Luiza Gega përmirëson rekordin në 3000m me pengesa

Atletika

Luiza Gega përmirëson rekordin në 3000m me pengesa

Më: 2 qershor 2016 Në ora: 17:45
Luiza Gega

Luiza Gega është në formë olimpike. Vetëm dy muaj përpara startit të Lojërave Olimpike, Rio 2016, flamur-mbajtësja e Shqipërisë në evenimentin në Brazil, përmirësoi një tjetër rekord kombëtar. Gjithçka në turneun e atletikës të zhvilluar në Montebeliard të Francës, ku konkurroi në garën e 1500 metrave dhe në 3000 metra me pengesa. Në disiplinën e dytë, Gega u shpall fituese me kohën 9:32.95. Edhe pse nuk konkurronte prej 5 vitesh në garën e 3000 metrave me pengesa, atletja shqiptare përmirësoi me 22 sekonda, rekordin e mëparshëm, që mbahej nga ajo vetë.

Mungesa e eksperiencës nuk ndikoi, ndërsa për arritjen e realizuar, Luiza Gega u vlerësua edhe nga Shoqata Europiane e Atletikës, që theksonte se sportisja shqiptare e distancave të mesme, mban edhe rekordet Kombëtare në garat e 800, 1500, 3000 dhe 5000 metrave.

Në anën tjetër, me paraqitjen në Montebeliard, sportistja që në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës në Rio, më 5 Gusht, do të kryesojë delegacionin kuqezi duke mbajtur edhe flamurin, arriti edhe normën e dytë olimpike, pasi më parë ishte kualifikuar në evenimentin në Brazil me normë në garën e 1500 metrave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat