Rikthehet Izmir Smajlaj

Atletika

Rikthehet Izmir Smajlaj

Më: 26 janar 2024 Në ora: 16:42
Foto ilustrim

Kampionati Kombëtar dimëror është aktiviteti që ka ngritur siparin e veprimtarive kombëtare për vitin 2024. Jo vetëm Luiza Gega e Franko Burraj, por dhe Izmir Smajlaj, që shënon rikthimin e tij pas një viti të vështirë mes dëmtimit e dënimit për një rezultat të falsifikuar nga të tjerë. Dhe këtë rikthim, Smajlaj e komenton për RTSH në këtë mënyrë.

"Unë në shkurt nisem për një fazë përgatitore në Paris me rekordmenin e madh të Europës, Robert Emian.

Do të stërvitem me të dhe për këtë gjë dua të falënderoj Federatëm Shqiptare të Atletikës për të gjithë suportin dhe mbështetjen që ata më kanë dhënë gjatë gjithë kësaj kohe. Por mbi të gjitha dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar", thotë Izmir Smajlaj.  

Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi, ka treguar dhe objektivat e “Mbretëreshës” së sporteve për këtë vit, ndërsa jemi në vitin e Lojërave Olimpike “Paris 2024”.

"Besoj se do të kemi një performancë shumë të mirë.

Sigurisht që kemi një kohë shumë të mirë në Elbasan për këto gara të para.

Për herë të parë Federata Shqiptare e Atletikës ka matje elektronike në gara me fotofinish. Kështu që nuk do të kemi më kontestime.

Unë deri dje kam qenë trajner, ndërsa kjo pjesë e jona e trajnerëve nuk do të ketë më kontestim përsa i përket rezultatit.

Rezultati do të dalë shpejt dhe nuk ka kundërshtime. Do të kemi matës ere dhe çdo rezultat do të dalë dhe nëpërmjet këtij matësi.

Dhe shpresoj që shumë shpejt të jemi gati dhe për aktivitete ndërkombëtare ballkanike, apo Europian moshash", shpjegon i pari i atletikës shqiptare.

Jo vetëm të rriturit e të rriturat, por dhe veteranët në pistë, ndërsa programi i garave është si në Kampionatin Ballkanik të sallave të mbyllura, që më 10 shkurt do të zhvillohet në Stamboll.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat