Thirrje: “Mbahu nëno mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë!”

Amerika

Thirrje: “Mbahu nëno mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë!”

Nga: Shaqir Salihu Më: 22 shtator 2018 Në ora: 15:01
Shaqir Salihu

Historia po përsëritet si 100 vjet më parë. Menjëherë pas Luftës Ballkanike 1912-1913 Serbia e pushtoi Kosovën. Në Konferencën e Paqes në Versajë, pas Luftës së Parë Botërore, delegacioni shqiptar mësoi se përveç Kosovës, që mbeti nën sundimin e Serbisë, Franca dhe Anglia kishin bërë plan për ndarjen e Shqipërisë mes serbëve, italianëve dhe grekëve. Për fat të mirë delegacioni shqiptar, nëpërmjet miqve të misionit amerikan në Shqipëri, qenë në gjendje të kontaktojnë bashkëshorten e Presidentit Woodrow Wilson për të ndalur këtë plan të fshehtë të Francës dhe Anglisë për copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë.

Presidenti Wilson shqyrtoi të gjitha dokumentet që do të çonin në shkatërrimin e Shqipërisë dhe u bëri thirrje delegacioneve të Francës dhe Anglisë se ShBA nuk do ta lejojë kurrë një gjë të tillë. Ai tha se Shqipëria do të mbetet vend i lirë. 

I bëj thirrje diasporës shqiptare të Amerikës të bëjë atë çfarë bëri 100 vjet më parë Vatra e madhe, e kësaj radhe të shpëtojë Kosovën nga shkatërrimi. Vuçiçi (ujku i vogël) po na del ujk i madh. Vajti në Kosovë dhe provokoi mjaft. Mbështeti haptas politikën shoviniste të Millosheviçit dhe tha se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet të pavarur. 

Unë po i përcjell me shqetësim të madh ngjarjet e fundit në Kosovë. I trembem shumë takimit të Presidentit Trump me “Carin” e Rusisë, Putin në Helsinki. Ky takim do të ketë pasoja katastrofike për Kosovën. Planet janë që Serbia të marrë veriun e Kosovës. Vuçiçi tha se po përfiton shumë nga dialogu me Presidentin Thaçi. Kjo ndarje do të thotë që nuk do të ketë më Kosovë dhe askush nuk mund ta parandalojë përveç Shtëpisë së Bardhë. 

I bëj thirrje komunitetit shqiptar të Amerikës që të tregojë fuqinë edhe një herë dhe të kontaktojë me Presidentin Donald Trump, me shefin e Sigurisë Kombëtare John Bolton e të tjerë para se të jetë tepër vonë. Unë e di se komuniteti shqiptar në New York ka miqësi edhe me avokatin e zotit Trump, Rudolf Giuliani. Ju lutem zgjohuni edhe një herë nga gjumi sepse Kosovës po i vjen fundi. Thuajini Presidentit Trump se shqiptaro-amerikanët e duan Kosovën me 10.905 kilometra katrorë. 

I lutem edhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama që nëse nuk je në gjendje ta ndihmosh Kosovën, të lutem mos e dëmto. Beogradit i përlqen shumë që të flasë për Kosovën me udhëheqësit e Tiranës sepse e dinë se me ta e kanë më të lehtë. 

Shqiptarë të Amerikës, Kosova ka nevojë sot më tepër se kurrë më parë për ju. Ngrihuni edhe një herë siç e keni bërë gjatë gjithë historisë së Shqipërisë. 

Mbahu nëno mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat