

Kur, gjatë luftës për çlirimin e Kosovës shtrohej pyetja pse amerikanët duhet të vdesin për Kosovën, natyrshëm dilte pergjigjja e këtij kombi të madh: se burrat më të ndritur të këtij kombi, më 4 Korrik 1776, si sot, 242 vjet më parë, kishin vendosur të krijojnë shtetin e bazuar në lirinë dhe të drejtat e barabarta të secilit komb. Trashëgimnia dhe porosia e tyre, pra e çoi Amerikën në luftë, për të mbrojtur principet e lirisë dhe demokracisë amerikane edhe në Kosovë. Për Amerikën gjëja më e shenjtë, e cila simbolizon edhe këtë ditë, është fjala liri e demokraci.

Pra, liria e Kosovës ishte emër kuptimplotë për Amerikën dhe kombin shqiptar. 4 Korriku kumbon thellë në zemër, të saj tek tri fjalët e para të Kushtetutës amerikane, “We the People”, “Ne Populli”, për të theksuar rolin e rëndësishëm që shtetasit amerikanë, që kanë në qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Ato tre fjalë u bëjnë thirrje amerikanëve të mos harrojnë se përveç pushtetit që ata ushtrojnë ndaj qeverisë, nëpërmjet të drejtës së tyre të votës, ata duhet të mbajnë edhe përgjegjësinë për lirinë e vendit të tyre.

Ndërsa, sot mbas 28 vjetëve të atyre ndryshimeve të mëdha, që ndodhën, me rënjen e Murit të Berlinit dhe rënjen e komunizmit në Shqipëri, shkërmoqjen e ish Jugosllavisë, besojmë se askush më mirë se ne shqiptarët, nuk e ka kuptuar këtë, pra Ditën e Dekleratës së Pavarësisë së SHBA, askush më mirë se ne shqiptarët – Kombi Shqiptarë nuk e di faktin më mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë betuar në nderin e tyre dhe që demokracia, liria e popujve, të mbrohet atje ku ajo dhunohet dhe shtypet – “Demokracia funksion ” tha 28 vjet më parë ish Sekretari i Shtetit James Baker në Tiranë.

Shqiptarët, tashmë e dinë se armiqtë më të mdhenj të Amerikës, nuk janë popujt, por janë diktaturat e diktatorët, shtypja e popujve liridashës, skamja dhe mjerimi i tyre, ndërkohë që Miku më i Madh i Amerikës, është ai komb që do dhe lufton për paqen, lirinë dhe demokracinë.

4 Korriku 1776, Dita e Dekleratës së Pavarësisë Amerikane, aq sa i përket kombit amerikan, po aq u përket edhe shqiptarëve, kombit shqiptar. Kombi shqiptar feston 4 Korrikun, ashtu si feston lirinë e tij Pavarësinë e saj 28 Nëntorin 1912, ose lirinë e çlirimin e Kosovës 12 qershorin 1999 dhe 17 shkurtin 2008 Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, e cila, i është mirnjohëse për jetë të jetëve Shteteve te Bashkuara te Amerikës.

Ish Presidenti parë i Kosovës, i ndjeri Dr. Ibrahim Rugova, ia ka dedikuar gjithë këtë mrekulli amdmirimit dhe respektit që kanë shqiptaret për Amerikën, presidentëve Regan, Bush – plakut, Klintonit, që i tha ndal genocidit në Kosovë dhe presidentit George W. Bush, i cili ishte i pari President në detyrë, që i vizitoi për herë të parë trupat amerikane në Kosovë, fill pas inagurimit presidencial.

Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, në apostulatin e tij për Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka thënë se : “Ne i duam Amerikanët, sepse, ata na dhuruan lirinë, që ne dëshironim”. Rugova mendonte se :”Kombi shqiptarë ka një respekt ideal të madh dhe jetik. Me Amerikën ne jemi të vegjel, por miq të mëdhenj që mund të bëjmë edhe punë të mëdha”.

Ndërkohë, sot më 4 Korrik 2018, 242 vjet mbas Ditës së Dekleratës së Pavarësisë, kombi shqiptar dëshiron të tregojë me sinqeritetin e tij se shqiptarët, u janë mirënjohës miqve të tyre të shumtë Amerikanë, ndër të cilët presidentit Woodrow Wilson, për përpjekjet që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për kombin tonë dhe për ruajtjen e miqësisë shqiptaro-amerikane.

Dhe, kjo është në traditën Amerikane, me politikën që ka mbajtur gjithnjë kundrejt Shqipërisë, të filluar prej presidentit të madh, Woodrow Wilson, kujtimi i të cilit ka mbetur i paharruar në zemrat e mendjet e shqiptarëve. Në Konferencën e Paqes, në Paris, në fund të Luftës së Parë Botërore, Presidenti Woodrow Wilson, flaku poshtë Traktatin e Fshehtë të Londrës (1915), që sakrifikonte të drejtat legjitime të Shqipërisë dhe u kërkoi përfaqësuesve të fuqive të mëdha, respektimin e Pavarësisë së plotë të Shqipërisë.

Në vite u rrit e u ngjizë më shumë miqësia Shqiptaro-Amerikane. Me këtë rast shqiptarët nuk e harrojnë presidentin Bush (plakun), në prag të Krishtlindjeve, i cili vendosi “vijën e kuqe”, vijë që sinjalizoi diktatorin Millosheviq, që kurrë Amerika, s’do të lejonte një Bosnje të dytë, me shqiptarët. Edhe presidentin Clinton, i cili u qëndroi besnik fjalëve të paraardhësit të tij, ai u bë njeriu më i dashur dhe më i besuar për shqiptarët kur premtoi: “Amerika do të jetë me Kosovën”!

Dhe, 5 qershorin 2007 vizitën e parë historike të një Presidenti të Shteteve të Bashkuara që viziton Shqipërinë – Tiranën :” Kosova do të jetë e pavarur dhe “mjaft është mjaft” duke i referuar Pavarësisë së Kosovës, e cila ashtu ndodhi kur tetë muajve më vonë Kuvendi i Kosovës shpalli Pavarësinë e sah dhe SHBA, me anë të një deklerate nga Afrika ku ndodhej atë ditë për vizitë qe ndër të parët që e njohën Pavarësinë e Kosovës e cila deri tani është e njohur nga 116 shtete.

Si konluzion Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin dhe janë me Shqipërinë dhe shqiptarët kudo, SHBA ishte me Kosovën në luftë, tani ajo është me Kosovën në paqe, me Kosovën në pavarësi dhe në Europë do të jenë gjithmonë. Amerika ishte garant i ngadhënjimit të luftës ndaj diktaturës së egër të Millosheviqit dhe tani ajo është garant që Kosova të ndërtojë në paqe shtetin demokratik të Kosovës, të lirë e sovarnë të përparuar dhe mik të përjetshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Image
Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test