Sylejmani: Federata atletike është në këmbë për gjysmëmaratonën ‘Prishtina 2018’

Atletika

Sylejmani: Federata atletike është në këmbë për gjysmëmaratonën ‘Prishtina 2018’

Më: 24 prill 2018 Në ora: 16:58
Halil Sylejmani me një garues

Pak ditë na ndajnë nga gara më prestigjioze në vendin tonë, gjysmëmaratona ndërkombëtare “Prishtina 2018” në atletikë. Zyrtarët e Federatës Atletike të Kosovës, deklaruan se gjithçka po shkon sipas plan-programit dhe presin të marrin pjesë një numër i madh i atletëve e atleteve elit. Kryetari i Federatës Atletike të Kosovës, Halil Sylejmani, tha se gjithçka shkon fije e për pe dhe zotohet se gara e 18-të me radhë do të jetë prej më të mirave deri me tash. “Është duke u punuar me një intensitet të përpiktë dhe të shpejtuar, por me bazë. Mendoj se regjistrimi po shkon fort mirë, po paraqiten bukur shumë garues sidomos vendorë, që me kënaq kjo.

Sepse një ditë duhet më shumë vendorë, por edhe të huaj po paraqiten dhe sigurisht se do të vijnë atletët më elitë. Donatorët po e bëjnë punën e vet të cilët kanë qenë vazhdimisht aktiv, janë edhe dy donatorë të rinj, si ‘Dukat Fit’ e ‘Iutecredit’, po ashtu edhe Policia e Kosovës, FSK-ja,  dhe plot vullnetarë janë të gatshëm të ndihmojnë për këtë garë”, tha Sylejmani për gazetën kombëtare “Bota sot”. Gjysmëmaratona mbahet me 29 prill, duke filluar nga ora 10.00 në relacionin Prishtinë-Kastriot-Fushë Kosovë e anasjelltas. “Federata Atletike është në këmbë si për organizim dhe gjithçka tjetër.

Kryetari i Federatës Atletike Turke, Fatih Çintimar, ka konfirmuar ardhjen,  po ashtu e kemi ftuar edhe kryetarin e Federatës Ballkanike, por është i zënë me aktivitete në Lozanë, ndërkaq presim ardhjen e kryetarit të Federatës Atletike Shqiptare dhe asaj të Maqedonisë. Mendimi im është se në gjysmëmaratonë do të kalojë shifra e 1500 garuesve, ku gjithashtu edhe mjetet e informimit kanë rol të jashtëzakonshëm. Pra, çdo gjë është e gatshme sa i përket shtegut për këtë garë të madhe, për momentin jemi të gëzueshëm. Deri të shtunën do të dihet saktësisht sa shtete marrin pjesë, por sigurisht janë atletët nga Kenia, Evropa, Azia, SHBA, Afrika. Besojmë e shpresojmë, se si gjithherë në rezultate më të mira, pjesëmarrje më të madhe, konkurrencë më të fortë sepse me këtë gjysmëmaratonë na njohin në globin e tërësishëm”, tha Sylejmani.

“Me brengos pak opinion politik dhe komunal, edhe shkollat edhe fakultetet sepse kjo është mbretëreshë e sporteve dhe duhet të marrin pjesë. Me brengos që nuk marrin pjesë, nuk janë akterë pak më shumë e me të denjë, me popullarizuar e me ndihmuar, sepse nëse kyqemi të gjithë, mendoj se kalon edhe numrin 3 mijë veta.  Këshilltari i ministrit të sportit, Kujtim Gashi, Daut Thaçi, po na ndihmon e na përkrah edhe për organizime tjera”, thotë Sylejmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat