FBK merr vendim, ndeshja Kosovë-Norvegji nuk zhvillohet në Prishtinë

Basketboll

FBK merr vendim, ndeshja Kosovë-Norvegji nuk zhvillohet në Prishtinë

Më: 24 dhjetor 2021 Në ora: 16:14
Foto ilustrim

Krerët e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) kanë mbajtur sot një mbledhje e cila kishte për qëllim përmbledhjen e vitit 2021.

Po ashtu, temë diskutimi e mbledhjes së sotme të FBK-së ishin edhe projektet e vitit të ardhshëm, ndërsa u miratuan edhe disa vendime, përcjell KosovaPress.

Ndër vendimet e miratuara nga FBK ishte edhe ai që ndeshja mes Kosovës dhe Norvegjisë të zhvendoset në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, ndeshje kjo e vlefshme për parakualifikime drejt FIBA Eurobasket 2025.

Ndërkaq, FBK vendosi që të hap konkursin për organizimin e “FINAL 8” Kupës së Kosovës 2022 që mbahet prej 3 deri më 13 Janar 2022.

Të gjitha vendimet e marra nga Federata e Basketbollit të Kosovës në mbledhjen e sotme i gjeni më poshtë.

1.E ka riemëruar për një mandat shtesë (4 vjeçar) Sekretaren e Përgjithshme të FBK-së, znj. Elvira Dushku.

2. E ka miratuar Raportin e Punës për ecurinë e implementimit të Planit Strategjik të FBK-së (2021-2025) për nëntë mujorin e parë të vitit 2021.

3. I ka miratuar propozim ndryshimet në Statutin e FBK-së (përfshirjen e SPOC personit në Statut me kërkesë të FIBA-s).

4. Ka vendosur të hap konkursin për organizimin e FINAL 8 Kupës së Kosovës 2022 prej 3 deri më 13 Janar 2022.

5. E ka miratuar Raportin e Punës për vitin 2021.

6. E ka miratuar Planin e Veprimit 2022.

7. E ka miratuar Planin e Marketingut 2022.

8. E ka miratuar Planin Financiar 2022.

9. Ka vendosur që ndeshja Kosovë – Norvegji në kuadër të parakualifikimeve për FIBA Eurobasket 2025 më 27 shkurt 2022 të zhvillohet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat