Iran: Garda thotë se protestat anti-qeveri kanë pësuar disfatë

Azia

Iran: Garda thotë se protestat anti-qeveri kanë pësuar disfatë

Më: 7 janar 2018 Në ora: 17:09
Protestues në Teheran

Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) thotë se protestave anti-qeveri, për të cilat fajësohen nxitësit e jashtëm, u është shkaktuar “disfatë”.

Në kumtesën e së dielës, kjo gardë tha se “populli revolucionar i Iranit së bashku me dhjetëra mijëra forca ushtarake, policia dhe Ministria e inteligjencës, e kanë thyer zinxhirin e trazirave të krijuara... nga Shtetet e Bashkuara, Britania”, Arabia Saudite, militantët dhe monarkistët.

Ky njoftim është publikuar pasi Parlamenti i Iranit e ka mbajtur një seancë të mbyllur për diskutimin e protestave anti-qeveri, që e kanë përfshirë këtë vend për më tepër se një javë.

Seanca parlamentare është thirrur nga grupi reformist i ligjvënësve, të cilët u kanë bërë pyetje zyrtarëve të sigurisë dhe të inteligjencës për shkaqet e revoltës, për të cilën Qeveria iraniane, po ashtu, i ka fajësuar të jashtmit.

Faqja në Internet e Parlamentit të Iranit ka raportuar se ligjvënësit u kanë bërë pyetje ministrit të Brendshëm, Abdolrahmani Fazli, ministrit të inteligjencës, Mahmoud Alavi, dhe zyrtarit të lartë të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, Ali Shamkhani.

Disa ligjvënës kanë shprehur shqetësim për kontrollin e internetit, që ishte zbatuar në mes të trazirave, përfshirë ndalesën e aplikacionit më të popullarizuar në Iran, Telegram, për të cilin zyrtarët iranianë kanë thënë se ishte shfrytëzuar për nxitjen e dhunës.

“Parlamenti nuk është në favor të mbajtjes së filtrimit të Telegramit, por duhet të përkushtohet se nuk do të përdoret si mjet nga armiqtë e popullit iranian”, tha zëdhënësi parlamentar, Behrouz Nemati.

Pothuajse, një e treta e popullatës 80 milionëshe në Iran, e shfrytëzon aplikacionin Telegram si burim kryesor të lajmeve dhe si mënyrë për t’i anashkaluar mediet shtetërore, që në shkallë të lartë janë të kufizuara.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë shprehur mbështetje për protestuesit, por i kanë hedhur poshtë akuzat për nxitjen e tyre.

Mediet shtetërore iraniane të dielën kanë transmetuar pamje direkte të ditës së pestë të tubimeve në mbështetje të Qeverisë, që janë organizuar nga autoritetet.

Mediet shtetërore nuk raportojnë për protestat anti-qeveri.

Por, Radio Evropa e Lirë/Radio Liria, ka marrë raporte të besueshme se protestat kanë vazhduar të shtunës në së paku nëntë qytete në Iran, përfshirë kryeqytetin Teheran, ku pamjet në mediet sociale tregojnë tubime, me gjithë praninë e madhe të forcave policore.

Radio Farda që vepron në kuadër të Radios Evropa e Lirë, ka marrë raporte të besueshme nga burimet në Iran, për demonstratat gjatë natës, kundër sundimit të klerikëve në këtë vend, në qytetet Takestan, Arak, Masjed Soleiman, Mashhad, Qazvin, Rasht, Lahijan dhe Khomein, që është qyteti i lindjes së Ajatollah Ruhollah Khomeini, themelues i Republikës Islamike të Iranit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat