Ç’të bëjnë gazetarët kur u kërkojnë shefat lajme propagande?

Analiza

Ç’të bëjnë gazetarët kur u kërkojnë shefat lajme propagande?

Nga: Steven Greenhouse Më: 4 prill 2018 Në ora: 15:35
Foto ilustrim

Grupi mediatik “Sinclair Broadcast Group” është qortuar kohët e fundit për shkak të një urdhri të pazakontë që u është dhënë folësve të lajmeve në televizionet e tyre lokale: u është kërkuar të lexojnë deklarata që u bëjnë jehonë akuzave të presidentit Donald Trump ndaj mediave. Përfytyroni pak se në ç’krizë ndërgjegjeje do të jenë ndier ata folës lajmesh, pasi janë urdhëruar të bëhen papagaj të deklaratave që shumë persona i kanë parë si sajesa.

Si shumë të tjerë, edhe këta kanë vite që përpiqen të ngrenë një reputacion si gazetarë me integritet dhe besnikë ndaj së vërtetës. “Sinclair”, kompania që zotëron më shumë televizione lokale në të gjithë Amerikën, u kërkon të lexojnë tekste të paracaktuara, si: “disa media botojnë të njëjtat lajme të rreme, pa kontrolluar faktet”, ose “disa media përdorin platformat e tyre për të promovuar pikëpamje personale e të njëanshme , për të kontrolluar atë që mendojnë njerëzit”.

Folës i një televizioni lokal i tha gazetarit të CNN, Brian Stelter se ishte ndier “…si një i burgosur lufte që regjistronte një mesazh”, ndërsa një tjetër i tha se “Të gjithë te televizioni vihen në siklet kur e bëjnë këtë.”

Është e vështirë të mos ndiesh keqardhje. Pa dyshim, shumë prej tyre ndihen në kurth. Nëse refuzojnë, mund të pushohen nga puna.

Urdhrat e “Sinclair” po i bëjnë kushtet e punës të padurueshme për këta folës lajmesh. Në SHBA, kur punëdhënësi i bën kushtet e punës të padurueshme, punëmarrësit kanë një zgjidhje: të formojnë një sindikatë e të kërkojë mbrojtje nëpërmjet kontratave.

Nëse folësit e lajmeve të “Sinclair” krijojnë një sindikatë me gazetarë të tjerë, mund të kërkojnë kushte kontrate që të refuzojnë leximin e deklaratave të parashkruara, nëse kanë arsye të besojnë se janë propagandë e rreme. Një paragraf i tillë në kontratë mund të quhet “paragrafi i ndërgjegjes, për të mbrojtur reputacionin, të vërtetën dhe integritetin”.

“Sinclair” zotëron 173 televizione lokale në të gjithë Amerikën (shumica e tyre janë të lidhura me CNN, që do të thotë se CNN ndan materiale dhe burime me ata, dhe anasjelltas), dhe disa folës lajmesh nga qytetet më të mëdha kanë krijuar sindikata, si SAG-AFTRA. Zyrtarët e kësaj sindikate thanë se disa kontrata kanë paragrafë për integritetin e gazetarëve, por asgjë që t’i mbrojë nga kërkesa që bën “Sinclair”: të lexojnë propagandë. Drejtuesit e lajmeve në Amerikë janë përballur rrallëherë me kërkesa të tilla.

Menaxherët e “Sinclair” mund ta kundërshtojnë një masë të tillë në kontratë, por gazetarët dhe folësit mund të kenë një argument të fortë:  ruajtjen e reputacionit dhe integritetit profesional, dhe faktin që organizatat e lajmeve duhet t’i përkushtohen të vërtetës. Për këtë arsye nuk duhen detyruar të lexojnë gjëra që mendojnë se janë lajme të rreme apo propagandë politike.

Nëse “Sinclair” ka si qëllim të japë deklarata të tilla propagande, atëherë le të dalin menaxherët e t’i lexojnë vetë në lajme, në vend që të detyrojnë folësit, të cilëve u dëmtojnë vlerën më të madhe të një gazetari, reputacionin për integritet dhe saktësi të lajmit.

Disa kanë thënë që këta folës lajmesh duhej të kishin dhënë dorëheqjen, në vend që të bindeshin e të lexonin diçka që e besojnë si propagandë dhe që njollos gazetarët në përgjithësi. Por s’është e lehtë të japin dorëheqje. Sipas kontratave me “Sinclair”, gazetarët që japin dorëheqjen humbasin edhe 20% të pagës vjetore.

Kohët e fundit janë krijuar disa sindikata mes mediave dixhitale si “Huffington Post”, “Slate”, “Salon”, “Vox”, “Vice”, “Mic”, “ThinkProgress”, etj. Ka sindikatë edhe te “The Onion”. Në shumë prej kontratave, të punësuarit kanë këmbëngulur për ato që mund të quhen “paragrafë të integritetit gazetaresk”. Disa paragrafë thonë që gazetarëve nuk mund t’u kërkohet të shkruajnë artikuj të diktuar nga kompania punëdhënëse apo nga kompanitë që u ofrojnë reklamat. Disa paragrafë të tjerë kërkojnë që të caktohen kufij shumë të qartë midis reklamave në formë lajmi dhe artikujve të përgatitur nga stafi.

Nëse nuk krijojnë dot një sindikatë, folësit e lajmeve të “Sinclair” mund të kenë një mënyrë tjetër për të refuzuar lajmet që u duken të rreme. Ta zëmë se 20 folës nga 10 qytete të ndryshme pranojnë të refuzojnë materiale që u duken të rreme. Nëse dy ose tre prej tyre pushohen nga puna, mund të marrin mbrojtje ligjore nga ligji federal.

Ligji Kombëtar i Marrëdhënieve të Punës i mbron punonjësit nga shkarkimi apo nga masa të tjera ndëshkuese si pasojë e angazhimit në veprimtari të organizuara, nëpërmjet të cilave kërkojnë t’u përmirësohen kushtet e punës. Po të refuzojnë bashkërisht t’i lexojnë deklaratat e rreme, është mënyrë për të kërkuar përmirësim të kushteve të punës.

Sigurisht që “Sinclair” do ta quante të arsyeshme dhe të ligjshme shkarkimin nga detyra të kujtdo që refuzon të lexojë një deklaratë të kompanisë, dhe do ta quanin atë sjellje “mosbindje në detyrë”, e cila përjashton mbrojtjen nga ligji federal. Diskutimi nëse këto shkarkime janë të paligjshme apo jo mund të përfundojë në “Bordin Kombëtar të Marrëdhënieve në Punë” ose në gjykata.

Kjo do të pasohej nga një betejë e gjatë ligjore, dhe kompanisë “Sinclair” mund t’i leverdisë më shumë t’i shmangë këto beteja (dhe reklama të pakëndshme) për pushimin nga puna të folësve të respektuar të lajmeve, të cilët duan vetëm të ruajnë reputacionin dhe integritetin profesional, për veten dhe për televizionet ku punojnë./ CNN

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat