Xheladin Zeneli, një shqiptar për bashkinë e New Jersey-t - Bota Sot
Xheladin Zeneli, një shqiptar për bashkinë e New Jersey-t

Amerika

E martë, 13 nëntor 2018

Xheladin Zeneli, një shqiptar për bashkinë e New Jersey-t

Më: 2 tetor 2018 Në ora: 18:48
Xheladin Zeneli

Xheladin Zeneli, një shqiptar nga Ulqini i Malit të Zi, jeton prej kohësh në Amerikë duke kontribuar prej vitesh për komunitetin shqiptar dhe atë amerikan, do të kandidojë për Këshillin Bashkiak në New Jersey.

Ai ka hedhur kandidaturën e tij për këshillin bashkiak të komunës së Dumontit në Shtetin e New Jersey-t, në kuadër të zgjedhjeve që do të mbahen më 6 nëntor, ndaj shqiptari ka kërkuar mbështetjen e gjithë komunitetit shqiptar por jo vetëm.

“Ka disa kohë që jam matur për të dhënë kontributin tim në shërbimin publik në vendbanimin tim në SHBA, por arsyeja kryesore që deri më tani nuk e kam bërë një gjë të tillë ka qenë ajo, se gjatë 25 viteve të fundit, prioritet i angazhimit tim ka qenë aktiviteti në komunitetin tim shqiptar në New York. Vendimi im për t’u kandiduar për këshilltar i bashkisë (Komunës) në qytetin e vendbanimit tim, Dumont në New Jersey në zgjedhjet e 6 nëntorit të këtij viti, nuk vjen nga motive për karrierë politike, por thjeshtë për disa arsye të tjera”, – thotë kandidati shqiptar.

Ndër arsyet se pse ai ka zgjedhur të kandidojë, rendit edhe faktin se kërkon që shqiptarët të përfaqësohen edhe më shumë në politikën amerikane.

“Arsyeja tjetër e vendimit tim është se mendoj se pjesëtarët e komunitetit shqiptar duhet të inkuadrohen edhe më shumë në jetën shoqërore politike në vendbanimet ku ata gravitojnë në diasporë. Mark Gjonaj, këshilltari i parë shqiptarë në bashkinë e New York-ut, i cili pa dyshim se është bërë frymëzim për të gjithë ne, vazhdimisht në fjalimet e tij me pjesëtarët e komunitetit shqiptar, gjithnjë u bën apel atyre për një angazhim më të madh në procesin vendimmarrës në komunat apo bashkitë e vendbanimeve përkatëse me qëllim të faktorizimit të komunitetit shqiptar në diasporë. Kohë më parë u publikua lajmi se në Staten Island jetojnë rreth 24,000 shqiptarë apo 5% e popullsisë. Pyetja që na imponohet është se sa prej tyre, janë të inkuadruar si pjesë e procesit vendimmarrës në organet e qeverisjes lokale, pra pjesë e komunave apo bashkive përkatëse?” – shpjegon arsyet ai.

Pak të dhëna për bashkinë e Dumont-it dhe qeverisjen e saj lokale…

Dumont është një qytet në veri të shtetit të New Jersey-it, në rajonin Bergen (Bergen County), me një distancë mesatare prej qendrës së Manhhatan-it në NY prej 17 miljeve apo 27 km). Ka marrë statusin e bashkisë në vitin 1894, kurse emrin nga kryetari i parë i kësaj bashkie, Dumont Clarke. Sipas regjistrimit të fundit të vitit 2010, bashkia e qytetit të Dumont-it ka rreth 17,500 banorë. Struktura demografike është sa vijon: të bardhë 75.91%, hispanikë apo latinë 14.76%, afro-amerikanë 0.18% dhe të racave të tjera 9.31%. Aty jeton edhe një numër i vogël i shqiptarëve, për të cilët nuk kemi të dhëna konkrete, por që me votën e tyre edhe mund të ndikojnë në zgjedhjet e nëntorit.

Organi i qeverisjes lokale të bashkisë apo komunës së Dumont-it përbëhet nga kryetari i komunës dhe këshilli bashkiak i cili ka vetëm 6 këshilltarë, pozita këto të cilat zgjidhen drejtpërsëdrejti nga votuesit në baza partiake në zgjedhjet e përgjithshme në muajin nëntor.

Kryebashkiaku zgjidhet me mandat katërvjeçar, kurse këshilltarët me mandat trevjeçar. Bashkia ka sistemin e qeverisjes lokale i cili praktikohet në një përqindje të madhe në shtetin e New Jersey-it sipas së cilit fuqinë ekzekutive e posedon këshilli dhe jo kryetari i bashkisë. Pra, organin legjislativ e përbëjnë 6 këshilltarët në mbledhjet e të cilëve kryeson kryebashkiaku, por i cili voton vetëm në rastin nëse votat e këshilltarëve janë të ndara përgjysmë. /ATSH

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test