Djemtë e shpëtuar nga shpella në Tajlandë nuk marrin pjesë në finalen për Kupën e Botës

Azia

Djemtë e shpëtuar nga shpella në Tajlandë nuk marrin pjesë në finalen për Kupën e Botës

Më: 11 korrik 2018 Në ora: 09:02
Pamje nga operacioni i shpëtimit në shpellën në Tajlandë.

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka ftuar djemtë që janë shpëtuar nga një shpellë në Tajlandë, që të marrin pjesë në finale të Kampionatit për Kupën e Botës, që zhvillohet më 15 korrik në Moskë, mirëpo mjekët kanë thënë se është shumë herët që ata të udhëtojnë aq larg.

Anëtarët e fundit të grupit prej 13 personave janë nxjerrur të gjallë nga një shpellë më 10 korrik, duke u dhënë fund vuajtjeve 17 ditore, të cilat kanë fituar vëmendje ndërkombëtare.

Ata janë dërguar më pas në spital me helikoter, rreth 70 kilometra nga kompleksi i shpellës.

Djemtë e moshës, 11-16 vjeçare dhe trajneri i tyre gjenden në spital, derisa më vonë është planifikuar mbajtja e një konference për media për të kuptuar më shumë për shëndetin e tyre.

Pjesëtarët e grupit janë shpëtuar 17 ditë pasi ishin bllokuar në një shpellë në Tajlandë nga 23 qershori.

Kjo ngjarje ka fituar edhe vëmendjen e ekipeve në Kampionatin për Kupën e Botës në Rusi.

“Kjo fitore shkon për heronjtë e ditës, gëzuar djem, ju jeni të fortë”, është shprehur mesfushori francez, Paul Pogba në një postim në Twitter, pasi Franca ka fituar ndaj Belgjikës në këtë Kampionat. Në po të njëjtën kohë, njëri nga ekipet më të popullarizura në botë, Manchester United, ka ftuar djemtë dhe trajnerin e tyre të shkojnë në Angli dhe të shikojnë ndeshjet e tyre gjatë këtij sezoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat