Zonat e kalimit kufitar Kulla dhe Çakorri, në Planin Hapësinor të Kosovës trajtohen si zona me interes të veçantë

Analiza

Zonat e kalimit kufitar Kulla dhe Çakorri, në Planin Hapësinor të Kosovës trajtohen si zona me interes të veçantë

Nga: Burbuqe Bakija-Deva Më: 17 gusht 2016 Në ora: 15:30
Ilustrim

Keqinterpretimi i planeve hapësinore nga ana e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, nuk janë asgjë tjetër përveç se një tendencë e radhës për mashtrimin e qytetarëve të Kosovës. Komisioni Shtetëror, me qëllim të arsyetimit të gabimeve të veta përmes deklaratave të fundit, kanë kaluar kompetencat e tyre profesionale duke përdorur dhe keqinterpretuar edhe dokumentet e planifikimit hapësinor, për të cilat nuk kanë logjikë se si funksionojnë ato.

Për më tepër, si në Planin Hapësinor të Kosovës, po ashtu edhe në Planin Zhvillimor Komunal të Pejës, është trajtuar edhe hapësira territoriale, të cilën ky komision tenton t’ia falë Malit të Zi. Ndiej obligim që t’i sqaroj Komisionit, që dokumentet e Planifikimit Hapësinor nuk konsiderohen bazë për shënimin e vijave kufitare, por qëllim kryesor kanë organizimin, rregullimin dhe zhvillimin hapësinor të një territori të caktuar. Për përpilimin e këtyre dokumenteve, pikënisje është vija kufizuese e territorit, e cila merret nga institucioni kompetent; Agjensioni Kadastral i Kosovës, kryeshef  i së cilës është z.Murat Meha, i cili për habi është edhe Kryetar i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.

Plani Hapësinor i Kosovës(PHK) apo Strategjia e Zhvillimit Hapësinor 2010–2020+, aprovuar nga Qeveria e Kosovës dhe miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 2011, është Dokument strategjik i nivelit Qendror në të cilin është përshkruar zhvillimi i ardhshëm hapësinor i Kosovës.
Në PHK, hapësira e Kosovës është e organizuar sipas konceptit Nodal në shtatë rajone: Prishtina, Mitrovica, Peja, Gjakova, Prizreni, Ferizaji dhe Gjilani, të strukturuara në katër zona konceptuale që janë:

-  Thesari i Kosovës (Hapësira e gjelbër)

-  Porti i Kosovës (Hapësira e kaltër)

-  Urat e Kosovës (Hapësirat e verdha)

- Kopshtet e Kosovës (Hapësirat e portokallta)

Aq më shumë, ky Plan ka analizuar ndërveprimet e objektivave dhe veprimeve sektoriale dhe ka nxjerrë prioritete strategjike për Kosovën, ato konfliktuoze dhe sinergjike. PHK, në pikën 3.2.7.6. paraqet Kopshtin e Kosovës në të cilën zonë bën pjesë edhe Komuna e Pejës, (faqe 153)
Ndërsa në pikën 3.2.7.6.4. potencohen  Zonat Hapësinore  me interes të veçantë për Kosovën, ku pikat kufitare Kulla dhe Çakorri potencohen si zonë e parë me interes të veçantë (faqe 155):

• Zonat e kalimit kufitar (Kulla, Çakorr),

• Parku Nacional (Bjeshkët e Nemuna),

• Mbrojtja e trashëgimisë kulturo-historike (Patriarkana e Pejës, Manastiri i Deçanit, Kullat Shqiptare)

• Mbrojtja e ujërave (Drini Bardhë, Lumëbardhi i Pejës), ujërat termalë.( faqe 155)

Po ashtu edhe Plani Zhvillimor Komunal(PZHK) i Pejës 2006-2025 si dokument i planifikimit Lokal, i trajton edhe Pikat Kufitare Kullë dhe Çakorr si në vijim:

Tek renditja e prioritete strategjike në PZHK, si prioritet i dytë është renditur - “Avancimi i lidhjes përmes Çakorrit në lidhje kryesore rrugore me Malin e Zi“(faqe 82).

- Tek prioritetet infrastrukturore- “Rëndësi të veçantë do të ketë edhe rruga Pejë–Çakorr-Podgoricë e cila do të lidhë Pejën me fshatrat tjera matanë kufirit dhe kyçjen në korridorin e Adriatikut si dhe dalja në det”, (faqe 64).

Tek Organizimi i Implementimit- Autoritetet komunale duhet të kyçen në vendosjen e kufijve ekzakt për zonat me interes të veçantë. Zonat hapësinore me interes te veçantë për Kosovën janë: Zona e kalimit kufitar (Kullë, Çakorr) Parku nacional (Bjeshkët e Nemuna) Mbrojtja e trashëgimisë Kulturo–Historike (Patrikana e Pejës, Kullat Shqiptare), Mbrojtja e ujërave (Drini i Bardhë, Lumëbardhi i Pejës) dhe ujërat termal, (faqe 97).

Përveç këtyre prioriteteve, përmes PZHK,  komuna e Pejës ka drejtuar kërkesën MTPT-së që të analizojë dhe shqyrtojë mundësinë e përmirësimit të lidhjes rrugore në mes Pejës dhe Malit të Zi (drejtimi i Podgoricës) nëpërmjet Çakorrit.( faqe 82

Bazuar në këto gjetje, njoftoj Komisionin se Çakorri dhe Kulla nuk janë lënë jashtë planeve hapësinore, por këto zona janë të trajtuara dhe atë si prioritete strategjike, si në PZHK të Pejës, ashtu edhe në Planin Hapësinor të Kosovës të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Autorja është anëtare e Kryesisë së AAK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat