Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka marrë një vendim të rëndësishëm

Basketboll

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka marrë një vendim të rëndësishëm

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 12:20
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka marrë një vendim të rëndësishëm

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), gjithnjë duke u bazuar në Planin Strategjik të FBK-së 2021-2025 ka marrë vendim që nga sivjet t’i kushtojë rëndësi të veçantë basketbollit 3×3 duke qenë se nga 2021 do të jetë disiplinë olimpike, njofton FBK-ja.

Me këtë rast Bordi i FBK-së në fillim të këtij viti e ka parë si prioritet vendosjen e një sërë kriteresh minimale për organizim të turneve të basketbollit 3×3 në Kosovë, me qëllim që në vitet e ardhshme të kemi rregullore precize, rrjet të zhvilluar të promotorëve privatë dhe kalendar të garave që FBK e mbikëqyrë.

Bordi i FBK-së për vitin kalendarik 2021 ka miratuar këto kritere për organizim të një turneu të basketbollit 3×3, pa të cilat FBK nuk do të mund të përkrahë asnjë promotor, qoftë me financa, qoftë me pajisje, qoftë me gjyqtarë apo personel ndihmës:

Të gjithë organizatorët që kërkojnë çfarëdo ndihme të FBK-së, duhet të regjistrojnë turneun e tyre në platformën e FIBA-s dhe të marrin konfirmimin FIBA Endorsed.

Të gjithë organizatorët që kërkojnë çfarëdo ndihme të FBK-së, duhet të dërgojnë datat dhe detajet organizative të turneut (vendin, numrin e ekipeve, nivelin e turneut), së paku 30 ditë më herët, ashtu që FBK të caktojë gjyqtarët dhe personelin ndihmës dhe të sigurohet se nuk ka përplasje datash (kjo vlen sidomos për stinën e verës).

Të gjithë organizatorët që kërkojnë çfarëdo ndihme të FBK-së, duhet që në platformën e FIBA-s, të konfirmojnë profilet e lojtarëve pjesëmarrës në turne dhe të ngarkojnë të gjitha rezultatet e të gjitha ndeshjeve. Këto më pas gjenerohen në raportin pas turneut dhe mundësojnë rangim të saktë të lojtarëve dhe të ekipeve.

Të gjithë organizatorëve që kërkojnë çfarëdo ndihme të FBK-së, u rekomandohet fuqishëm që të angazhojnë mbajtësit e statistikës dhe gjyqtarët ndihmës të licencuar nga FBK, me qëllim të sigurimit që turnetë organizohen sipas rregullave të FIBA-s.

FBK merr përsipër organizimin e së paku një punëtorie (online ose me pjesëmarrje fizike) për mbajtësit e statistikës dhe gjyqtarët ndihmës për turnetë 3×3.

Krahas kritereve të lartëpërmendura FBK është e gatshme të përkthejë literaturë të FIBA-s për basketbollin 3×3, ose nëse lejon situata me pandemi, të organizojë edhe një seminar për organizatorët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat