Iraku nuk do të respektojë të gjitha sanksionet e SHBA-së ndaj Iranit

Azia

Iraku nuk do të respektojë të gjitha sanksionet e SHBA-së ndaj Iranit

Më: 13 gusht 2018 Në ora: 20:01
Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi

Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi tha sot se Qeveria e tij do të respektojë vetëm ndalimin e përdorimit të dollarit, kur do të bëhen transaksione me Iranin, por, nuk do t’i përmbahet të gjitha sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj Teheranit.

“Përkushtimi ynë, sa i përket çështjes së Iranit, është se nuk do ta përdorim dollarin si monedhë për transaksione dhe jo të respektojmë në tërësi sanksionet e SHBA-së”, citohet të ketë thënë Abadi gjatë një konference për media, raporton agjencia Reuters.

Deklarata e sotme e Abadit është në kundërshtim me komentet që ai kishte bërë javën e kaluar, kur tha se Iraku nuk pajtohet me sanksionet e vendosura nga SHBA-ja ndaj Iranit, por se do t’i respektonin ato, me qëllim që të mbrohen interesat e shtetit.

SHBA-ja dhe Irani janë aleatët kryesorë të Irakut.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar rivendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Iranit. Trump, në muajin maj, tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore mes Teheranit dhe fuqive botërore, duke argumentuar se Irani nuk e ka respektuar këtë pakt.

Marrëveshje e arritur më 2015, mes Iranit dhe fuqive botërore, i mundësonte Teheranit lehtësim të sanksioneve, në këmbim të frenimit të programit bërthamor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat