Siri, Guta Lindore e braktisur dhe nën bombardim

Azia

Siri, Guta Lindore e braktisur dhe nën bombardim

Më: 8 mars 2018 Në ora: 22:55
Siri

Mjekët dhe anëtarët e ekipeve të emergjencave në zonën e rrethuar të Gutës Lindore në Siri thanë se nuk po ia dalin dot të përballen me fluksin e të plagosurve, pas një tjetër nate bombardimesh të ashpra që vranë më shumë se 90 persona.

Sulmet ajrore dhe predhat e artilerisë nuk lejuan as dërgimin e ndihmave për më shumë se 300 000 njerëz nën rrethim, ndërsa forcat e Bashar al Asad përparojnë në zonën rebele.

Raportet për përdorim armësh kimike në zonë nuk kanë të ndalur, ndërsa bilanci i përgjithshëm i viktimave prej ofensivës qeveritare që nisi më 19 Shkurt thuajse ka arritur 1 000.

Mjekët në Gutën lindore thanë se me dhjetëra njerëz u paraqitën në qendrat spitalore me probleme frymëmarrje, simptoma të ngjashme me ato që shkaktojnë armët kimike.

Komuniteti ndërkombëtar, pavarësisht kritikave verbale ndaj Sirisë dhe Rusisë, duket i dorëzuar dhe i pafuqishëm të ndalojë dhunën në Gutën Lindore, madje as ndihma nuk po mundet të çojë atje.

Karvani i OKB dhe Kryqit të kuq që duhej të hynte në enklavë të enjten u ndal për shkak të bombardimeve të ashpra. Zyrtarë të OKB-së në terren thanë se jo vetëm që nuk mundën të dërgojnë ndihmat, por forcat e Bashar al Asad, hoqën nga kamionët pajisje mjekësore dhe ilaçe.

Ushtria e Asad, me ndihmën ruse, ka mundur të ndajë më dysh Gutën Lindore dhe ka shtrënguar lakun rreth rebelëve, pavarësisht kostos së lartë në jetë civile.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat