Drag Race, interesant edhe në shi

Auto

Drag Race, interesant edhe në shi

Më: 6 gusht 2016 Në ora: 19:33
Gara

Rreth 90 garues nga vendi ynë, pastaj mërgimtarë nga shumë vende të ndryshme si dhe pjesëmarrës nga Shqipëria, Maqedonia e Kroacia, kanë ofruar atraksione për dashamirët e këtij sporti, numri i të cilëve ishte i konsiderueshëm edhe përkundër kohës jo të mirë

Moti me shi ka qenë pengesa e vetme që gara Drag Race e këtij viti të shndërrohet në një festë të vërtetë të automobilizmit. Rreth 90 garues nga vendi ynë, pastaj mërgimtarë nga shumë vende të ndryshme si dhe pjesëmarrës nga Shqipëria, Maqedonia e Kroacia, kanë ofruar atraksione për dashamirët e këtij sporti, numri i të cilëve ishte i konsiderueshëm edhe përkundër kohës jo të mirë.

Në fakt e shtuna më tepër shërbeu që ekipi i profesionalizuar nga Kroacia të bëjë klasifikimin e veturave nëpër klasa, ndërsa garuesit të dielën do ta kenë rastin të tregojnë tërë atë që mund të ofrojnë ata dhe makinat e tyre.

Të shtunën në pistë pati shumë vetura që ngjallën kërshëri tek të pranishmit, por gjithsesi që u dalluan Skender Potera me Golf RS V 16, fituesi nga viti i kaluar Arton Ajvazi me Nissan GTR, Marin Buliqiç me Opel Calibra, Labinot Mustafa me Honda CRX e të tjerë.

Ndërkaq, sa i përket kushteve për garuesit, por edhe për shikues, pista në të cilën po zhvillohet gara dhe ambienti për rreth saj ofrojnë komoditet mjaft të mirë.

Gara zyrtare zhvillohet të dielën me fillim në orën 10:00, ndërsa interesimi për pjesëmarrje dhe përcjellje të saj është tejet i madh. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat