“Tintin në Amerikë”, gati për në ankand

Art

“Tintin në Amerikë”, gati për në ankand

Më: 16 mars 2017 Në ora: 21:08
Ilustrim

Një vizatim i rrallë “Tintin” i karikaturistit belg Herge, për botimin “Tintin in America”, pritet të dalë shumë shpejt në ankand në Paris, ku përllogaritet të arrijë shifrën prej 600-700 mijë eurosh.

Pas shitjes së papritur në shifra rekord të një vizatimeve të librit origjinal komik “Tintin” nëntorin e vitit të kaluar, që arriti deri në 1.55 milionë euro, shtëpia pariziene e ankandeve “Artcurial” do të nxjerrë në shitje edhe vizatimin e veçantë më 8 prill. Vizatimi bardhezi është krijuar në vitin 1937 duke përdorur bojë shkrimi indiane.

Në të shfaqet personazhi “Tintin” pranë një taksie, në ndjekje të një batakçiu në rrugët e Chicagos, si dhe shoqërohet nga një ilustrim identik por këtë herë me ngjyra.

Të tilla vizatime janë shumë të rralla dhe vështirë të gjenden në treg. Për kohën kur janë bërë, këto skica përbënin një inovacion, ndërsa Herge ngurronte të përdorte ngjyrat në vizatimet e tij, sepse i frikësohej humbjes së tiparit dallues apo markës.

Vizatimi i nxjerrë në ankand është një prej imazheve më emblematike të “Aventurave të Tintin”, ku një reporter i ri eksploron botën në atë që duket si paraqitje origjinale e jetës së shekullit të XX.

Eksperti Eric Leroy thotë se gjatë asaj periudhe, Amerika shihej nga të rinjtë si toka e premtuar.

“Tintini jeni ju, është ai, është kushdo. Kështu bëhemi pjesë e një botimi dhe udhëtojmë përmes këtij personazhi neutral”, ka thënë Leroy.

Çmimi i arteve vizatimore është shumëfishuar me mbi 10 herë gjatë dekadës së fundit, të paktën siç thonë specialistët, duke qenë se në vitin 2012 vetëm kopertina e “Tintin in America” u shit për 1.3 milionë euro.

Herge kishte shitur rreth 230 milionë libra “Tintin” deri në momentin e vdekjes së tij në vitin 1983.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat