Mbi 10 mijë civilë largohen nga Guta Lindore dhe Afrini

Azia

Mbi 10 mijë civilë largohen nga Guta Lindore dhe Afrini

Më: 17 mars 2018 Në ora: 16:53
Civilët sirianë duke u larguar nga rajoni i Afrinit

Mijëra civilë kanë ikur nga qytetet e tyre në lindje dhe jug të Sirisë më 17 mars. Ata kanë ikur nga ofensiva ushtarake e forcave qeveritare siriane në rajonin e kontrolluar nga rebelët në Gutan Lindore dhe në enklavën Afrin, ku Turqia po kryen operacion ushtarak.

Media shtetërore siriane ka thënë se mbi 10 mijë burra, gra dhe fëmijë janë larguar nga Guta Lindore, për në territoret e kontrolluara nga qeveria, teksa forcat siriane, të mbështetura nga Rusia, po vazhdojnë ofensivën e tyre në këtë enklavë, që gjendet në afërsi të kryeqytetit Damask.

Nga ofensiva janë vrarë mbi 1,390 civilë në këtë rajon, ka thënë Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me bazë në Britani.

Ndërkaq, një ofensivë tjetër është duke u ndërmarrë nga forcat turke, në rajonin Afrin, që kontrollohet nga kurdët.

Nga kjo ofensivë janë detyruar të largohen mbi 200 mijë civilë në tre ditët e fundit, ka thënë Vëzhguesi Sirian.

Gjithashtu thuhet se nga sulmet ajrore turke, që kanë goditur më 16 mars një spital në Afrin, janë vrarë nëntë persona.

Turqia ka mohuar se ka bombarduar këtë spital.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat