Palestinezët, kritika ndaj qëndrimit amerikan

Azia

Palestinezët, kritika ndaj qëndrimit amerikan

Më: 17 maj 2018 Në ora: 16:24
Hanan Ashrawi

Zyrtarja e lartë palestineze, Hanan Ashrawi ka akuzuar ambasadoren amerikane në Kombet e Bashkuara Nikki Haley se po përpiqet të frikësojë anëtarët e OKB-së që të mbështesin Uashingtonin. Haley tha vitin e kaluar se Shtetet e Bashkuara do të vëzhgojnë dhe do të mbajnë shënim emrat e vendeve që votojnë në kundërshtim me Amerikën. Zonja Ashrawi foli me gazetarët të mërkurën, një ditë pasi zonja Haley i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se dhuna vdekjeprurëse në kufirin e Gazës ishte nxitur nga militantët e Hamasit dhe mbështetësi i tyre kryesor, Irani. Rreth 60 protestues palestinezë janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në sulmet me bomba të Izraelit. Palestinezët në Gazë kanë protestuar për disa javë, duke kërkuar rikthimin në tokat që humbën gjatë krijimit të shtetit izraelit. Protestat u kthyen të dhunshme të hënën, kur Shtetet e Bashkuara përuruan ambasadën e tyre në Jerusalem.

Udhëheqës botërorë dhe grupe të të drejtave të njeriut kanë dënuar gjerësisht sulmet mbi protestuesit në Gazë. Palestinezët thonë se demonstratat disa javore nuk kanë paraqitur asnjë kërcënim për Izraelin.

"Palestinezët po protestojnë në Gazë në mënyrë paqësore. Në se shihni tym dhe zjarr, ato janë në tokën e tyre dhe e bëjnë për të krijuar një perde mbrojtëse në mënyrë që snajperat të mos të mund t’i shohin dhe t’i vrasin. Nga Izraeli vritesh edhe pa qënë i dhunshëm", thotë Hanan Ashrawi, anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës.

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara pretendojnë se protestuesit po përpiqeshin të shkelnin gardhin kufitar dhe duhej të ndaleshin. Ambasadorja Haley fajësoi të hënën udhëheqësit e Hamasit në Gazë për nxitjen e dhunës e cila përkoi me zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem.

"Ata që sugjerojnë se dhuna në Gazë ka të bëjë me vendndodhjen e ambasadës amerikane e kanë gabim. Dhuna vjen nga ata që refuzojnë ekzistencën e shtetit të Izraelit në çdo vend. Një motivim i tillë , shkatërrimi i një shteti anëtar i Kombeve të Bashkuara, është aq i paligjshëm sa që nuk ia vlen të harxhojmë kohën tonë në Këshillin e Sigurimit përveçse ta dënojmë atë".

Ashrawi e quajti fjalimin e zonjës Haley "tërësisht të shkëputur nga realiteti" dhe "shumë të rrezikshëm".

"Problemi kryesor është mosndëshkimi i Izraelit dhe mungesa e llogaridhënies nga ana e tij. Nuk dua të them më shumë për ambasadoren Haley. Vërtet mendoj se është jashtëzakonisht e vështirë të gjesh ndonjë lidhje mes realitetit dhe fjalëve që dëgjojmë nga ambasadorja amerikane këtu".

Zyrtarja palestineze ishte kritike ndaj zotimit të zonjës Haley vitin e kaluar për të mbajtur shënim emrat e vendeve që nuk pajtohen me Uashingtonin. Ajo tha se ambasadorja amerikane nuk ishte emëruar "komandante shkolle e botës".

"Ka vende që nuk frikësohen lehtë nga Shtetet e Bashkuara ose nga kërcënimet e përfaqësuesve amerikanë për të marrë emrat. Besoj se bashkësia ndërkombëtare pritet të bëjë atë që është e drejtë".

Shtetet e Bashkuara të martën bllokuan miratimin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një hetim të dhunës vdekjeprurëse në kufirin e Gazës./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat