Pse Irani po kërcënon me prodhimin e armëve bërthamore?

Azia

Pse Irani po kërcënon me prodhimin e armëve bërthamore?

Më: 18 maj 2024 Në ora: 11:08
Shtetet perëndimore kanë shprehur shqetësim se bartësit satelitorë iranianë mund të dizajnohen që të bartin koka bërthamore.

Posedimi i armëve bërthamore për një kohë të gjatë ka qenë temë tabu në Iran. Lideri suprem i Iranit i ka shpallur armët bërthamore “joislamike”.

Por, javët e fundit është rritur numri i zyrtarëve iranianë të cilët hapur kanë sugjeruar se Republika Islamike mund ta shndërrojë programin e saj bërthamor në program për armë. Teherani për një kohë të gjatë ka pretenduar se programi i tij bërthamor ka qëllime civile.

Ndryshimi i retorikës përkon me rritjen e armiqësive mes Teheranit dhe Izraelit. Muajin e kaluar, Izraeli kreu sulm ndaj Iranit në përgjigje të sulmit të paprecedent me raketa dhe dronë që kreu Teherani ndaj armikut të tij të përbetuar.

Ekspertët thanë se kërcënimet në rritje të Iranit për të krijuar armë bërthamore janë shqetësuese, edhe pse theksuan se deklaratat e zyrtarëve ka të ngjarë se synojnë të pengojnë një sulm tjetër në tokën iraniane.

Eric Brewer, nënkryetar i Nismës për Kërcënime Bërthamore me seli në Uashington, tha se kërcënimet iraniane duket se janë “të kushtëzuara”.

“Mendoj se nëse Izraeli apo Shtetet e Bashkuara kryejnë ndonjë sulm ndaj programit bërthamor të Iranit, ka shumë gjasa që Teherani, në fakt, të vendosë të krijojë armë bërthamore”, tha ai.

E vërtetë apo retorikë?

Kamal Kharazi, ish-ministër i Jashtëm njëherësh këshilltar aktual i liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenie, paralajmëroi më 13 maj se nëse Izraeli e kërcënon Iranin, “ne mund ta shqyrtojmë doktrinën tonë bërthamore”.

“Ne nuk duam armë bërthamore dhe prandaj ekziston edhe fetvaja e liderit suprem. Por, nëse armiku ju kërcënon, çfarë do të bënit ju?”, tha ai.

Ditë më parë, në një intervistë për Al-Jazeeran, Kharazi tha se Irani “ka kapacitete për të prodhuar një bombë” edhe pse shteti nuk ka ndërmarrë hapa për të prodhuar një bombë të tillë.

Para se Izraeli të sulmonte Iranin më 19 prill, komandanti i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit paralajmëroi se një sulm që do të shënjestronte ndërtesat bërthamore iraniane do të nxiste një sulm reciprok ndaj Izraelit dhe do të mund të shtynte Iranin që të rimendojë qëndrimin e tij ndaj armëve bërthamore.

Brewer tha se një gjë e tillë do të bënte që kërcënimet të shkonin “në një nivel të besueshmërisë” se programi bërthamor i Iranit është shumë më i avancuar sot sesa ka qenë në të kaluarën.

Marrëveshja historike mes fuqive botërore dhe Iranit më 2015, kufizoi programin bërthamor të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare. Por, presidenti i atëhershëm Donald Trump, tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja dhe rivendosi sanksione ndaj Republikës Islamike më 2018. Kjo bëri që Teherani të përshpejtojë pasurimin e uraniumit dhe të kufizojë inspektimet ndërkombëtare në ndërtesat e tij bërthamore.

Farzan Sabet, hulumtues i lartë në Institutin Graduate në Gjenevë, tha se dështimi i përpjekjeve ndërkombëtare për të ringjallur marrëveshjen bërthamore mund të qëndrojë pas kërcënimeve të fundit të Teheranit për prodhimin e armëve bërthamore.

Një tjetër arsye, tha ai, mund të jetë “për të penguar administratën aktuale apo të ardhshme amerikane që të ndërmarrë edhe një fushatë të ‘presionit maksimal’ në aspektin ekonomik dhe ushtarak kundër Iranit”.

Fetvaja nuk është pengesë

Më 2010, Khamenei lëshoi një fetva, apo dekret fetar, që thoshte se Irani konsideron se përdorimi i armëve bërthamore është “haram” dhe se shteti nuk po synon që të ketë armë të tilla.

Fetvaja është përdorur si dëshmi nga zyrtarët iranianë për të argumentuar se Republika Islamike nuk dëshiron të posedojë armë bërthamore.

Por, Brewer tha se fetvaja e Khameneit “nuk është një pengesë kuptimplote që Irani të ndërtojë bombë” bërthamore.

“Në teori, Irani mund të bëjë pjesën më të madhe të punës për armët bërthamore, përderisa fetvaja është në fuqi, dhe më pas Khamenei mund ta tërheqë fetvanë në minutat e fundit”, shtoi ai.

Pavarësisht deklaratave publike të bëra nga zyrtarët iranianë, Ministria e Jashtme ka insistuar se nuk ka pasur ndryshim në doktrinën bërthamore të shtetit.

Sabet tha se mesazhi i dyfishtë mund të “reflektojë një debat brenda sistemit në Iran, në të cilin balanca e fuqisë apo konsensusi deri së fundi nuk ishte në favor të ndërtimit dhe dislokimit të armëve bërthamore, por ky qëndrim mund të ketë ndryshuar”.

Disa media iraniane kanë raportuar se shteti ka mjaftueshëm uranium të pasuruar për të prodhuar dhjetë bomba bërthamore. 

Brewer tha se vlerësimet amerikane sugjerojnë se Iranit do t’i duhen rreth dy javë për të prodhuar uranium të shkallës për armë bërthamore në sasi të mjaftueshme për të ndërtuar një bombë. Por, ai tha se prodhimi i një pajisjeje të përdorshme bërthamore, mund të marrë muaj apo edhe më shumë se një vit kohë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat