Irani: Sanksionet e SHBA-së do të kenë "pasoja të rënda" për rendin botëror

Azia

Irani: Sanksionet e SHBA-së do të kenë "pasoja të rënda" për rendin botëror

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 16:38
Ministri i Jashtëm iranian, Mohammed Javad Zarif, foto nga arkivi.

Sanksionet amerikane kundër Iranit do të kenë “pasoja të rënda” për rendin botëror, ka thënë ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, disa ditë para se sanksionet amerikane të godasin eksportin e naftës së Teheranit.

Uashingtoni ka rikthyer sanksionet kundër valutës, metaleve dhe sektorit të automjeteve në muajin gusht, pasi është tërhequr nga pakti bërthamor i vitit 2015, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Vala e dytë e sanksioneve që shënjestrojnë sektorin bankar dhe atë të energjisë iraniane do të nisin së zbatuari më 5 nëntor, meqë presidenti amerikan, Donald Trump synon të ndalojë plotësisht blerjen e naftës nga Republika Islamike.

“Fatkeqësisht një shtet që ka thyer ligjin (Shtetet e Bashkuara) kërkon të ndëshkojë një shtet (Iranin) që është duke zbatuar ligjin. Kjo metodë do të ketë pasoja të rënda për rregullin botëror”, është cituar të ketë thënë Zarif nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, gjatë vizitës në Stamboll.

Megjithatë, Zarif ka thënë se “amerikanët nuk kanë arritur qëllimet e tyre duke vënë sanksione joligjore kundër Iranit”.

Teherani ka thënë se ka zbatuar plotësisht paktin bërthamor dhe përkushtimi i tij është përsëritur vazhdimisht edhe nga vëzhguesi i Kombeve të Bashkuara për çështje atomike.

Mirëpo Trump në anën tjetër është ankuar se pakti, që është nënshkruar në kohën e ish-presidentit amerikan, Barack Obama nuk përfshin raketat balistike të Iranit, rolin në luftërat rajonale dhe atë se çfarë do të ndodhë pasi pakti të skadojë më 2025.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat