Largimi i Ozil nxjerr në pah marrëdhëniet gjermane me komunitetin turk

Analiza

Largimi i Ozil nxjerr në pah marrëdhëniet gjermane me komunitetin turk

Nga: Thomas Escritt / Michelle Martin Më: 23 korrik 2018 Në ora: 20:48
Mesut Ozil

Vendimi i futbollistit gjerman Mesut Ozil për të lënë ekipin kombëtar gjerman, për shkak të “racizmit dhe mosrespektimit” ndaj origjinës së tij turke, shkaktoi të hënën një debat publik për marrëdhëniet e vendit me komunitetin më të madh të emigrantëve.

Politikani më i shquar gjerman ,me origjinë turke, tha se do të ishte e vështirë për kreun e Federatës Gjermane të futbollit që të qëndronte në atë pozicion, duke shtuar se largimi i Ozilit do të mirëpritej nga ata që kundërshtonin diversitetin.

Njoftimi i Ozil për rrjetet sociale mbrëmjen e të dielës bëri që mediat të pasqyronin në faqet e tyre të para lajmin për mesfushorin 29-vjeçar, një anëtar kyç i skuadrës gjermane që fitoi Kupën e Botës në 2014-ën dhe gjithashtu i asaj të eliminuar në fazën e grupeve të Rusi 2018.

Lojtari që përfundoi mes një vale kritikash për fotografinë e tij me presidentin autoritar të Turqisë, Tayyip Erdogan në maj, u sulmua në mënyrë të veçantë nga kritikat e kreut të Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Reinhard Grindel, i cili tha se “Ozil ishet fajtori kryesor i eliminimit të Gjermanisë”.

Cem Ozdemir, ish-kreu i partisë Greens dhe politikani më i shquar gjerman me prejardhje turke, tha se do të ishte e vështirë për Grindelin të mbante punën e tij në të ardhmen, duke pasur parasysh realitetin e ndryshëm të Gjermanisë dhe ekipit të saj të futbollit.

“Do të jetë shumë e vështirë për Grindelin pas kësaj. Ai nuk pasqyron gjerësinë e futbollit në Gjermani dhe kështu do të jetë e vështirë për turqit gjermanë ose për kroatët gjermanë, të ndiejnë se DFB është e tyre”. tha Ozdemir.

Gokay Sofuoglu, kreu i komunitetit turk në Gjermani, kërkoi që Grindel të japë dorëheqjen duke shtuar: “Shumëllojshmëria në ekipin kombëtar ishte një projekt i madh në shfaqje, që tani është në rrezik të dështimit për shkak të liderëve të paaftë”.

Ish-presidenti i DFB Theo Zëanziger u citua në mediat gjermane të thoshte se DFB nuk kishte bërë mjaftueshëm për të zgjidhur konfliktet që dominonin në skuadër, përpara nisjes së Kupës së Botës.

“Gabimet e komunikimit nënkuptojnë diçka që nuk duhet të ndodhë kurrë me emigrantët: Ata kurrë nuk duhet të ndihen si gjermanët e klasës së dytë”, tha ai, duke shtuar: “Dorëheqja e Ozilit është një pengesë e madhe për përpjekjet e integrimit përtej futbollit në vendin tonë”.

DFB tha se ndjente keqardhje për largimin e Ozil, por kundërshtoi akuzat e tij për racizëm, duke thënë se për vite me rradhë ka ndihmuar në integrimin e njerëzve me prejardhje nga emigrantët dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.

Një zëdhënëse e kancelares Angela Merkel tha të hënën se shumica e rreth tre milionë njerëzve me rrënjë turke, që jetojnë në Gjermani, ishin të integruar mirë.

Ajo tha se Gjermania ishte një “vend kozmopolit”, ku njerëzit me prejardhje nga emigrantët ishin të mirëpritur dhe se sporti luajti një rol të madh në integrimin e tyre. Merkel vlerësoi Ozilin si një futbollist “të madh”.

Marrë nga “reuters.com”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat