LIVE: Këto shtete shpallën zi për vdekjen e Raisi-t - Iranianët vajtojnë vdekjen e presidentit, të tjerët nisin festën!

Azia

LIVE: Këto shtete shpallën zi për vdekjen e Raisi-t - Iranianët vajtojnë vdekjen e presidentit, të tjerët nisin festën!

Nga: Bota sot Më: 20 maj 2024 Në ora: 06:24 Përditësuar në ora: 19:14 më 20.05.2024
Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi

Iranianët vajtojnë vdekjen e presidentit, burra e gra qajnë në shesh! Në rrjetet sociale nis festa

Mbështetësit e qeverisë iraniane kanë filluar të derdhen në sheshet e Teheranit për ceremoninë e zisë, që nga momenti kur u konfirmua vdekja e presidentit Ebrahim Raisi.

Vajtuesit janë mbledhur në sheshin Vali-e-Asr në qendër të qytetit, duke mbajtur postera të Raisit dhe duke valëvitur flamujt palestinezë. Në pamjet e publikuara nga Associated Press duken disa burra në lot teksa mbajnë shtrënguar rruazat e lutjes dhe qajnë. Gra të veshura tërësisht me të zeza mbajnë në duar fotot e udhëheqësit të vdekur.

Megjithatë, raporton BBC, shume iranianë po festojnë vrasjen e Raisit në rrjetet sociale.

Për presidentin iranian, ministrit të Jashtëm Hossein Amirabdollahian dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit të tyre, që u vranë në një aksident me helikopter në Iran të dielën, Iraku ka shpallur të martën ditë zie. Edhe Pakistani ka shpallur një ditë zie, ndërsa Libani dhe Siria njoftuan tre ditë zie.

Ceremonitë mortore për presidentin iranian do të nisin të martën e ardhshme

Ceremonitë mortore për presidentin iranian, Ebrahim Raisi, dhe shokët e tij do të fillojnë të martën e ardhshme, sipas agjencisë së lajmeve IRNA.

Thuhet se do të zhvillohet në qytetin veriperëndimor të Tabrizit dhe më pas trupi i presidentit Raisi do të dërgohet më vonë në Teheran.

“Ceremonitë e varrimit për presidentin dhe shokët e tij do të zhvillohen të martën në orën 9:30 me orën lokale në Tabriz”, tha agjencia e lajmeve IRNA, shkruan Skynews.

Politikanët e BE-së të ndryshëm në mendime sa i përket vdekjes së liderit iranian

Ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen e Ebrahim Raisit të Iranit, jo të gjithë anëtarët e Parlamentit Evropian ishin dakord me mesazhin e tij.

Vdekja e presidentit të Iranit, Raisi, dhe Ministrit të tij të Jashtëm, Hossein Amir Abdollahian, në një përplasje të helikopterit, ka provokuar një sërë reagimesh nga Perëndimi.

Ndër tjerash, Shërbimi i Menaxhimit të Emergjencave të Komisionit Evropian, Copernicus, i cili ofron të dhëna gjeohapësinore dhe imazhe për menaxhimin e fatkeqësive, njoftoi se do të ofronte shërbime hartash për të ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit.

Por, Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç, ka sqaruar se oferta “nuk është akt i mbështetjes politike për asnjë regjim dhe institucion, por është thjesht humanizëm”.

Edhe Zyra e Shtypit të BE-së ka lëshuar një deklaratë ku shpreh ngushëllime për vdekjen e liderit iranian, shkruan euronews.

Jehonë bëri Michel duke thënë se “BE-ja është me familjet e të vrarëve”.

E jo të gjithë anëtarët e Parlamentit Evropian ishin dakord me të.

Eurodeputeti i pavarur, Rob Roos, e quajti shprehjen si “fyerje për popullin e shtypur iranian”.

Edhe demokrati suedez, Charlie Weimers, kritikoi veprimet e Copernicus duke thënë se “paratë e taksapaguesve evropianë nuk duhet të përdoren për të mbështetur regjimin terrorist në Teheran”.

Disa të tjerë, përfshirë eurodeputeten Assita Kanko thanë se ishin “të tronditur” nga solidariteti i BE-së.

Ndryshe, BE-ja është një nga vendet e shumta që ka sanksione kundër regjimit iranian. Këto përfshijnë kufizime tregtare, ndalime të udhëtimit dhe ngrirje të aseteve. 

A do të sjellë vdekja e Raisit ndryshime në politikën e Iranit?

Vdekja e presidentit të Iranit, Ebrahim Raisi, në një aksident ajror shkaktoi tronditje në mbarë Republikën Islamike dhe rajonin më gjerë.

Megjithatë, ajo nuk pritet të sjellë ndryshime të mëdha në politikat e brendshme dhe të jashtme të Teheranit, thonë ekspertët.

Udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili e ka fjalën e fundit në të gjitha çështjet kryesore shtetërore, dhe Korpusi i fuqishëm i Gardës Revolucionare Islamike janë qendrat kryesore të pushtetit në Iran, ku autoriteti i presidentit është i kufizuar.

“Vdekja e Raisit, në vetvete, nuk do të shkaktojë ndonjë ndryshim të rëndësishëm në politikat e Iranit”, thotë Hamidreza Azizi, bashkëpunëtor në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

“Presidenti është i dyti në komandë në hierarkinë e pushtetit të Republikës Islamike dhe udhëzimet strategjike i jep udhëheqësi suprem”, shpjegon ai.

Si president, Raisi mbikëqyri një shtypje brutale të protestave kundër establishmentit në vitin 2022, si dhe shtrëngimin e të ashtuquajturave ‘ligje të moralit’.

Pasojë reale e vdekjes së presidentit ultra-konservator, sipas ekspertëve, mund të jetë lufta për pushtet midis forcave të vijës së ashpër të vendit.

Vdekja e tij mund t’i komplikojë edhe planet pasardhëse të Khameneit, pasi thuhej se ai do të bëhej udhëheqësi i ardhshëm suprem.

Raisi, ish-shef i gjyqësorit, ishte mbështetës i madh i Khameneit, ndërsa ky i fundit besohej se po e përgatiste atë si pasardhës të vetin.

Sanam Vakil, drejtore e Programit të Lindjes së Mesme në Institutin Chatham House në Londër, thotë se Raisi “ishte i përshtatshëm” për këtë detyrë. Sipas saj, ai, madje, e modeloi jetën e tij sipas udhëheqësit suprem 85-vjeçar.

“[Raisi] ishte një funksionar besnik, i gatshëm për ta marrë pozitën e liderit suprem. Nuk duket se ka kandidatë të tjerë aq të përshtatshëm”, thotë ajo.

Sidoqoftë, vdekja e Raisit la një vend bosh për t’u mbushur. Me ligjin iranian, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 50 ditësh - kohë gjatë së cilës institucioni klerik do të përpiqet të gjejë një zëvendësues të përshtatshëm.

Tash për tash, kandidatë janë kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf, dhe shefi i gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni Ejei.

Azizi thotë se presidenti i ardhshëm mund të ketë “ndikim të rëndësishëm në trajektoren e përgjithshme” të pasardhësit të Khameneit.

“Si rezultat, kjo do të çojë në rritjen e konkurrencës ndërkonservatore për t’u bërë president”, përfundon ai./REL

Vdekja e Presidentit Raisi, çfarë ndryshon tani në Iran: Sfidat e regjimit

Mediat ndërkombëtare kanë bërë një analizë të asaj që mund të ndodh në Iran pas vdekjes në një akisdent ajror të Presidentit të vendit, Raisi. SkyNews shkruan se kjo është një kohë delikate për Iranin. Presidenti Raisi ishte njeriu i dytë më i rëndësishëm në Iran, pas Udhëheqësit Suprem Ayatollah Ali Khamenei.

Vdekja e tij, tashmë e konfirmuar, do të ketë pasoja të mëdha, sipas mediave të huaja.

Megjithëse Khamenei është përpjekur të qetësojë vendin në orët e fundit, regjimi e di shumë mirë se ky është një moment i rrezikshëm që duhet trajtuar me kujdes.

Republika Islamike ka mekanizma për ta mbrojtur regjimin në ngjarje si kjo dhe Garda Revolucionare, e cila u themelua në vitin 1979 pikërisht për këtë qëllim, do të jetë lojtari kryesor në atë që do të vijë më pas.

Zv. presidenti Mohammed Mokhber do të marrë kontrollin e vendit dhe zgjedhjet e reja do të mbahen brenda 50 ditëve.

Mokhber nuk është aq i afërt me Udhëheqësin Suprem sa ishte Raisi dhe nuk pritet të gëzojë pozitën e tij, por ai ka drejtuar financat e Khameneit për vite me rradhë dhe vlerësohet se ka ndihmuar Iranin të shmangë disa nga sanksionet e shumta ndërkombëtare.

Pasardhësi i Raisit ka shumë të ngjarë të jetë kandidati i zgjedhur i Udhëheqësit Suprem dhe sigurisht një tjetër ultra-konservator i vijës së ashpër.

Një zhvendosje drejt një lideri të moderuara ka shumë pak gjasa të ndodhë.

SkyNews shkruan se nuk duhet të presim ndonjë ndryshim të rëndësishëm në aktivitetet e jashtme të Iranit, përfshirë rolin në Gaza .

Megjithatë, pas vitesh demonstratash antiqeveritare pas vdekjes së Mahsa Aminit në vitin 2022, ky mund të jetë një moment që lëvizja protestuese të ngrihet dhe të dalë përsëri në rrugë.

Ka gjithashtu shumë grupe disidente brenda Iranit, duke përfshirë një degë të Shtetit Islamik – të cilët mund të përfitojnë nga kjo situatë.

Raisi u zgjodh president në vitin 2021 me një 

Rusia reagon për vdekjen e presidentit iranian Raisi, Putin: Është një humbje e pariparueshme!

Presidenti rus Vladimir Putin e përshkroi presidentin iranian Ebrahim Raisi si një “politikan të shquar” dhe tha se vdekja e tij ishte një “humbje e pariparueshme”, sipas një deklarate nga Kremlini.

“Si një mik i vërtetë i Rusisë, ai dha një kontribut të paçmuar personal në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis vendeve tona dhe bëri përpjekje të mëdha për t’i sjellë ato në nivelin e partneritetit strategjik”, tha Putin.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov e përshkroi Raisin dhe ministrin e jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian si miq të vërtetë dhe të besueshëm të Rusisë dhe shtoi se ishte thellësisht i pikëlluar nga vdekja e tyre.

“Roli i tyre në forcimin e bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë ruso-iranian dhe partneritetin e besueshëm është i paçmuar. Ne sinqerisht ngushëllojmë familjet dhe miqtë e viktimave, si dhe me të gjithë popullin mik të Iranit,” tha Lavrov.

Kujtojmë se Perëndimi akuzon Iranin se dërgon dërgesa të rregullta të dronëve në Rusi për t’i përdorur në luftën e saj kundër Ukrainës. Irani thotë se i ka furnizuar Rusisë një “numër të vogël” dronësh përpara fillimit të luftës në shkurt 2022.

Ndërkohë, presidenti i luftuar i Sirisë Bashar al-Assad “pohoi solidaritetin e Sirisë me Republikën Islamike të Iranit dhe me familjet e të ndjerit dhe shokët e tij”.

Irani ka qenë një mbështetës i vendosur i regjimit të Asadit gjatë viteve të luftës civile në Siri.

Presidenti në detyrë i Iranit mban takim të jashtëzakonshëm me krerët e degëve legjislative dhe gjyqësore

Nga: A.M.

Presidenti në detyrë i Iranit, Mohammad Mokhber mbajti një "takim të jashtëzakonshëm" të hënën me krerët e degëve legjislative dhe gjyqësore pas njoftimit për vdekjen e presidentit Ebrahim Raisi, sipas mediave shtetërore iraniane.

Mokhber foli me kryetarin e parlamentit iranian Mohammad Bagher Ghalibaf dhe Hujjat al-Islam Gholam-Hossein Mohseni-Eje'i, kreun e Gjyqësorit të Iranit, sipas Tasnim News gjysmë-zyrtare të Iranit, përcjell CNN, transmeton "Bota sot".

Të tre shprehën ngushëllimet e tyre dhe rikonfirmuan se tre degët e qeverisë do të vazhdojnë detyrat e tyre ndaj kombit "pa asnjë ndërprerje", raportoi Tasnim.

Kujtojmë se, Raisi u zgjodh president më 2021 dhe prej atëherë i kishte ashpërsuar kufizimet ndaj iranianëve, përmes zbatimit të detyrueshëm të ligjeve të moralit dhe përmes një lufte të përgjakshme kundër protestave antiqeveritare, të cilat ishin nxitur nga vdekja e Mahsa Aminit në paraburgimin policor për gjoja shkeljen e ligjit për bartjen e shamisë së kokës.

Borrell shpreh ngushëllime për vdekjen e presidentit dhe ministrit iranian

Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i BE-së për punët e jashtme, ka lëshuar një deklaratë për Iranin.

Ai ka shprehur ngushëllimnet e tij për vdekjen e presidentit të Republikës Islamike të Iranit, Ebrahim Raisi, ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe zyrtarëve të tjerë iranianë të përfshirë në rrëzimin tragjik të helikopterit.

“Bashkimi Evropian shpreh ngushëllimet e tij për vdekjen e presidentit të Republikës Islamike të Iranit, Ebrahim Raisi, ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe zyrtarëve të tjerë iranianë të përfshirë në rrëzimin tragjik të helikopterit të dielën”, tha Borrell.

“BE shpreh ngushëllimet e saj për familjet e të gjitha viktimave dhe për qytetarët iranianë të prekur,” shtoi ai.

Erdogan reagon për vdekjen e presidentit të Iranit, ja mesazhi i tij

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shprehu këtë të hënë ngushëllimet e tij për vdekjen e presidentit iranian Ebrahim Raisi dhe ministrit të jashtëm iranian Hossein Amir Abdollahian, duke theksuar se Turqia qëndron në solidaritet me Iranin.

Erdogan shkroi në Platformën X se e kujton Raisin me respekt dhe mirënjohje, duke deklaruar se presidenti iranian bëri përpjekje për paqen në Iran dhe rajon.

“Turqia qëndron me Iranin në këtë kohë të vështirë”, tha Erdogan, duke e quajtur Raisin “një koleg dhe vëlla të vlefshëm“.

Përveç Raisit dhe ministrit të Jashtëm iranian, Hossein Amir Abdollahian, janë identifikuar edhe tre persona të tjerë që humbën jetën në një aksident me helikopter në veriperëndim të Iranit, njoftoi agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA.

Imami në qytetin e Tabrizit, Ayatollah Mohammad Ali Al-e Hashem, kreu i provincës iraniane të Azerbajxhanit Lindor, gjenerali Malek Rahmati dhe komandanti i njësisë së mbrojtjes presidenciale, Sardar Seyed Mehdi Mousavi, janë vrarë.

Gjithashtu janë vrarë dhe një numër i caktuar truprojash dhe ekuipazhi të helikopterit, të cilët ende nuk janë identifikuar.

Kush ishte ministri i Jashtëm i Iranit?

Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, një figurë konservatore që gëzonte mbështetjen e Korpusit të fuqishëm të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), vdiq në moshën 60-vjeçare.

Amir-Abdollahian dhe presidenti ultra-konservator, Ebrahim Raisi, po ktheheshin nga një vizitë në kufi me Azerbajxhanin, më 19 maj, kur helikopteri i tyre u rrëzua në veriperëndim të Iranit, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë personave në bord.

Kryediplomati iranian ishte dyshues ndaj Perëndimit dhe mbështetës i zëshëm i “boshtit të rezistencës” - një rrjet i grupeve militante të Iranit që kundërshtojnë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.

Emërimi i tij në vitin 2021 u pa si mungesë e vullnetit të administratës së Raisit për t’u angazhuar me Perëndimin. Thuhej se ai fliste rrjedhshëm gjuhën arabe, ndërsa anglishtja e tij dukej e kufizuar.

I lindur në qytetin verior të Damghanit, në vitin 1960, Amir-Abdollahian nuk u regjistrua për të luftuar në luftën shkatërruese midis Iranit dhe Irakut më 1980-88.

Ai ndoqi universitetin dhe kreu doktoraturën në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ai u ngjit shpejt në shkallët e Ministrisë së Jashtme dhe pozita e tij e parë ishte në Ambasadën e Iranit në Irak, në fund të viteve 1990.

Diplomati i ri, atëkohë, u emërua në një delegacion prej tre personash, për ta përfaqësuar Iranin në bisedimet e rralla me Shtetet e Bashkuara për luftën në Irak.

Amir-Abdollahian shërbeu në role të ndryshme në ministri, përfshirë ambasador në Bahrejn, zëvendësministër për Çështjet Arabe dhe Afrikane dhe udhëheqës i Departamentit të Gjirit Persik.

Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian (majtas) ulur pranë presidentit iranian, Ebrahim Raisi.

Përfshirja e tij në marrëdhëniet e Teheranit me Irakun dhe në aktivitetet e IRGC-së në fqinjin perëndimor të Iranit, i mundësoi atij të krijonte një marrëdhënie me Qasem Soleimanin, komandant i Forcës Quds - krahut jashtë shtetit të IRGC-së. Soleimani u vra në një sulm ajror të SHBA-së pranë Bagdadit, në vitin 2020.

Përpara se të emërohej ministër i Jashtëm, ligjvënësi konservator, Ali Alizadeh, e cilësoi Amir-Abdollahianin si “Soleimani i diplomacisë”.

Në vitin 2016, mes thashethemeve se kishte konflikt me ministrin e atëhershëm të Jashtëm, Mohammad Javad Zarif, ai e refuzoi ofertën për t’u bërë i dërguar i Iranit në Oman dhe u largua nga ministria.

Por, shpejt pas kësaj, Amir-Abdollahian u emërua këshilltar për punët e jashtme i kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, Ali Larijani, ku qëndroi derisa u emërua ministër i Jashtëm.

Amir-Abdollahian la pas gruan dhe dy fëmijët e tyre./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat