Irani kundërshton propozimin ruso-saudit për rritje të prodhimit të naftës

Azia

Irani kundërshton propozimin ruso-saudit për rritje të prodhimit të naftës

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 14:41
Ministri iranian i Naftës, Bijan Zanganeh, foto nga arkivi.

Ministri iranian i Naftës, Bijan Zanganeh, është larguar nga negociatat me prodhuesit e tjerë të mëdhenj të naftës, pas propozimit të Rusisë dhe rivalit të Teheranit, Arabisë Saudite për rritje të prodhimit të kësaj lënde.

Largimi i Zanganehit nga takimi në Vjenë ka vënë në pikëpyetje nëse Rusia dhe Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) do të jenë në gjendje të arrijnë marrëveshje për rritjen e prodhimit të naftës në 1 milion fuqi në ditë.

Kjo njëherësh do të përbënte rritjen e parë të tillë të prodhimit të kësaj lënde, prej kur grupi ishte pajtuar për ndalim të prodhimit më 2016.

“Nuk mendoj se mund të arrijmë marrëveshje” për këtë propozim, ka thënë Zanganeh derisa është larguar nga takimi.

Gazeta iranine Seda, ka cituar burime anonime të kenë thënë se Zanganeh u ka thënë prodhuesve se rritja e propozuar do të ndikonte në zvogëlimin e prodhimit të naftës iraniane, e cila ka mundësi të ndodhë edhe për shkak të rivendosjes së sanksioneve amerikane kundër këtij vendi në vjeshtë të këtij viti.

Burime nga OPEC kanë thënë se Zanganeh ka kërkuar në takim që në komunikatën e lëshuar në fund të mbledhjes të përmenden edhe sanksionet amerikane, pasi Teherani i ka cilësuar këto të fundit fajtore për rritjen e ashpër të çmimeve të naftës.

Arabia Saudite dhe disa prodhues të Gjirit Persik kanë mbështetur Shtetet e Bashkuara në vënien e sanksioneve në Iran.

Pas largimit të Zanganeh, ministri saudit i Energjisë, Khalid al-Falih, ka thënë se shumica e prodhuesve të naftës janë pajtuar me rekomandimin ruso-saudit për të rritur prodhimin në 1 milion fuqi në ditë.

Moska dhe Riadi kanë thënë se OPEC duhet t’iu kushtojë vëmendje thirrjeve nga shtetet e mëdha që shfrytëzojnë këtë lëndë siç janë Kina, India dhe Shtetet e Bashkuara për të larguar masën e vitit 2016 për ndalim të prodhimit, sepse ky vendim do të ndikonte më pas në uljen e çmimit aktual.

“Konsumatorët tanë kanë folur zëshëm dhe ne duhet t’i dëgjojmë ata”, ka thënë Falih.

Mirëpo Irani i ka bërë thirrje grupit t’i rezistojë presionit të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka marrë vendim muajin e kaluar për të rivendosur sanksione ndaj Teheranit, pasi ka deklaruar për tërheqjen e SHBA-së nga pakti bërthamor që ka Irani me fuqitë botërore.

Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se rivendosja e sanksioneve amerikane në muajin nëntor mund të ndikojë në zvogëlimin e 4 milionë fuqive në ditë, sa është aktualisht në një të tretën.

Për dallim nga Irani, analistët kanë thënë se Rusia dhe Arabia Saudite kanë hapësira të mjaftueshme për të rritur prodhimin.

Ministri saudit Falih ka thënë se ndalja e prodhimit të naftës në Venezuelë, Libi dhe Angola ka reduktuar furnizimet globale për rreth 1 milion fuqi në ditë.

Ministri rus i Energjisë, Aleksandr Novak, që ka marrë pjesë në takimin 21 qershorit, ka thënë se është “shumë e rëndësishme” që tregu i naftës të mos “ndezet” siç ka ndodhur më 2008.

Novak i ka thënë agjencisë ruse të lajmeve TASS se pas takimit ai do të takohet me delegacionin iranian, duke tentuar të zbehë dallimet me pjesën tjetër të grupit.

Ai ka thënë se vendimi për propozimin e ri do të bëhet merret në takimin e 22 qershorit./rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat