Shpresa në Arabinë Saudite, pasi gratë lejohen t’i japin makinës

Azia

Shpresa në Arabinë Saudite, pasi gratë lejohen t’i japin makinës

Më: 28 shtator 2017 Në ora: 16:45
Arabi Saudite

Gratë në Arabinë Saudite siguruan një fitore të rëndësishme në betejën e tyre të vështirë për të fituar të drejtën për t’i dhënë makinës. Mbreti saudit, Salman bëri histori të martën kur nxorri një dekret mbretëror “që u jepte grave të drejtën për t’i dhënë makinës”. Mbretëria ultra-konservatore është kritikuar për kufizimin e të drejtave të grave më shumë nga çdo vend tjetër mysliman. Është i vetmi vend që i ndalonte gratë t’i jepnin makinës. Aktivistët që kishin luftuar kundër ndalimit, thonë se tani presin një zgjerim të mëtejshëm të të drejtave të grave në Arabinë Saudite.

As ligjet islamike, as ato saudite të trafikut, nuk i ndalojnë shprehimisht gratë që t’i japin makinave, por gratë në Arabinë Saudite nuk mundnin të merrnin patenta shoferësh. Ato që sfidonin këtë rregull dhe u jepnin makinave, arrestoheshin, megjithëse mbështeteshin nga anëtarët meshkuj të familjes.

Profesore Elham Al Ateeq i tha shërbimit Deewa të Zërit të Amerikës, se shoqëria është gati për ndryshim.

"Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për lirinë e gruas. Është e rëndësishme për të ecur përpara. Ne, burrave na është dhënë qasje në shumë aspekte dhe tani ky hap do t’u krijonte mundësi grave, veçanërisht atyre profesioniste që të përparojnë”.

Aktivistët theksojnë se kjo lëvizje është gjithashtu e rëndësishme për ekonominë, ndërsa gjithnjë e më shumë gra saudite hyjnë në tregun e punës.

"Roli ynë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në zhvillimin e Arabisë Saudite dhe kërkesat tona po rriten, nevoja për të përdorur makinat po rritet. Shoqëria po bëhet aktualisht më komplekse dhe më globale”, thotë aktivistja Madeha al-Ajroush.

Madeha Al-Ajroush mori pjesë në protestën e parë saudite kundër ndalimit të përdorimit të makinës në vitin 1990. Në tetor 2013, gratë saudite organizuan një protestë kombëtare, ku disa prej tyre u dhanë makinave në disa qytete kryesore.

"Bëhet fjalë edhe për të drejta të tjera, si për shembull që gratë të kenë kontrollin e jetës së tyre dhe jo të kenë një kujdestar mashkull, gjë që do ta shohim së shpejti”.

Gratë saudite thonë se kanë shënuar përparim të ndjeshëm vitet e fundit dhe do të vazhdojnë të luftojnë kundër kufizimeve.

"Gratë janë bërë më aktive në politikë, dhe duket se tani është kthyer në një lëvizje. Por ende kemi shumë për të bërë. Por roli që gratë po luajnë në botën akademike, në universitete, po rritet. Gratë janë përpjekur shumë”.

Komuniteti ndërkombëtar e ka përshëndetur heqjen e ndalimit të përdorimit të makinës për gratë, si një hap të madh përpara për shoqërinë saudite./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat