Përleshje të reja mes Azerbajxhanit dhe Armenisë

Azia

Përleshje të reja mes Azerbajxhanit dhe Armenisë

Më: 14 shtator 2022 Në ora: 21:14
Foto ilustrim

Përleshje të reja shpërthyen mes Azerbajxhanit dhe Armenisë të mërkurën, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për paqen u intensifikuan një ditë pasi ish-republikat sovjetike dëshmuan dhunën më vdekjeprurëse që nga viti 2020.

Kryeministri armen, Nikol Pashinyan i tha parlamentit se vendi i vogël, pa dalje në det, i kishte bërë thirrje Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive të udhëhequr nga Moska për ta ndihmuar atë të rivendoste integritetin territorial pas sulmeve të Azerbajxhanit.

“Nëse themi se Azerbajxhani ka kryer agresion kundër Armenisë, do të thotë se ata kanë arritur të vendosin kontroll mbi disa territore”, tha kryeministri Pashinyan, sipas agjencisë së lajmeve TASS.

Zoti Pashinyan tha se 105 ushtarë armenë ishin vrarë që nga fillimi i sulmeve.

Dhuna që shpërtheu të martën përgjatë kufirit të Armenisë me Azerbajxhanin, për të cilën Baku-ja fajësoi Jerevanin, nxiti një thirrje për qetësi nga presidenti rus Vladimir Putin dhe thirrje ndërkombëtare për përmbajtje.

Zëvendësministri i Jashtëm armen, Paruyr Hovhannisyan i tha agjencisë Reuters të mërkurën se ekzistonte rreziku që përleshjet vdekjeprurëse mund të përshkallëzoheshin në një luftë - një konflikt i dytë i madh i armatosur në ish-Bashkimin Sovjetik, ndërkohë që ushtria ruse është e fokusuar në Ukrainë.

Një konflikt i plotë midis Armenisë dhe Azerbajxhanit do të rrezikonte përfshirjen e Rusisë dhe Turqisë dhe do të destabilizonte një korridor të rëndësishëm për tubacionet që transportojnë naftë dhe gaz, ashtu si lufta në Ukrainë ndërpret furnizimet me energji.

Azerbajxhani akuzoi Armeninë, e cila është në një aleancë ushtarake me Moskën dhe strehë e një baze ushtarake ruse, për gjuajtje me mortaja dhe artileri në njësitë e saj të ushtrisë.

Azerbaxhani njoftoi për 50 viktima ushtarake në ditën e parë të luftimeve dhe tha të mërkurën se dy civilë ishin plagosur që nga shpërthimi i përleshjeve.

"Pozicionet tona janë duke u qëlluar në mënyrë periodike në këtë moment", tha ministria e mbrojtjes e Azerbajxhanit. Njësitë tona po marrin masat e nevojshme.

Ministria e mbrojtjes e Armenisë, e cila ka mohuar të bombardojë pozicionet e Azerbajxhanit, tha se luftimet e së mërkurës ishin qetësuar kryesisht deri në mesditë.

PËRPJEKJE DIPLOMATIKE

Shpërthimi i dhunës ka shkaktuar shqetësim ndërkombëtar, me Rusinë, Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Bashkimin Evropian që po shtojnë përpjekjet diplomatike.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të martën se Rusia ose mund të "trazojë situatën" ose të përdorë ndikimin e saj për të ndihmuar në "qetësimin e ujërave".

Ai zhvilloi telefonata të veçanta me kryeministrin Pashinyan të Armenisë dhe Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev për të kërkuar një armëpushim, dhe në veçanti shprehu shqetësimin për bombardimet në Armeni.

Ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna, në një telefonatë me homologët e saj nga të dy vendet, bëri thirrje gjithashtu për "dhënien fund të sulmeve kundër territorit armen".

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së Toivo Klaar do të shkonte në Kaukazin jugor të mërkurën për të lehtësuar dialogun. CSTO gjithashtu dërgoi një delegacion për të vlerësuar situatën në kufi.

Në mosmarrëveshje të tjera që përfshijnë ish-republikat sovjetike, rojet kufitarek dhe taxhike shkëmbyen zjarr në tre incidente të mërkurën pas një mosmarrëveshjeje mbi kufirin e dy vendeve të Azisë Qendrore, thanë zyrtarët nga të dyja palët.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar për dekada për Nagorno-Karabakun, një enklavë malore e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por që deri në vitin 2020 ishte tërësisht e populluar dhe e kontrolluar nga armenë etnikë, me mbështetjen e Jerevanit.

Azerbajxhani bëri avancime të konsiderueshme territoriale në dhe përreth Nagorno-Karabakut në një luftë gjashtëjavore atë vit.

Qysh atëherë, përleshjet kanë shpërthyer periodikisht pavarësisht një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia dhe hapave tentativë nga të dyja palët për të arritur një zgjidhje paqeje më gjithëpërfshirëse./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat