Pesë milionë sirianë supozohet se kanë mbetur të pastrehë pas tërmetit

Azia

Pesë milionë sirianë supozohet se kanë mbetur të pastrehë pas tërmetit

Më: 10 shkurt 2023 Në ora: 18:57
Pamje nga tërmeti

Deri në 5.3 milionë sirianë mund të kenë mbetur të pastrehë shkaku i tërmetit shkatërrues që goditi veriperëndimin e vendit, ka thënë agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR.

Kjo vjen pasi Kombet e Bashkuara u kritikuan prej grupit të vullnetarëve, “Helmetat e Bardha” për mungesë të ndihmave në rajonet e kontrolluara nga rebelët, raporton skynews.

“Për Sirinë, kjo është një krizë brenda një krize”, njoftoi UNHCR. “Kemi pasur tronditje ekonomike, COVID-19 dhe tani tërmet gjatë dimrit. Një numër i stafit tonë po flenë jashtë shtëpive të tyre sepse janë të shqetësuar për dëmtime strukturore të shtëpive të tyre. Ky është vetëm një mikrokozmos i asaj që po ndodh në zonat e prekura”.

Agjencia shtoi se, në Sirinë veriperëndimore, qasja është “penguar shkaku i dëmtimeve”.

Që tani, ne shpresojmë se një marrëveshje me qeverinë do të lejojë qasje të shpejtë dhe të rregullt në këto zona”, deklaroi organizata.

Ndryshe, numri i përgjithshëm i vdekjeve në Siri është 3,384 – përfshirë 2,037 në zonat e kontrolluara nga rebelët në veriperëndim, sipas “Helmetave të Bardha” – dhe 1,347 vdekje në pjesët e kontrolluara nga qeveria e Sirisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat