Shtetet e Bashkuara: Negociatat Izrael-Hamas po hasin në vështirësi

Azia

Shtetet e Bashkuara: Negociatat Izrael-Hamas po hasin në vështirësi

Më: 14 maj 2024 Në ora: 15:27
Palestinezët largohen nga Rafahu pasi forcat izraelite filluan operacionin ajror dhe tokësor në pjesën lindore të qytetit më 13 maj, 2024/Reuters

Uashingtoni mbetet i angazhuar për të vazhduar negociatat për armëpushim, por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Anita Powell, Izraeli duket i vendosur – përkundër kundërshtimit të Shteteve të Bashkuara – të ndërmarrë sulm ushtarak të shkallës së gjerë në qytetin e Rafahut.

Vuajtjet e mijëra njerëzve po nxisin udhëheqësit botërorë të bëjnë përpjekje të shtuara që t’i japin fund luftës shtatë-muajshe në Gazë.

Banorët e Gazës jetojnë mes frikës, ndërkohë që po kërkojnë një vend për t’u strehuar nën hijen e kërcënimit të një ofensive izraelite në qytetin e mbipopulluar të Rafahut.

Këtu në SHBA, zemërimi i të rinjve për shkak të dhunës në Gazë është përhapur nëpër universitete në mbarë vendin.

Në këtë moment të ndjeshëm, Shtëpia e Bardhë njoftoi të hënën se Uashingtoni ende po bën përpjekje për lirimin e pengjeve dhe për arritjen e një armëpushimi në bisedimet mes palëve që po vazhdojnë në Kajro.

“Negociatat kanë qënë me ulje ngritje. Armëpushimi mund të arrihet që nesër nëse Hamasi liron gratë, të plagosurit dhe të moshuarit. Besojmë se Izraeli ka bërë një propozim të mirë. Bota po bën thirrje për armëpushim dhe ata që po bëjnë një gjë të tillë duhet t’i thonë Hamasit ‘eja në tryezën e bisedimeve dhe angazhohu për arritjen e një marrëveshjeje’", thotë Këshilltar për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Por siç e konfirmoi zoti Sullivan për Zërin e Amerikës, tani ka çarje të reja në procesin negociator. Egjipti, ku po mbahen bisedimet për armëpushim, së fundmi vendosi të përkrahë Afrikën e Jugut në Gjykatën Ndërkombëtarë të Drejtësisë për padinë ndaj Izraelit për gjenocid në Gazë.

“Kjo nuk i ndihmon bisedimet ndërmjet Egjiptit dhe Izraelit ndërkohë që ata po përpiqen të gjejnë zgjidhje për çështjet që kanë të bëjnë me ndihmën humanitare. Por e di që Egjipti, Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara, të gjithë po mundohemi të punojmë bashkarisht për të gjetur një zgjidhje", thotë ai.

Analistët thonë se mesazhi i Uashingtonit është gjithashtu kontradiktor, sidomos kur bëhet fjalë për planet e Izraelit për të ndërmarrë një “operacion ushtarak të madh” në qytetin jugor të Rafahut. Zoti Sullivan tha të hënën se deri më tani Izraeli ka kryer vetëm sulme me objektiv të kufizuar.

“Administrata ka dërguar sinjale të përziera. Herë duket se janë kundër çdo lloj veprimi në Rafah, herë të tjera thonë ‘jo nuk jemi kundër. Por nuk kemi parë një plan të përshtatshëm.’ Këto çështje duhen sqaruar”, thotë analisti David Makovsky pranë Institutit të Uashingtonit.

Përderisa Uashingtoni përpiqet të sigurojë një plan të qartë, udhëheqësit izraelitë po përballen me trysni nga banorët të cilët e akuzojnë Kryeministrin Benjamin Netanyahu se po nxit dhunën palestineze.

“Vetëm dua t’ia bëj të qartë Kryeministrit Netanyahu përgjegjësinë e tij për çfarë ndodhi këtu më 7 tetor”, thotë sipërmarrësi Nir Galon.

Ndërsa zytarët po përpiqen të hedhin hapa drejt paqes, sulmet e Izraelit në Gazë po vazhdojnë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat