Serbia nuk është vend për konkurrencë ushtarake miqësore

Analiza

Serbia nuk është vend për konkurrencë ushtarake miqësore

Nga: Allison Fedirka, Geopolitical Futures Më: 25 tetor 2017 Në ora: 18:19
Blerja e armëve të Serbisë nga Rusia kërcënon monopolin e sigurisë të NATO-s. Edhe vetëm prania e raketave, do ta rriste ndjeshëm koston e një ndërhyrjeje tjetër në Serbi.

Nuk ka asgjë të pazakontë që zyrtarët serbë dhe rusë përkujtojnë Ditën e Çlirimit të Beogradit së bashku. Në fund të fundit, është përvjetori i çlirimit të kryeqytetit në vitin 1944 nga ushtria gjermane, një ngjarje e ndihmuar jo pak nga Ushtria e Kuqe. Por mënyra e fillimit të ceremonisë së këtij viti ishte e çuditshme: Rusia i kishte shitur avionë luftarakë MiG-29 Serbisë, dhe Moska po mendon shitjen e sistemeve anti-raketë, ndoshta Buk-M1, Buk-M2 dhe / ose Pantsir-S2.

Është e kuptueshme pse Serbia do t’i donte këto armë. Sulmet ajrore të NATO-s në vitin 1999 konfirmuan në mendjet e oficerëve serbë, nevojën për një sistem modern të mbrojtjes ajrore. Dhe qoftë edhe fakti që blerja e tyre është duke u diskutuar, tregon se përpjekjet serbe për ta patur një sistem të tillë po shtohen. Por, meqenëse Serbia është një vend në të cilin fuqitë e huaja konkurrojnë për influencë, blerja e armëve të reja nuk është çështje thjesht e brendshme.

Një Monopol i Sigurisë

Serbia ndodhet në zemër të Gadishullit Ballkanik, udhëkryq i interesave evropiane, ruse dhe turke, vendi ku u hodhën themelet për Luftën e Parë Botërore. Vendndodhja e saj i jep një sasi të madhe ndikimi dhe i mundëson qeverisë në pushtet, që të flirtojë strategjikisht me të gjitha fuqitë rajonale, në një përpjekje për të çuar përpara interesat e saj kombëtare. Për shembull, ajo ka rënë dakord për një “road map” drejt BE-së, për të rritur bashkëpunimin rajonal ekonomik në Ballkan, edhe pse tashmë është anëtare e një zone të tregtisë së lirë me Rusinë. (Që nga rënia ekonomike e Rusisë në vitin 2015, Serbia ka bërë më shumë tratativa me anëtarët e BE, dhe me vendet nënshkruese të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.) Disa vende – veçanërisht Turqia, e cila ka lidhje historike me rajonin – janë të interesuara që të investojnë në Serbi, dhe Serbia është e lumtur të marrë paratë e tyre, e etur siç është për të zgjeruar ekonominë e saj, nëpërmjet investimeve të huaja.

Ndonëse mund të ketë hapësirë ??për konkurrencë ekonomike miqësore në Serbi, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për çështjet e mbrojtjes. Përmirësimi i marrëdhënieve Serbi-Rusi në këtë drejtim, është veçanërisht problematik për NATO-n, e cila veproi kundër Serbisë në luftën e kësaj të fundit kundër Kosovës, në vitet 1990. (NATO nuk mori pjesë në konflikte të tjera që lindën nga shpërbërja e Jugosllavisë, por mori pjesë në këtë konflikt, sepse i konsideronte si gjenocid veprimet e Beogradit.) Ky ishte një moment historik: Ishte ndërhyrja e parë e Perëndimit pas Luftës së Ftohtë, për të siguruar Evropën, pa mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe ishte një ndërhyrje e suksesshme. U larguan forcat ushtarake serbe nga Kosova, u krijua një forcë paqeruajtëse, u lehtësua kthimin e refugjatëve dhe u krijua një kornizë politike për pavarësinë e Kosovës. Që nga ajo kohë Perëndimi, përmes NATO-s, ka qenë fuqia dominuese politike në Ballkan.

Blerja e armëve të Serbisë nga Rusia kërcënon monopolin e sigurisë të NATO-s. Edhe vetëm prania e raketave, do ta rriste ndjeshëm koston e një ndërhyrjeje tjetër në Serbi.

Dhe është në përputhje me iniciativat e fundit për të forcuar ushtrinë e saj – iniciativa që një vend si Serbia, e cila është pushtuar kaq shumë herë gjatë historisë, i konsideron kritike. Për këtë qëllim, ajo tashmë ka filluar të prodhojë dhe të forcojë mjetet e veta ushtarake. Ajo njoftoi në fund të vitit të kaluar se do të vazhdonte lidhjet e forta ushtarake me Rusinë dhe do të blinte avionë luftarakë, raketa tokë-ajër deri te ajri dhe automjete të blinduara. Gjithashtu, ka premtuar të përmirësojë lidhjet me Bjellorusinë, nga e cila pritet që Beogradi të blejë sistemin S-300 dhe shtatë MiG-29 në nëntor.

Një pikëmbështetje e re

Për Rusinë, shitja e armëve është një burim i mirëfilltë të ardhurash, por transaksioni i raketave ka të bëjë, më shumë se me paratë: Ai lidhet me shtimin e një elementi ushtarak, në praninë kulturore dhe ekonomike që tashmë Rusia e ka në Ballkan.

Rusia ka mbajtur prej kohësh lidhje me Serbinë, një shtet me rëndësi strategjike që ka mbrojtur Rusinë nga fuqitë si perandoria austro-hungareze dhe ajo otomane. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Moska nuk ishte në gjendje të projektonte fuqinë e saj, sepse ishte ekonomikisht e dobët dhe globalisht e parëndësishme, për ta ndihmuar Serbinë si dikur. Kur lufta shpërtheu në gadishull në vitet 1990, Rusia nuk ishte në gjendje të ndërhynte në emër të Serbisë, ose të kundërshtonte ndërhyrjen e NATO-s. Përfshirja e saj ishte kryesisht me mbështetje politike dhe ekonomike. Ajo mbështeti qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës dhe kompania shtetërore e naftës, Gazprom, investoi në kompani të cilat kontribuojnë në buxhetin e Serbisë.

Presidenti rus, Vladimir Putin kandidoi pjesërisht me një platformë premtimesh për të rikthyer forcën ruse. Ashtu si shumëkush në qeverinë e tanishme, ai kujtonte atëherë, se sa i pafuqishëm ishte vendi i tij. Nuk është për t’u çuditur, pra, që gjatë kohës së qëndrimit të tij në detyrë, marrëdhëniet me Serbinë janë përmirësuar në mënyrë dramatike. Marrëdhënia i mundëson Rusisë të rifitojë terren, në një rajon që për vite me radhë është dominuar nga Perëndimi. (Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina janë gjithashtu vende jo-anëtarë të NATO-s, të cilave Rusia mund t’u vardiset.)

Fakti që Serbia është një arenë për një konkurencë të tillë, e ka inkurajuar atë të luajë me të dyja palët, duke ndjekur shanset që i shkojnë më për shtat interesave të saj. Ajo diskuton blerje armësh prej Rusisë, është pjesë e Partneritetit për Paqe dhe punon me NATO-n për misione specifike, bisedon me Turqinë dhe madje ngre mundësinë e vendosjes së bashkëpunimit për mbrojtjen, me Bosnjën. Kjo lloj sjelljeje është racionale, por e vështirëson përcaktimin e qëllimeve të saj afatgjata. Ndërkohë, armët e reja që blejnë do të ndihmojnë në parandalimin e sulmeve, nga ata që do ta përdornin Serbinë për qëllimet e tyre. / Geopolitical Futures – Bota.al

Image
Hartë që tregon vendet që ishin pjesë e Ish-Jugosllavisë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat