Irani miraton masa kundër shpëlarjes së parave

Azia

Irani miraton masa kundër shpëlarjes së parave

Më: 11 gusht 2018 Në ora: 17:06
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei. Foto nga arkivi.

Një trup i lartë kushtetues i Iranit ka miratuar masat që janë aprovuar në Parlament, për të afruar vendin me normat ndërkombëtare, sa i përket masave kundër shpëlarjes së parave.

Këshilli Mbrojtës, trup që verifikon legjislacionin që kalon në Parlament, ka miratuar amendamentet që luftojnë financimin e terrorizmit, ka thënë zëdhënësi i këtij trupi, Abbas Ali Kadkhodaei.

“Amendamentet e ligjit për luftimin e financimit të terrorizmit nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe ligjet e Sheriatit”, citohet të ketë thënë për gazetarët Khadkodaei.

Kjo lëvizje vjen në kuadër të përpjekjeve që po bën Irani për të tërhequr investime të huaja, pavarësisht rivendosjes së sanksioneve amerikane, që vijnë pas vendimit të presidentit Donald Trump, për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

Organizata botërore për luftimin e krimeve financiare, e quajtur Task Forca për Veprime Financiare, në muajin qershor kishte deklaruar se Irani ka afat deri në tetor që të zbatojë reformat ose do të përballet me pasoja.

Qeveria e presidentit iranian, Hassan Rohani ka prezantuar një sërë ligjesh me qëllim që të adresojë shqetësimet e ngritura nga organizata për luftimin e krimeve financiare, duke shpresuar se kështu, Irani do të hiqet nga lista e zezë e kësaj organizate.

Disa deputetë në Parlamentin iranian kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi standardet që u është kërkuar iranianëve të plotësojë, pasi ata frikësohen se me ligje të tilla, do të pamundësohet financimi i grupeve të tilla si Hezbollah, e cila nga Shtetet e Bashkuara konsiderohet organizatë terroriste.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei në qershor kishte deklaruar se Parlamenti duhet të kalojë ligje që luftojnë shpëlarjen e parave dhe ligje kundër terrorizmit dhe sipas tij, nuk duhet që të punojë që të plotësojë standardet ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat