Pakistani do të kërkojë ndihmë financiare nga vendet mike dhe FMN-ja

Azia

Pakistani do të kërkojë ndihmë financiare nga vendet mike dhe FMN-ja

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 20:38
Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan.

Pakistani do të kërkojë ndihmë financiare nga vendet mike në vlerë të 12 miliardë dollarëve, në mënyrë që të mënjanojë krizën e pagesave të huasë, ka thënë kryeministri, Imran Khan.

Në komentet e tij në një fjalim televiziv më 10 tetor ai lënë të kuptohet se Qeveria e tij do të kërkojë kredi nga Arabia Saudite dhe Kina si dhe ndihmë shtesë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Riadi dhe Pekini i kanë ndihmuar edhe në të kaluarën Pakistanit në aspektin financiar.

Khan ka thënë se deficiti buxhetor aktual është në shifër rekorde prej 18 miliardë dollarëve.

“Ne nuk kemi mjaftueshëm dollarë për të paguar këstet e kredive”, ka thënë ai.

“Ne kemi diskutuar dhe kemi vendosur që të kërkojmë ndihmë nga shtetet mike dhe FMN-ja”.

Ish-ylli i kriketit ka thënë se Pakistanit i duhet ndihmë financiare në vlerë të 12 miliardë dollarëve, mirëpo kjo nuk duhet konsideruar si çështje e madhe.

“Ne do të dalim nga kjo gjendje. Unë do të jem në krye”, ka shtuar ai.

Përveç tjerash, ai e ka përshkruar këtë gjendje financiare si “dhuratë nga Qeveria e kaluar”.

“Dua t’iu them të gjithëve të jeni të fortë dhe të mos shqetësoheni. Kjo është periudhë e shkurtër e cila do të kalojë shumë shpejt”, ka deklaruar ai.

Khan, i cili ka nisur udhëheqësinë në muajin korrik, ka kërkuar edhe për mënyra tjera para se të synojë marrjen e huasë në FMN.

Madje ai pati thënë se Qeveria e tij do të trokiste në derë të këtij Fondi vetëm kur të mbetet zgjedhja e fundit, mirëpo duke marrë parasysh situatën aktuale, ai ka udhëzuar ministrin e Ekonomisë në Qeverinë e tij që të nisë negociatat me Fondin Monetar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat