Peugeot 208 i ri arrin vitin e ardhshëm

Auto

Peugeot 208 i ri arrin vitin e ardhshëm

Më: 19 gusht 2018 Në ora: 14:40
Peugeot 208

Sipas disa raportimeve, Peugeot 208 i ri pritet të shfaqet në panairin e veturave që do të mbahet në Gjenevë në fillim të vitit të ardhshëm dhe për dallim nga modeli aktual, i riu do të pësojë disa ndryshime.

Fjala është për dizajnin, dimensionin më të madh (pritet të jetë i gjatë 4.05 metra), platformën e re CMP, peshën më të vogël (deri në 100 kilogramë), si dhe për versionin tërësisht elektrik.

208 i ri do të vijë me boshtin e rrotave më të gjatë, dritat LED të ditës, ekran më të madh të ndjeshëm në prekje, kamerën e pasme, sistemin për parkim – Park-Assist, i-Cockpit, etj.

Dizajni, sipas informacioneve të tanishme, do të jetë dinamik dhe ‘agresiv’ (modeli në foto shfaq pjesën e përparme sipas modelit të ri 508), dhe falë dimensioneve më të mëdha 208 i ri do të ketë më shumë hapësirë në interier dhe bagazh.

Gjithashtu, edhe prodhuesi francez [Peugeot] do të ndalojë së prodhuari versionet me tre dyer, ku shembulli i fundit ishte ai i Renaultit me modelin Clio dhe i Volkswagenit me Polon e re.

Oferta me motorët benzinë do të fillojë nga 82 kuajfuqi, ndërsa te ata dizel nga 75 kuajfuqi.

Në gamën e 208 të ri, po ashtu, do të gjendet edhe versioni sportiv GTi i cili sipas të gjitha gjasave do të ketë motor benzinë 1.6-litër Turbo me rreth 220 kuajfuqi.

Vëmendje të veçantë tërheq edhe versioni tërësisht elektrik i cili me vetëm një mbushje të baterisë do të mund të kalojë rreth 300 kilometra, por më interesante është deklarata e kreut të Peugeotit, Jean-Philippe Imparato, i cili ka thënë se modeli elektrik 208 mund të ofrohet edhe në version sportiv GTi. Kjo nënkupton se Peugeot mund të ofrojë paralelisht dy modele 208 GTi, njërën me motorin benzinë Turbo (të lartë cekur) dhe tjetrën në version elektrik GTi EV.

Me etiketën GTi përfshihen edhe paketa për aerodinamikën, rrotat më të mëdha, amortizatorët sportiv, sistemin sportiv të shkarkimit të gazrave, frenat më të forta dhe ulëset sportive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat