Drejtori Artistik i Operas sllovene, Rocc: Rashë në dashuri menjëherë me vendin dhe kulturën shqiptare

Art

Drejtori Artistik i Operas sllovene, Rocc: Rashë në dashuri menjëherë me vendin dhe kulturën shqiptare

Më: 6 dhjetor 2016 Në ora: 11:18
Ilustrim

Pjesëmarrja në jurinë ndërkombëtare të Festivalit Operistik “Maria Kraja” ishte kontakti i tij i parë me Shqipërinë, por për Drejtorin Artistik të Operas Kombëtare të Sllovenisë, Rocc kaq mjaftoi që “të binte në dashuri menjëherë me vendin dhe kulturën shqiptare”.

Në një intervistë ekskluzive për ATSH-në, Rocc shprehet se tingëllimi dhe muzikaliteti i gjuhës shqipe është më i veçanti. “Unë vetë vij nga një vend i vogël dhe e ndiej veten si në shtëpinë time, kur jetoj brenda kulturës së një vendi tjetër të vogël. Vetëm së bashku mund ta tregojmë rëndësinë tonë, përkrah shteteve më të mëdhenj”, shprehet ai.

“Pa diskutim që do të gjej shumë shpejt një arsye pse të rikthehem për vizitë në vendin tuaj jashtëzakonisht të bukur”, shprehet Rocc, ndërsa thekson se “ka nevojë ta eksploroj më shumë dhe të mësoj më shumë për Shqipërinë”.

Më poshtë intervista e plotë për ATSH-në e Drejtorit Artistik të Operas Kombëtare të Sllovenisë, Rocc:

Si ndihet një artist i shquar slloven si anëtar i një jurie ndërkombëtare në Shqipëri?

Në pranverën e vitit 2016, pata privilegjin të takoja znj. Zana Çela në Amsterdam dhe ishte ajo që më ftoi të isha pjesë e jurisë ndërkombëtare të edicionit të 16-të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Operistike “Maria Kraja” në Tiranë. Kisha dëgjuar që më parë për këtë festival dhe konkurs operistik tejet të veçantë, si edhe për cilësinë e kandidaturave për të marrë pjesë në të. Kështu që ishte një nder i madh për mua që të isha pjesë e një eventi fantastik, falë znj. Zana Cela.

A e keni të vështirë të organizoheni mes detyrime të jetës së përditshme dhe atyre profesionale në Slloveni dhe jashtë saj?

Për të qenë i sinqertë nuk mund ta ndaj dot jetën profesionale nga ajo personale, është thjesht e pamundur… E dashuroj operan, muzikën dhe teatrin dhe nuk mund t’i konsideroj si punën time. Është një luks i vërtetë ta jetosh jetën duke kryer aktivitete që të ngjallin pasion. Përvec kësaj, unë i dua shumë edhe udhëtimet dhe gjithçka kombinohet si një ëndërr e mrekullueshme. Pa diskutim, që ëndrrat duhet të “planifikohen” mirë dhe në kohën e duhur, pasi nevojiten mjetet logjistike. Por nëse dikush dëshiron diçka, çdo gjç është e realizueshme.

Cila është ajo pjesë artistike që keni krijuar dhe që e dëshironi më shumë? Pse?

Kjo është një pyetje shumë e vështirë pasi çdo vepër artistike, në një farë mënyre, është si “fëmijë”. Nuk mund të them që këtë fëmijë e dua më shumë se këtë tjetrin. Por, nëse do të me duhej të zgjidhja një produksion ku e kam shprehur vetveten më të plotë, mendoj se do të ishte vënia në skenë e Pelleas et Melisande nga Claude Debussy në Teatrin Kombëtar të Pragës, në vitin 2012. Thjesht… e dashuroj këtë opera.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me shqiptarët?

Vizita ime në Tiranë në kuadër të Festivalit ‘Maria Kraja’ ka qenë në fakt kontakti im i parë me Shqipërinë dhe shqiptarët. Rashë në dashuri me vendin dhe kulturën shqiptare menjëherë. Për mua, tingëllimi dhe muzikaliteti i gjuhës shqipe është më i veçanti! Unë vetë vij nga një vend i vogël dhe e ndiej veten si në shtëpinë time, kur jetoj brenda kulturës së një vendi tjetër të vogël. Vetëm së bashku mund ta tregojmë rëndësinë tonë, përkrah shteteve më të mëdhenj.

Kur do të riktheheni në Shqipëri?

Shpresoj shumë shpejt. Pa diskutim që do të gjej shumë shpejt një arsye pse të rikthehem për vizitë në vendin tuaj jashtëzakonisht të bukur. E ndiej që kam nevojë ta eksploroj më shumë dhe të mësoj më shumë për Shqipërinë. Të jeni të sigurt që do të shihemi së shpejti.

Profil/ Kusht është Rocc

Drejtori artistik i Operas Kombëtare sllovene, skenograf, dramaturg dhe artist shumëdimensional, Rocc ka studiuar për drejtimin artistik të muzikës operistike në Akademinë e Muzikës dhe arteve performuese Janá?ek, në  Brno. Ai jeton midis Lubjanës dhe Pragës. Më pas, ai ndoqi studimet pasuniversitare për skenografi në Universitetin e Arteve dhe Skenografisë në Zyrih. Emrin e tij të artit, ‘Rocc’ e ka zgjedhur për të nderuar profesoreshë Marie Mrázková, e cila ka qenë pedagoge e Rocc e artit skenik dhe udhëheqësja e tij e vërtetë.

Deri në moshën 35 vjeçare, Rocc ka ngjitur në skenë dhe ka përgatitur skenografinë për më shumë se 30 opera të Teatrove Kombëtare në Pragë, Brno, Ostrava, Lubjana, Riga, Opera Bergen në Norvegji dhe një numër të konsiderueshëm festivalesh ndërkombëtare. Vepra e tij në teatrin e muzikës moderne kombinohet me arte alternative si: instalacione, projeksione skenike, projekte mediatike, etj.

Që nga viti 2013, Rocc ka qenë iniciatori dhe Drejtori Artistik i “opera povera”, një ansambël që bazohet në estetikën moderne muzikë-teatër. Në sezonin 2007-2008, Rocc u shqua në pozicionin e tij si dramaturg në Operan Kombëtare Sllovene në Maribor, ndërsa gjatë sezonit 2008-2009, ai ishte zëvendës drejtori artistik dhe dramaturg në Janá?ek Opera të Teatrit Kombëtar të Brno, si dhe në 2009-2011 Drejtori Artistik i kësaj të fundit.

Në vitet 2011-2013, Rocc do të mbante postin e Drejtorit Artistik të Operas Shtetërore të Pragës, e cila që nga viti 2012, ka qenë filial i Operas Kombëtare të Pragës. Në nëntor të vitit 2013, artisti i jashtëzakonshëm dhe pedagogu, Rocc, do të rikthehej në vendin e lindjes, Lubjanë, tashmë si Drejtori Artistik i Operas Kombëtare sllovene.

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat