Çfarë i deklaruan pushtetit komunist? Gazetari kinez tregon historinë e errët të Kinës

Azia

Çfarë i deklaruan pushtetit komunist? Gazetari kinez tregon historinë e errët të Kinës

Më: 22 tetor 2022 Në ora: 10:01
Presidenti Xi

Mijëra delegatë janë mbledhur në Pekin këtë javë për të rizgjedhur presidentin Xi si udhëheqës të Partisë Komuniste për një mandat të tretë. Për gazetarin hulumtues kinez, Wang Zhian, udhëheqja e presidentit Xi, karakterizohet nga shtypja e mediave, që funksionojnë si ushtri.

Gazetari, i cili jeton në mërgim në Japoni, ka frikë të kthehet në Kinë, për shkak të kritikave ndaj pushtetit komunist. Gazetari Wang, përmes postimeve në rrjetet sociale ka arritur të tërheqë qindra mijëra shikues të etur për raportim ndryshe nga ai që kontrollohet nga pushteti në Pekin.

Gazetari hulumtues Wang Zhi’an dikur raportonte mbi korrupsionin, sekuestrimin e tokës dhe keqpërdorimet mjekësore në Kinë për miliona shikues, në një platformë të fuqishme: transmetuesin shtetëror kinez “CCTV”.

Image
Wang Zhian

Ai tani jeton i vetëm në Tokio, pasi është futur në listën e zezë në vendin e tij. Kalimi i tij nga një personalitet i njohur televiziv, në një gazetar në mërgim, ilustron se si raportimi kritik, dikur i mbështetur nga qeveria, tani është kufizuar nën presidentin Xi Jinping, udhëheqësi më autoritar i Kinës që nga Mao Ce Duni.

“Roli i medias në shoqëri është bërë si ushtria. Në vend që të hulumtojë partinë, ajo është bërë një mjet që premton besnikëri të pakushtëzuar ndaj partisë komuniste kineze”, thotë gazetari kinez, Wang Zhi’an.

Megjithëse në mërgim, i zhytur në borxhe dhe me vetëm një kompjuter, zoti Wang nuk është dorëzuar. Ai ka huazuar një aparat fotografik nga një mik dhe ka rinisur punën, kësaj radhe në rrjetet sociale “YouTube” dhe Twitter, ndonëse të dyja të ndaluara në Kinë.

Mijëra delegatë janë mbledhur në Pekin këtë javë për të rizgjedhur presidentin Xi si udhëheqës të Partisë Komuniste për një mandat të tretë. Gazetari Wang, nga frika se mund të arrestohet, thotë se nuk do të kthehet në Kinë derisa Presidenti Xi të jetë në pushtet.

Nën drejtimin e Presidentit Xi, gazetarët dikur të guximshëm të Kinës janë heshtur. Krahu i propagandës së Partisë Komuniste ka marrë kontrollin e drejtpërdrejtë të agjencive që menaxhojnë gazetat, transmetuesit dhe stacionet radiofonike.

Zoti Wang iu bashkua televizionit kinez më 1998, kur mediat ishin në kulmin e asaj që ai e quan “epokë të artë”.

Gazetaria hulumtuese lulëzoi nën udhëheqjen e atëhershme të presidentit Jiang Zemin, i cili nuk e kishte problem të fliste për Tibetin dhe Tajvanin me gazetarët perëndimorë, dhe kryeministrin reformator Zhu Rongji, i cili luftoi korrupsionin.

Xi Jinping erdhi në pushtet në vitin 2012. Në fillim, zoti Wang kishte pritshmëri të mëdha nga udhëheqja e re.

Ndërsa presidenti Xi konsolidoi pushtetin, shenjat e problemeve filluan të shfaqen në televizionin shtetëror. Kontrollet u forcuan. Një nga një, gazetarët kryesorë u tërhoqën.

Zoti Wang dha dorëheqjen pasi një hulumtim për të cilin punoi me muaj nuk u lejua të transmetohet. Më pas ai udhëhoqi një emision me intervista në internet, që zakonisht kishin dhjetëra miliona shikime. Por në qershor 2019, profilet e Wang në rrjetet sociale u fshinë papritmas, duke e privuar atë nga miliona ndjekës.

Gjatë pandemisë gazetari Wang ishte bllokuar në Japoni dhe kur më në fund u kthye në Kinë, ai e kuptoi se nuk do të ishte në gjendje të punonte më në media. Pas kësaj, ai e bleu një biletën një drejtimëshe për në Japoni.

Tani, ai po mëson gjuhën japoneze dhe ka mësuar se si të bëjë montazhin e videove duke operuar me një buxhet të kufizuar.

“Të qënit i lirë për të raportuar është më e rëndësishme se vështirësitë me të cilat ndeshem. Mund të flas lirshëm për realitetin në shoqërinë kineze. Për mua, është shumë më mirë sesa të qëndrosh në Kinë dhe të bëhesha, ta zëmë, drejtor i marrëdhënieve me publikun me një rrogë të mirë. Nëse duam të ndjekim lirinë, pse të mos përdorim përvojën tonë profesionale për të folur në botën e lirë?”, thotë zoti Wang.

Që kur filloi punën në maj, ai ka tërhequr shumë shikues, duke arritur gati gjysmë milioni ndjekës në “Twitter” dhe 400,000 abonentë në “YouTube”.

Në korrik, ai shpenzoi qindra mijëra dollarë duke punësuar një ekip dhe duke fluturuar për në Ukrainë. Zoti Wang thotë se do të donte ta ndryshonte raportimin rreth luftës në Ukrainë për kinezët, që tani është i mbizotëruar nga dezinformatat ruse./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat