Vdiq ne moshen 86 vjec Stan Dragoti Producenti dhe regjisori i njohur hollivudian me origjinë shqiptare

Amerika

Vdiq ne moshen 86 vjec Stan Dragoti Producenti dhe regjisori i njohur hollivudian me origjinë shqiptare

Beqir SINA - New York Nga Beqir SINA - New York Më 14 korrik 2018 Në ora: 06:21
Stan Dragoti

Burime shqiptare, nga SHBA, thonë se në moshën 86 vjecare sot vdiq, në Los Angelos – Kalifornia, Stan Dragoti Producenti dhe regjisori i njohur hollivudian me origjinë shqiptare.

Kush është Stan Dragoti...
 
Stan Dragotit, njihet nga shqiptarët si shqiptari që "shembi" muret e Hollivudit, ose njeriu që bëri rizgjimin e ëndrave Njujorkeze me filimin e famëshëm "I love New York". Ai thuhet se ka lindur më 4 tetor 1932 në New York City. Preardhja e tij është shqiptare. Vjen nga një familje Tepelenase, që kanë emigruar shumë herët në ShBA. Babai i tij Asllan nga fshati me peisazh tërheqës, Dragot (mbiemrin e të cilit mban edhe artisti) i Tepelenës dhe nëna e tij Bahrie nga qyteti i lashtë Tepelenë. Hapat e para të këtij gjeniu filluan që në fëmini. Në moshë të vogël ishte tepër kureshtar dhe i interesuar t'a shpenzonte kohën përballë programeve televizive. Cdo film që shikonte ishte i apasionuar ta komentonte me motrat dhe prinderit. Që në moshën 7-vjec filloi të vizatonte, imagjinonte dhe shumë skicime të moshës.
 
Sipas Wikipedia, thuhet se këto ishin dhe zanafillat të cilat e çuan ëndrën e tij realitet. Mbaroi njekohësisht kolegjin në "Cooper Union" New York dhe shkollën e arteve vizuale. Ai bashkëpunon akoma që prej vitit 1968 me kolegun e tij Charli Moss. Stani bëri ëmer që në hapat e para kur filloi drejtor i një filmi ,që pati sukses të pabesueshëm. Disa nga shitjet i kalonin shifrën 200 milion dollar të çdo prodhimi të kompanis së tij. Njëkohësishtë filloi të realizonte reklama për gjigandet e industrisë së linjave ajerore dhe atyre së prodhimit të makinave. Njeri intiligjent dhe krijues duke i vënë në shërbim të kohës. U bë tepër i njohur dhe i kërkuar për vetë kohën.

Mos vallë koha e kishte kujdesur për momentin e duhur që të bënte rizgjimin e ëndrave Njujorkeze.Eshtë e paharueshme për ata që kanë jetuar vitet 1970 kur i kujton filmin simbol - filmin që ka "pushtuar" rreklamat dhe vitrinat shumë ngjyrshe të metropolit gjigand të botës Nju Jork për pjesën e filmit "I love New York". Një zemër "flakë e kuqe me dy gërma të mëdha NY" çka lexohet në shqip e dua me gjithë zemër Nju Jorkun. Megjithese kanë kaluar kaq vite kjo rreklan është si me thënë hymni i njujorkezve "I love New York". 
 
Gjatë takimeve të shumta me ish Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, ne jeten active ai ka qenë jo vetëm duke disktuar per  kinematografin, por edhe per lançimi i Shqipërisë në Hollivud, lançimi i turizmit shqiptar nëpër botë dhe pse jo të publicizohet edhe toleranca fetare, që sipas artistit është mjaft e rëndësishme.

Regjisor i njohur me origjinë shqiptare, veçanërisht për filmat “Love at First Bite” (Dashuri me kafshimin e parë, 1979), një komedi e zezë mbi temën e Drakulës dhe “The Man With One Red Shoe” (Burri me një këpucë të kuqe, 1985), një komedi romantike me Tom Hanks dhe James Belushi, i kishte shprehur idenë kryeministrit shqiptar për realizmin e tre projekteve kinematografike të rëndësishme.

Nga burime pranë ish Kryeministrisë, gjate udheheqjes se Berishes,  mësohet se Dragoti ka pasur një projekt në bashkëpunim me producentë të tjerë amerikanë, realizmin e tre filmave për Shqipërinë. Te cilat  artisti ia kishte prezantuar ne ate kohe ish kryeministrit tre projekte filmike për t’i çuar në Hollivud, që ishin sipas lajmve te atehershme njëri për historinë e Skënderbeut, një tjetër projekt filmik për ndihmën që shqiptarët u kanë dhënë hebrenjve dhe një tjetër në bashkëpunim me Peter Lucas, për Luftën e Dytë Botërore”.
 
Vete ish Kryeministri Berisha e pati përshëndetur artistin e shquar dhe e kishte përgëzuar për kontributin e madh që ka dhënë me punën e tij në ngritjen lart të imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, si dhe për interesimin e vazhdueshëm të tij ndaj zhvillimeve dhe projekteve të vendit të tij të origjinës.
Por përveç projekteve kinematografike, regjisori i shquar, Stan Dragoti, në Shqipëri kishte nisur së bashku me producentë dhe bashkëpunëtorë të tij, në kuadër të përpjekjeve për të promovuar dhe nxitur zhvillimin e turizmit shqiptar, njohjen e historisë dhe traditave të Shqipërisë më gjerësisht nëpërmjet filmave historikë, dokumentarëve mbi vendin Shqiperine dhe paketave të spoteve televizive mbi turizmin dhe imazhin e Shqipërisë turistike.

Gjatë bisedës se atehershme me Berishën, Dragoti kishte diskutuar për potencialet që ka Shqipëria në aspektin e turizmit dhe të investimeve në fusha të ndryshme, si dhe për mundësinë dhe rëndësinë e zhvillimit të një strategjie efikase për promovimin sa më shumë të produktit “made in Albania” në mbarë botën.

Gjithashtu artisti kishte hedhur idenë e realizimit të sa më shuam spoteve për turizmin shqiptar, duke vënë theksin që të publicizohet ana ekzotike, romantike e natyrës shqiptare, pse jo dhe toleranca fetare në Shqipëri.
 
Stan Dragoti njihet sidomos për videoklipet komerciale, shumë prej të cilëve konsiderohen si vepra arti. Ka xhiruar gjithsej gjashtë filma artistikë, në njërin prej të cilëve ka qenë edhe skenarist (filmi i tij i parë “Dirty Little Billy”, 1972). Ka xhiruar edhe filmat “Necessary Roughness” (1991), “She’s Out of Control” (1989) dhe “Mr. Mom” (1983).

Nipi nga Dragoti

Vite më parë, në kohën kur ish Kryeministri, Sali Berisha, ishte në pozicionin e presidentit shqiptar, Stan Dragoti kishte shkuar per here te pare në Shqipëri, pas rrezimit te komunizmit regjimit te Enver Hoxhes. Gjatë atij udhëtimi, Dragoti ka qenë i shoqëruar nga Ekrem Bardha, Arthur Lika, Dino Erbeli, Geri Kokolari, Bardhyl Quku, njëkohësisht dhe nga pushtetarë dhe zyrtarë të lartë shqiptarë. Në këtë shkuarje te pare të tij, Dragoti kishte vizituar edhe fshatin e origjinës së tij, vendlindjen e babait, Dragotin në Tepelenë, një fshat piktoresk që shtrihet përballë qytetit. Gjatë kësaj vizite në Shqipëri, Dragoti e cilësoi bregdetin e virgjër shqiptar me atë Kalifornian dhe malet me ato të Zvicrës.

Regjisori i njohur amerikan me origjinë shqiptare, Stan Dragoti thoshte se Shqipëria vuan prej shumë vitesh nga mungesa e imazhit por ajo ofron shumë gjëra që mund të ndihmojnë për t’ja përmirësuar pozitën në botë.  Dragoti kishte një agjenci reklamash dhe ishte regjisor i 7 filmave, disa prej të cilëve mjaft të njohur në Amerikë. Ai thoshte gjithmon se dëshirote  që me ndihmën e dy shqiptaro-amerikanëve të tjerë, Besnik Bezhi dhe Enver Jusufi, të përsërisë me Shqipërinë suksesin që pati një reklamë e tij e viteve 70 e cila përmirësoi imazhin e qytetit të Nju Jorkut.
 
Kjo eshte nje nga intervistat e para dhe te vetme me shtypin Shqiptar dhene ato kohe Ilir Ikonomit - "Zëri i Amerikës"

Zëri i Amerikës: Në rastin e Shqipërisë, sa rëndësi mendoni se ka përmirësimi i imazhit, sa mund ta ndihmojë vendin një imazh i mirë për të konkurruar me sukses?

Stan Dragoti: Shqipëria vuan prej shumë vitesh nga mungesa e imazhit. Njerëzit nuk dinë çfarë të mendojnë kur dëgjojnë për Shqipërinë. Është një rajon i vështirë që njerëzit ta kuptojnë, pra kur ti flet për Shqipërinë, ata nuk e kanë të qartë nëse po flet për Kroacinë, për Malin e Zi apo për Kosovën. Dua të them se të huajt nuk kanë një ide të qartë për shkak të viteve të gjata të errësirës, kur Shqipëria ishte e përjashtuar nga komuniteti botëror. Dhe kjo është e kuptueshme. Mirëpo sot, nëse njerëzit nuk flasin për ty, atëhere ti nuk ekziston. Prandaj, plani ynë përfshin disa aspekte dhe njëri prej tyre është aspekti kulturor. Shqipëria ka një histori të mahnitëshme për të cilën askush nuk di. Gjithashtu, Shqipëria ka burime natyrore të jashtëzakonshme, ka male, ka një bregdet të bukur. Mendoj se një nga burimet më të mëdha të Shqipërisë është elementi njerëzor, ajo ka njerëz të rinj, tërheqës, njerëz që flasin anglishten, të shkolluar dhe me një etikë të shkëlqyer pune. Mendoj se për të gjitha këto duhet folur, këto duhet t'u tregohen të tjerëve përmes mekanizmave të komunikimit, si marketimi, reklamat dhe filmat, të cilat duhet të flasin për heronjtë tanë, për historinë tonë. Këta filma duhet të shërbejnë si kurora kulturore nën të cilën të kalohet pastaj te reklamat dhe marketimi. 

Zëri i Amerikës: Ju jeni një personalitet i mësuar me suksesin. Sa i sigurt jeni se nuk do të dështoni në projektin për Shqipërinë?

Stan Dragoti: Në radhë të parë ne nuk mund të dështojmë sepse tani për tani nuk është duke u bërë ndonjë gjë në këtë fushë. Pra, ne po bëjmë diçka që është më e mirë se asgjëja. Dhe jemi jashtëzakonisht të gëzuar që kemi një rast të tillë

Zëri i Amerikës: Si do të përhapet ky informacion, cili do të ishte në këtë rast roli juaj si personalitet i artit të reklamimit?

Stan Dragoti: Jemi ende në fazat e bisedimeve por ideja është që Shqipëria të hyjë në rrjetin televiziv amerikan History Channel dhe shpresoj se do t'ja arrijmë kësaj. Kjo do të bëjë që Shqipëria të futet në shtëpitë e njerëzve kudo në botë. History Channel më ka premtuar se do të lejojë transmetimin e projekteve të mija për Shqipërinë. Ky është një rrjet i madh që shikohet nga mbi 200 milion njerëz në botë. History Channel është klienti im prej më shumë se 10 vjetësh. Kam punuar për një kohë të gjatë, që nga fillimet e tij, për ta bërë të njohur këtë rrjet. Kemi marrëdhënie shumë të ngushta me ta dhe ata u treguan të gatshëm për bashkëpunim. Pra, çfarëdo që unë dëshiroj të transmetohet, që unë mendoj se ka rëndësi për Shqipërinë dhe që ata e pranojnë, ne do ta realizojmë për t'ja paraqitur botës.

Zëri i Amerikës: Në mos gaboj, është fjala për një strategji komplekse e cila në fund të fundit ka për qëllim të sjellë në Shqipëri turizëm dhe biznes…

Stan Dragoti: Përpjekjet tona do të funksionojnë ndoshta si një fushatë marketimi të drejtperdrejtë, për ta paraqitur Shqipërinë si një destinacion me vlera të vërteta. Por përpara kësaj, plani ynë është të bëjmë një fushatë imazhi, pra t'u themi njerëzve të biznesit se përse ata duhet të shkojnë të investojnë në Shqipëri. Shqipëria do të jetë ndërkohë tërheqëse për një nivel të caktuar njerëzish, që ne i quajmë "backpackers", udhëtarë "me çantë shpine", të cilët mund t'i karakterizojmë si në gjendje të mirë financiare dhe paksa të moshuar, njerëz të cilëve u pëlqen të shkojnë në vende pak të vizituara nga të tjerët. Pra kjo është kategoria e parë që ne do të përpiqemi të arrijmë me fushatën e imazhit. Gradualisht, pasi infrastruktura e Shqipërisë të përmirësohet, për shembull pas një viti, ne do të fillojmë të bëjmë fushatë turizmi. Kjo fazë do të jetë interesante sepse e di që do të kemi rezultate pasi Shqipëria është një territor relativisht i pazbuluar. Kroacia po përjeton tani një bum turistik dhe ne do të përpiqemi t'ja marrim këta turistë dhe t'i tërheqim drejt jugut.

Zëri i Amerikës: Ju njiheni si realizues i njërës prej fushatave më të mëdha të marketimit në botë, fushata për qytetin e Nju Jorkut në fund të viteve 70 kur qyteti kishte nevojë urgjente për të përmirësuar imazhin. Si lindi ajo fushatë dhe a ka këtu një analogji me Shqipërinë? 

Stan Dragoti: Njerëzit në atë kohë e kishin marrë frikë Nju Jorkun. Ata vinin nga larg për të parë teatër dhe nuk ishin të sigurt nëse bileta që kishin rezervuar do t'u njihej, nuk ishin të sigurt nëse do t'i gjenin të lira dhomat e hotelit që kishin rezervuar. Kudo dëgjonin të flitej për dhunë. Pra ishte një imazh mjaft negativ dhe shprehja "E urrej Nju Jorkun" ishte shumë në modë. Së bashku me partnerin tim, i bëmë një vlerësim anëve pozitive të Nju Jorkut, i cili ofronte shumë gjëra të mira: ai kishte Broduejin me tërë ato shfaqje të mahnitëshme si askund në botë, kishte muzeume të jashtëzakonshme dhe restorante të mira, kishte Parkun Qendror dhe zonën veriore, e cila ka një peisazh të mrekullueshëm. Dhe vendosëm që shprehjen negative "E urrej Nju Jorkun" ta zëvendësonim me frazën "E dua Nju Jorkun" – "I love Neë York". Gjetëm një muzikë të bukur dhe realizuam reklamën. Unë bëra filmimet dhe isha njëkohësisht regjisori i saj. Reklama ishte një sukses i menjëhershëm, njerëzit nuk ngopeshin duke e parë. Dhe solli pastaj një reaksion zinxhir. Ajo u përhap si valë kudo në qytet brenda natës. Aq i madh ishte ndikimi saqë është fakt se dikush në atë kohë shkroi edhe në Murin e Madh kinez fjalët "E dua Nju Jorkun". Nuk besoj se ka ndonjë fushatë tjetër reklamash që të ketë funksionuar me kaq sukses. Pra, ideja është që të bëjmë për Shqipërinë atë që bëmë për Nju Jorkun.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për filmat që do të bëni me temë nga Shqipëria. Njëri prej tyre trajton temën tashmë të njohur të shpëtimit të hebrejve gjatë luftës. Ç'farë do të ketë të veçantë filmi juaj?

Stan Dragoti: Në shumicën e filmave për Holokaustin, të cilët të gjithë tregojnë skenat e rënda dhe të trishtueshme që i kemi parë kaq herë, zakonisht flitet për një njeri të caktuar i cili ndihmon një popull të caktuar, siç ishin hebrejtë. Ndërsa historia shqiptare është ndryshe, ajo dëshmon për një popull që ndihmon një popull tjetër. Të gjithë shqiptarët, me Besën e tyre, u premtuan hebrejve se ata nuk do t'i prekte askush. Dhe ashtu ndodhi. Është një histori tepër frymëzuese. Në film ju nuk do të shikoni asnjë skenë nga Holokausti por aty flitet për një familje që vjen nga Hamburgu, u shpëton nazistëve, vjen në Shqipëri, ku pritet ngrohtë dhe integrohet në jetën shqiptare. Tregohet se si pastaj vijnë gjermanët por ata nuk mundën t'i zbulojnë dot, sepse shqiptarët u kishin vënë hebrejve emra myslimanë. Është një histori e fuqishme.

Zëri i Amerikës: Keni thënë se do të bëni një film për Skënderbeun. A keni frikë se kjo mund të ishte një sipërmarrje e kushtueshme dhe që do të kërkonte kohë për t'u realizuar?

Stan Dragoti: Është një film që ne do ta bëjmë në mënyrë paksa të ndryshme. Unë nuk mund të bëj një film si Braveheart, për të cilin u deshën 60-70 milion dollarë. Nuk kam dëshirë të bëj një film me shpata e mburoja. Skënderbeu bëri shumë beteja dhe për këtë do të duhej një film i gjatë 20 orë. Por jam i interesuar në një gjë: askush deri më sot nuk ka pasqyruar në një film se cili ishte Skënderbeu, çfarë mendonte ai në kokën e tij, cilat ishin shqetësimet e tij dhe ç'e shtyti të vinte nga Turqia, ku u rrit si figurë ushtarake e të kthehej në vendlindje duke e ditur se ata do të hakmerreshin me të gjithë forcën kundër tij. Dhe ata vërtet erdhën por ai i mundi ata. Është historia e dikujt që lufton me fatin, lufton kundër atyre që dikur kishin qenë miqtë dhe mësuesit e tij. Pra tërë këta elementë janë aq dramatikë saqë mendoj se do të ishin të përshtatshëm për çdo film nëse realizohet siç duhet. Një film tjetër bazohet mbi librin Zyra e Shërbimeve Strategjike gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Është një libër shumë interesant shkruar nga Peter Lukas. Filmin do ta bazojmë mbi marrëdhëniet mes agjentit shqiptaro-amerikan Tom Stefan dhe Enver Hoxhës, se si amerikanët e këshilluan agjentin e tyre që të vriste Hoxhën, gjë që ai nuk e realizoi dot.

Zëri i Amerikës: A nuk do të ishte pak e vështirë të gjendej treg për filma të tillë që do të kenë një tematikë të fokusuar te një vend i vetëm, pra te Shqipëria?

Stan Dragoti: Bëni mirë që më pyesni. Unë jam jashtëzakonisht i interesuar në atë që quhet segmentim i tregut. Unë nuk synoj të marr Tom Kruzin për të luajtur Enver Hoxhën, nuk po përpiqem të bëj filma me buxhete gjigande. Dua që këta filma të kenë një buxhet modest dhe që të shpëndahen në tërë rajonin e Ballkanit ku jetojnë ndoshta 12 milion shqiptarë, duke përfshirë edhe ata në Turqi. Pastaj ka njerëz të tjerë në rajon që dinë për Skënderbeun. Pra, shpresoj që në rajon të ketë një audiencë të tillë që këta filma të dalin me fitim. Në rast se filmat vlerësohen pozitivisht, atëhere ne mund ta zgjerojmë shpërndarjen e tyre edhe në Europën Perëndimore. Më pas, mund të kalojmë edhe Atlantikun dhe t'i shfaqm ato në pjesën lindore të Amerikës ku jetojnë shumë shqiptarë por ku ka edhe shumë njerëz me kulturë që pëlqejnë filmat cilësorë. Më në fund filmat mund të shfaqen edhe në pjesën perëndimore të Amerikës si në Festivalin Sundance.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për jetën tuaj. Jeni lindur në një familje tipike shqiptare dhe jeni rritur në një mjedis po aq tipik amerikan. Si do t'i përkufizonit raportet tuaja shpirtërore mes të dyjave? 

Stan Dragoti: Më lejoni t'ju tregoj këtë fotografi ku kam dalë fëmijë i veshur me një fustanellë shqiptarçe. Çdo shqiptaro-amerikan, qysh fëmijë, e ka të veshur këtë rrobë thellë në zemrën e tij. Kaq besoj mjafton dhe kjo është e vërtetë. Natyrisht unë jam i lindur e i rritur si amerikan. Nuk flas shqip sepse kam patur diferencë të madhe në moshë me tre motrat e mija, dhe kjo na ndau disi nga pikpamja e gjuhës. Pastaj ndodhi diçka e jashtëzakonshme, erdhi Lufta e Dytë Botërore. Amerika kaloi nëpër disa ndryshime të habitëshme në kuptimin që partiotizmi në vend arriti kulmin. Pikërisht ashtu siç përshkruhet edhe në filmin "Shpëtimi i ushtarit Rajën", ata djem bënë sakrifica të mëdha. Ishte një kohë e jashtëzakonshme. Në ato vite, unë isha i ri dhe ishte e pamundur të mos ndjeheshe njëqind për qind amerikan. Si gjithë të tjerët edhe unë krijova në vete shpirtin patriotik amerikan. E megjithatë, vazhdimisht e kam mbajtur atë fotografi në zemër. Natyrisht, kisha marrëdhënie shumë të afërta në familje, me prindërit dhe me motrat. I kujtoj me mall ato vite. Babai im ishte njeri fisnik, nëna një grua e vërtetë shqiptare. Dhe si djalë i vetëm mes tri motrash nëna më trajtonte si princ. Babai kishte një sens interesant humori dhe gjithmonë i thoshte nënës: "Grua, mos më ça kokën me atë djalin", sepse i gjithë kujdesi ishte i përqendruar tek unë. 

Zëri i Amerikës: Në atë kohë duhet të ketë qenë e vështirë për emigrantë shqiptarë si prindët tuaj kur kanë mësuar se djali i tyre i vetëm donte të studionte art.

Stan Dragoti: Prindët e mij psherëtinë thellë kur u thashë se doja të studioja art dhe të bëhesha artist. Nuk më ndaluan por e dija se kjo ua shtoi stresin sepse ata e kuptonin se sa e vështirë do të ishte. Dhe vërtet qe e vështirë. Mirëpo duhet të dini një gjë: në të gjitha këto histori, qoftë nëse je në Hollivud apo je një fëmijë i vogël që merresh me vizatime, ka një faktor që quhet fat. Pra duhet të kesh një farë fati, duhet të qëllosh në kohën e duhur në vendin e duhur. Unë isha me shumë fat në të dyja këto.

Zëri i Amerikës: Prindët tuaj mendonin se arti nuk të sjell para?

Stan Dragoti: Natyrisht. Ata mendonin se nuk do të fitoja asnjë kacidhe. Madje kishte momente kur unë thosha me vete "Cilin po përpiqem të gënjej? Kush është ai që do të donte të paguante për këto vizatime të mijat?"

Zëri i Amerikës: Në fillim të viteve 90 ju u kthyet në Nju Jork për t'u marrë eksluzivisht me artin e reklamës. Përse e latë Hollivudin i cili është aq i lakmuar nga artistët? 

Stan Dragoti: Në atë kohë bëra një film me titull "Necessary Roughness" me kompaninë Paramount. Ishte një film i suksesshëm që kishte si temë futbollin amerikan. Kur isha në shkollë të mesme luaja futboll prandaj gjithmonë kisha dashur të bëj një film me këtë temë. Gjatë kësaj kohe fillova të shikoj ndryshime në Hollivud: njerëzit e filmit po vinin tani gjithnjë e më shumë nga shkolla të shtrenjta si Harvardi dhe çdo gjë diktohej nga fitimi. Pra qëllimi nuk ishte më filmi por paraja dhe kjo nuk më pëlqente. Megjithatë, unë e doja punën si regjisor. Ishte pikërisht kjo periudhë kur partneri im më telefonon me një ofertë të jashtëzakonshme për t'u kthyer në Nju Jork dhe për të hapur një kompani reklamash. Fillova të mendohem. Në vitin 1994, Kalifornia u godit nga një tërmet i madh. Unë vetë shpëtova por shtëpia ime e madhe u shkund mirë. Kurrë nuk kisha parë një gjë të tillë në jetë dhe thashë me vete: "Zoti po përpiqet të më thotë diçka." Shita shtëpinë, paketova plaçkat dhe u ktheva në qytetin tim të lindjes. 

Zëri i Amerikës: Krahasuar me atë kohë, si kanë ndryshuar sot shijet e Hollivudit?

Stan Dragoti: Kam frikë se Hollivudi po kalon nëpër një cikël ku studiot po u përgjigjen më tepër shijeve të adoleshentëve. Kur isha adoleshent, më qëllonte të shihja filma ku luanin Spencer Tracy apo Katherine Hepburn, filma që nuk ishin për ndonjë audiencë të caktuar dhe unë mësoja shumë prej tyre. Po kështu shihja filma komikë dhe dramatikë të njohur për kohën. Sot, prozhektori është ngushtuar së tepërmi dhe është fokusuar tek adoleshentët për shkak se ata janë konsumatorët më të shumtë. Kështu që sot shikon shumë filma banalë të cilët e kanë reduktuar kulturën e filmit në nivele të ulta. Si pasojë, është i trishtueshmëm fakti që shkrimtarët po humbasin aftësinë për të bërë skenarë, kjo formë arti po humbet. Ata nuk e njohin më zhvillimin e personazhit, nuk njohin radhën e shpalosjes së dramës por vetëm u servirin adoleshentëve gjëra banale.

Zëri i Amerikës: Ju keni bërë 7 filma në një industri shumë të vështirë siç është Hollivudi. Mund të mos ju pëlqejë epiteti "i famshëm" por është fakt që keni lënë gjurmë në Hollivud. Si arritët të çani në fillim?

Stan Dragoti: Isha me shumë fat sepse filmi im i parë pati sukses. Ishte filmi "Dirty Little Billy" prodhim i vitit 1972, i cili më dha kënaqësi të madhe gjatë xhirimit. Bashkë me gruan e atëhershme shkuam në Paris për premierën e shfaqjes. Më pritën si hero dhe gruaja më tha: "Përderisa e pëlqyen këtu, mendo sa do ta pëlqejnë kur të shfaqet në Amerikë." Dhe me të vërtetë ishte një sukses i madh. Industrialisti i famshëm i Hollivudit Jack Ëarner, i cili kishte investuar për filmin, më tha: "Je djalë me shumë fat. Por asgjë nuk ka më shumë sukses sesa dështimi. Prandaj ajo që duhet të bësh është ta ndjekësh filmin kur të shfaqet në gjithë vendin dhe të përpiqesh ta kuptosh se përse njerëzit e pëlqejnë." Bëra ashtu siç më tha ai dhe e ndoqa filmin për një vit të tërë, dëgjova përgëzimet dhe kritikat e shikuesve. Shumica e regjisorëve nuk e bëjnë këtë por sapo mbarojnë një film hidhen te projekti tjetër. Filmi im që pasoi ishte "Dashuri në Kafshimin e Parë", një komedi që pati sukses të rrallë. Për atë u shpenzuan 2,5 milionë dollarë dhe fitimi ishte 100 milion. Pra ishte një mësim i mirë. Më pas erdhi filmi Mr. Mom, i cili kushtoi 6 milion dhe realizoi 100 milion dollarë të ardhura. Për një film, këto janë fitime të konsiderueshme. Dhe duhet të dini se Hollivudi është një qytet aspak i mëshirshëm e ku konkurrenca është e tmerrshme. Janë vetëm katër kompani që ta blejnë filmin ndërkohë që ke katër mijë autorë që përpiqen të të ofrojnë skenarë.

Zëri i Amerikës: Filmi është patjetër një art dhe një proces i vështirë. Nga përvoja juaj, cilat gjëra janë vendimtare në këtë proces?

Stan Dragoti: Para se të shkoja në Hollivud e njihja shumë mirë filmin. Askush nuk mund të më mësonte ndonjë gjë të re në këtë zanat. Dija si të bëja montazh, si të xhiroja, kisha njohuri për ndriçimin. Por në realizimin e një filmi duhet të zgjidhësh një problem të vjetër, problemin e rrëfimit të ngjarjes, pra duhet të kesh një skenar të mirë. Po nuk pate një skenar të goditur, nuk ka rëndësi se sa bukur ke xhiruar apo sa mirë kanë luajtur aktorët. Dhe kjo nuk arrihet vetëm duke praktikuar të shkruarit, por arrihet duke xhiruar dhe duke marrë reagimin e shikuesve, kur filmi shfaqet para tyre. Është një cikël i tërë. Nëse shikuesit gjatë filmit lëvizin, nuk rrinë të qetë ose ngrihen për të blerë popkorn, kjo tregon se rrëfimi nuk është i mirë. Fimi duhet ta mbajë shikuesin të gozhduar gjithë kohës dhe të mos e lëshojë.

Zëri i Amerikës: Kur reflektoni për shqiptarët dhe për marrëdhëniet e tyre me Amerikën, çfarë ju shkon së pari ndër mend?

Stan Dragoti: Shqiptarët i duan amerikanët. Jam i sigurt se kjo filloi me Presidentin Uillson, i cili e mbajti Shqipërinë gjallë si shtet sepse ajo do të ishte shpërbërë. Pastaj është edhe admirimi që ata kanë për atë që bëri Amerika në luftën e Dytë Botërore, për ndihmën e saj. Më pas erdhën vitet e tmerrshme nën Hoxhën dhe pas kësaj periudhe Amerika u erdhi në ndihmë shqiptarëve. Ja sepse shqiptarët e duan Amerikën. Atyre u pëlqen edhe mënyra amerikane, se si amerikanët përpiqen të arrijnë ëndrrën dhe aspiratat e tyre. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat