Në moshën 92 vjeç u nda nga jeta Mustafë Salih Elezi – (1926 – 2018) - Bota Sot
Në moshën 92 vjeç u nda nga jeta Mustafë Salih Elezi – (1926 – 2018)

Amerika

E hënë, 22 tetor 2018

Në moshën 92 vjeç u nda nga jeta Mustafë Salih Elezi – (1926 – 2018)

Beqir SINA - New York Nga Beqir SINA - New York Më 2 tetor 2018 Në ora: 15:06
Mustafë Salih Elezi

YONKERS NYC : Asnjëherë, nuk mendova se do të takohesha me ndonjë tjetër Tropojan, antikomunist apo Patriot, sesa babai im, Sejdi Husenaj, derisa u martova dhe takova babanë tim ligjor, vjehrrin tim Mustafë Salihi nga Dragobia, do të shkruante e reja e tij Shpresa Hysenaj – Elezi bashkëshortja e Rick Elezi , në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, duke njoftuar farefisin, miqt dhe dashamirët, se në moshën 92 vjeçare, pranë familjes së tij u nda nga jeta Mustafë Salihi Elezi.

Ai ishte, prindë shembullor, atdhetar e patriot, i mençur, shkrimtar, poet fjalë pak dhe i mahnitshëm shkruan Shpresa Hysenaj – Elezi duke përcjellur edhe detajet detajet e ceremonies mortore si më poshtë:

Funerali dhe varrimi në Yonkers Nju Jork : sot prej orës 2:00pm deri 9:00pm në shtëpinë mortore “F. Ruggerio & Sons” në adresën : 732 Yonkers Ave Yonkers NY 10704.

Shërbimet e ceremonis së varrimit fillojnë në Cemetari Kenisco në orën 11.00. në Varrezat e Kensicës 273 Lakeview Ave Valhalla NY 10595, lajmëron familja e të ndjerit Mustaf Salihi Elezi I cili vdiq në moshën 92 vjeç.


Mustafa u lind më 26 shkurt 1926 në Valbonë të Tropojës…Ishte luftëtar i lirisë gjatë Luftës së Dytë Botërore (1944-’45).

Ai ishte i persekutuar politik i regjimit komunist (1944-1990) dhe një mbetëror dhe një vatran emblemë, me tradita të thella familjare.

Mustafa, ishte dhe njeri i penës i cili shkroi poezi e shkrime publicistike,që i botoi tek “Përpjekja Jonë”, “Illyria” , Bota sot, Dielli dhe gazeta të tjera.

Ndërsa, la si trashëgimi krijuse librin librin voluminoz - “Nuk e harrova Malësinë e Gjakovës” (466 faqe: me shënime, kujtime, krijime dhe fotografi të vjetra e të reja ), ai ishte dhe një qendrestar stoik kundra diktaturës sllavo - komuniste të instaluar mbas 44-tës, rregjimit të Titos dhe Enver Hoxhës.

Mustafa gjatë sundimit komunist punoi si i dënuar në kampet e punës së detyruar (1952-‘56) si në: Aeroportin Civil të Rinasit, aerodromin ushtarak të Kuçovës, hapjen e kanaleve ujitëse në fushën e Maliqit, Peqin-Kavajë, Levan-Fier etj, duke provuar dhe qelitë e burgjeve dhe punën skllavëruse (25 korrik 1949-11 janar 1956) në Tiranë, Durrës, Maliq, Rrogozhinë, Shtyllas, Rinas.

Ai ishte dhe një besimtar i devotshëm, punoi vullnetarisht më shumë se një dekadë si veprimtar fetar i Qendrës Islame në Brooklin Nju Jork, dhe ishte dhe një familjar i rrallë e prind i kujdesshëm.

Mustafa, u arrestua pa kryer asnjë krim, u dënua dhe vuajti pa qenë fajtor, deri sa arrinë që të shpëtojë nga ferri i diktaturës më 19 shkurt 1957, kur ishte 31 vjeç,dhe arratiset nga Qafa e Morinës duke dale në pjesën tjetër të kufirit Shqiptaro - Shqiptar, në Kosovë, aty ku kishte edhe një pjesë të madhe të familjes së tij .

Pas arratisjes ne Kosove, u martua më 1962 me Mehanen, vajzën e atdhetarit fisnik Ukë Qerim Neza (Shipshan) dhe ka tre fëmijët me emra simbolik : Mërgim, Bashkim, Shpresë.

Mustafa qëndroi tranzit në Itali për të udhëtuar drejt Amerikës me 24 shkurt 1968, dhe me të ardhur këtu u vendos në Nju Jork.

Mustafa, me të dale në Itali kampin e refugjatëve atje, u lidhe më nacionalistët dhe anti komunistët që vepronin atje.

Duke u bërë pjesë e grupeve monarkiste dhe një idhëtar i Mbretit Zog - . Ai u anëtarësua qysh në Itali në Organizatën Kombëtare Lëvizja e Legalitetit në megrim, dhe më të ardhur në Amerikë, si çdo mbretëror, që në fillim u bë edhe anëtar në Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra.

Prej qershorit 1968, ardhjes në Amerikë, nuk u nda nga OKLL, Vatra, duke qenë pjesmarrës i rregullt në veprimtaritë që organizonte diaspora shqiptare, për liri e demokraci. Ka qenë edhe aktivist i Xhamisë.

Ishte ndër mbështetësit e ndërtimit të Xhamisë në Brooklyn-it.Për tetë vjet ka qenë nënkryetar i Këshillit të xhamisë, dhe ka qenë dhe sekretar i xhamisë. Përpara se të ndërtohej xhamija, Mustafë Elezi, ishte pjesë e komisionit ndërfetar të shqiptarëve, në kohën kur Imam Isa Hoxha bashkëpunonte ngushtësisht me Monsinjor Zef Oroshin dhe Kishën Orthodokse të Bostonit.

Me ikjen e Mustaf Jahelezit, familja humbi njeriun më të dashur, ndërsa shqiptarët e Amerikës, miqt dhe dashamirët humbën një patriot e atdhetar të devotshëm dhe çështja kombëtare luftëtarin e saj të paepur për liri dhe demokraci.

Në bashkëbisedimin që ka pasur vitin e kaluar tabloidi VOTRA, me titull :“Dy familje atdhetare, tri herë miq me njëri-tjetrin, shumë kontribute për çështjen kombëtare si fizikisht ashtu edhe materialisht” me mikun e tij Sejdi Hysenaj, një aktivist i njohur në Komunitetin Shqiptar dhe Mustaf Jahelezin si i thërrisnin atij, sillen tregime nga të dy familjet të cilat pjesën më të madhe të tyre e kaluan në emigrim, por që asnjëher nuk e harruan vendin e tyre, dhe nuk kursyen asgjë për lir e demokraci në Shqipëri , Kosovë, e trojet shqiptare.

Gazetarja, Drena Qelia e cila ka realizuar këtë intervistë për revistën tabloide VOTRA, shkruan….Kanë qenë 368 familjeje që pas largimit të tyre në vitet 1944 u shpallën kundërshtare të komunizmit nga pushteti socialist, i cili me veprimtarinë e tij për 45 vjet me radhë dëshmoi se nuk mjaftonte vetëm një drejtori e posaçme që jepte informacion për diasporën shqiptare, por edhe në prag të ndryshimeve politike 1990-1991 regjimi diktatorial vazhdonte t’i cilësonte si “armiq” ish-familjet e internuara dhe më pas të larguara jashtë vendit dhe i ndaloi të ktheheshin në vendin e tyre, edhe pse ishte shpallur pluralizimi politik.

Por pavarësisht kësaj, rikthimet e para në atdhe përkojnë me vitin 1994 rreth 34 vite shkëputjeje të emigrantëve shqiptarë në USA me vendasit e tyre në Shqipëri.

Pjesë e këtyre “armiqve të Shqipërisë” cilësuar kështu nga sistemi i atëhershëm komunist i Shqipërisë janë edhe këto dy familje malësorësh, të cilët pohojnë se emigrimi i tyre ishte krejtësisht me motive politike dhe jo ekonomike. Dy atdhetarë të flaktë dhe sot dy miq për kokë Z.Mustafa Elezi Jahelezi dhe Z.Sejdi Hysenaj do të ndajnë me lexuesit e revistës “Votra” përjetimet e tyre të përbashkëta familjare.

91-vjeçari Mustafë Elezi, me emocion flet për “Vitet larg Atdheut”. Si lindi miqësia mes jush zoti Mustafë, duke marrë parasysh faktin se fëmijët janë rritur këtu me një tjetër mendësi?

“Lulja duhet ujitur çdo ditë që të rritet”. Unë dhe bashkëshortja ime, megjithëse mbërritëm me 1968 në USA, së bashku me fëmijët tanë, të cilët duhej t’i mbanim e për këtë duhet të punonim fort të dy, asnjëherë nuk e kemi lënë pas dore mësimin e gjuhës shqipe për ta, zakonet dhe kulturën e nuk ishte e vështirë që martesa të ishte me baza krejtësisht shqiptare. Ne na bashkoi atdhedashuria. Emrat e mbesave dhe të nipërve janë shqiptarë dhe ne me ta flasim shqip, sepse çështja kombëtare për mua ka qenë edhe më parësore shpesh edhe se familja.

Me të njëjtën frymë janë edukuar dhe rritur edhe fëmijët e familjes Hysenaj pohon z.Sejdi, duke theksuar se mes gjithë vuajtjeve dhe sakrificave për mbijetesë, kultura, gjuha dhe zakonet shqiptare kanë qenë baza e formimit të fëmijëve të tyre teushqyera nga ai dhe nga bashkeshortja e tij, znj.Jackie. Z.Hysenaj nuk lë pa kritikuar familjet shqiptare, të cilat nuk ua mësojnë fëmijëve të tyre gjuhën shqipe, gjuhën mëmë.

Nga ana tjetër, Kontributi i zotit Mustafë Elezi nuk është vetëm financiar, por edhe kulturor, sot 91-vjeçari nga Tropoja është botues i dy librave “Autobiografi”, si dhe “Malësisë së Gjakovës” , botime këto të cilat kanë përmbajtje katërcipërisht atdhetare dhe jopolitike.

A kishit miq e shokë dhe si i ruajtët lidhjet me ta Z.Elezi? Kam ruajtur lidhjet vetëm me ata që u kanë shërbyer interesave kombëtare e pjesën tjetër jo. Kontributi fizik dhe financiar ka shkuar në drejtim të atdheut pa hezitim.

Cila ka qenë puna juaj e parë dhe kush ua ka gjetur këtu në Amerikë?

Ah, puna e parë (mes lotësh) sapo erdha këtu iu drejtova imam ISA Hoxhës, i cili më ndihmoi duke më punësuar pas 9 muajsh pa punë si larës i perdeve në një restorant më pas kam punuar portier derisa kam dalë në pension. U gëzova shumë …por ambientimi këtu ka qenë shumë i vështirë si çdo fillim ne nuk e dinim gjuhën, as rrugët, as asgjë, toka e huaj është e rëndë, por me vullnet dhe punë arrihet gjithçka.

Thellësisht i emocionuar dhe mes lotësh teksa kujton atë kohë baba Mustafë duke iu drejtuar rinisë shprehet se “atdheu nuk lëshohet për qejf…Ne na detyroi regjimi “ e ashtu siç regjimi na detyroi të merrnim rrugët e largëta të kurbetit ashtu u detyruam të bënim çdo lloj pune që na ofrohej, duke mos bërë asnjë fjalë, sepse fëmijët duan darkë në mbrëmje dhe nuk e dinin se ishin ende të vegjël se ku ishim dhe për çfarë qëllimesh, por një qëllim ishte thelbësor një jetë më e mirë për ne dhe për ta larg përndjekjes së sistemit politik …Gjetëm qetësi të madhe këtu në Amerikë, por zemra vajtonte për pjesën tjetër të familjes me të cilët u takova pas 35 vitesh.

Kush të priti dhe si u ndjeve kur u riktheve në Shqipëri?

Atë ditë nuk do ta harroj kurrë, në aeroport ishim vetëm ne shqiptarët që priteshim mes lotësh nga gjithë fisi, ndërsa shtetasit e tjerë humbitnin vetëm mes turmës. Janë emocione të papërshkrueshme që vijnë pas një sakrifice të madhe shumëvjeçare. Në ato çaste më është kujtuar koha e persekutimit kur ne pëshpëritnin në vesh “mos gabo me kajt sa të jenë komunistët” ka qenë ky sistemi që na dha burgun dhe na dha rrugët e botës, kjo ka qenë drama e jetës sime dhe pas 35 vitesh e kam parë vendin tim të shkatërruar ekonomikisht nga një sistem, i cili e kishte shndërruar në ushtar popullin e tij. E kam gjetur Shqipërinë më keq se ç’e kisha lënë, por kjo më bëri që me sa mundësi që kisha të jepja edhe unë ndihmën time në drejtim të veprave të mira që do të realizoheshin nga qeveria e 1994-s për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ashtu siç i ka hije një malësori me krenarinë dhe dinjitetin që e karakterizon për asnjë moment baba Mustafa nuk e hedh poshtë ndihmesën e bashkëshortes së tij znj. Mihane, e cila ka punuar 33 vjet duke kontribuuar në mirëqenien e familjes së saj, por duke mos harruar për asnjë çast të kryejë ashtu siç e kemi zakon ne shqiptarët edhe detyrat e gruas e nënës dhe një familjareje të devotshme për familjen, por edhe për miqtë dhe të afërmit, të cilët nuk ishin të paktë në vizitat e ndërsjella të familjeve shqiptare, ku miku zë vendin parësor në sofër.

Arritjen më të madhe të tij, babai i 3 djemve dhe dy vajzave, zoti Elezi e quan me modesti shkollimin e fëmijëve dhe nuk ua hedh poshtë mundimin e tyre që krahas studimeve kanë punuar që në vogëli për të ndihmuar familjen dhe për këtë thekson se ndihet i prekur..

Image
Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test