Azerbajxhani burgos 14 persona për diskutime në rrjete sociale

Azia

Azerbajxhani burgos 14 persona për diskutime në rrjete sociale

Më: 10 korrik 2018 Në ora: 17:25
Ilustrim

Ministria e Brendshme e Azerbajxhanit ka thënë se 14 persona janë dënuar me burgim nga 10 deri në 30 ditë për komente të bëra në rrjete sociale, rreth ndërprerjes së energjisë elektrike dhe të shtënave drejt një zyrtari të lartë javën e kaluar.

Ministria ka thënë më 9 korrik se të 14 burrat janë burgosur pasi kanë bërë “thirrje joligjore në rrjetet sociale”.

Dy burra janë gjobitur derisa për tre të tjerë janë duke vazhduar hetimet, ka njoftuar kjo ministri.

Më 3 korrik, Azerbajxhani është përballur dy herë me ndërpreje të energjisë elektrike, që kanë prekur pothuajse tërë shtetin.

Autoritetet kanë thënë se një shpërthim në një stacion hidroelektrik në Mingacevir ka shkaktuar këtë problem.

Zyra e presidentit të këtij vendi, Ilham Aliyev ka thënë se koha e nxehtë dhe përdorimi i tepërt i ftohësve ka ndikuar në ndaljen e energjisë.

Në po të njëjtën ditë, një sulmues ka shtënë ndaj Elmar Valiyev, zyrtarit të lartë në qytetin e dytë më të madh Azerbajxhan, Ganca.

Ai dhe roja e tij janë plagosur pas të shtënave.

Ndërprejet e energjisë dhe të shtënat janë diskutuar gjerësisht në rrjetet sociale dhe në disa komente është fajësuar qeveria për këtë gjë.

Kundërshtarët e Aliyevit, shtetet Perëndimore dhe grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, kanë thënë se qeveria ka persekutuar vazhdimisht mediat e pavarura, gazetarët dhe politikanët opozitarë në ish-republikën sovjektike me 10 milionë banorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat