Mahmoud Abbas: Vetëm SHBA-ja mund ta ndalë ofensivën e Izraelit në Rafah

Azia

Mahmoud Abbas: Vetëm SHBA-ja mund ta ndalë ofensivën e Izraelit në Rafah

Më: 28 prill 2024 Në ora: 13:35
Dy vajza palestineze pranë një shtëpie të rrënuar nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Rafah, Gazë, 21 prill 2024.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, tha të dielën se vetëm Shtetet e Bashkuara mund ta ndalin Izraelin nga kryerja e një ofensive ushtarake në qytetin kufitar të Gazës, Rafah.

Ai theksoi se një ofensivë e tillë, e cila pritet brenda ditësh, mund ta detyrojë shumicën e popullsisë palestineze të ikë nga Gaza.

“Ne u bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës t’i kërkojnë Izraelit të mos e kryejë sulmin në Rafah. Amerika është vendi i vetëm që është në gjendje ta parandalojë Izraelin nga kryerja e këtij krimi”, tha Abbas gjatë një takimi në Forumin Ekonomik Botëror në Riad të Arabisë Saudite.

Izraeli i ka rritur sulmet në Rafah në javën e fundit dhe ka kohë që kërcënon se do ta pushtojë atë për t’i shkatërruar batalionet e mbetura të Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Vendet perëndimore, përfshirë aleaten më të madhe të Izraelit SHBA-në, i kanë bërë thirrje Izraelit të mos e pushtojë Rafahun, ku më shumë se gjysma e popullsisë e Gazës prej 2.3 milionë banorësh ka kërkuar strehim nga luftimet në pjesët e tjera të territorit.

“Të gjithë palestinezët e Gazës janë të grumbulluar atje. Do të ndodhte katastrofa më e madhe në historinë e popullit palestinez”, tha ai.

Të shtunën në mëngjesin u vranë gjashtë njerëz, përfshirë katër fëmijë, nga një sulm ajror izraelit në Rafah, thanë zyrtarët e një spitali lokal.

Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit nisi më 7 tetor, kur pjesëtarët e këtij grupi i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë gjatë atij një sulmi në jug të Izraelit.

Më shumë se 34.000 palestinezë janë vrarë, prej të cilëve dy e treta fëmijë dhe gra, si pasojë e luftës izraelite në Gazë prej atëherë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat