​Fetahu: Jemi gati, na pret një kampionat me garë të jashtëzakonshme

Basketboll

​Fetahu: Jemi gati, na pret një kampionat me garë të jashtëzakonshme

Më: 10 shtator 2022 Në ora: 11:08
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu

Do të nis sot edicioni i ri i Superligës së Kosovës në basketboll që bazuar në përgatitjet dhe përforcimet e skuadrave pjesëmarrëse, premton të jetë jashtëzakonisht interesante.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e mbarshëm të këtij edicioni dhe premton se do të jetë një garë shumë e fortë duke nisur që nga xhiro e parë.

Fetahu: Na pret një stinor i shumë interesant

“Ne jemi të gatshëm për ta filluar ligën, edicionin e ri këtë vit. Klubet janë mobilizuar shumë, kanë punuar shumë, shihet që ekziston një dëshirë për t’u paraqitur sa më mirë dhe kjo natyrisht se na jep kënaqësi të madhe. Është me fat basketbolli i Kosovës që këtë vit do t’i ketë tetë ekipe të cilat janë më konkurrente të cilat do ta bëjnë më të panjohur garën deri në fund. Kjo është bukuria e basketbollit, kjo është ajo që na veçon. Në anën tjetër, transferimet të cilat i kanë pasur klubet çoftë lojtarëve vendorë çoftë të huaj të cilët i kanë sjellë këtu japin një lloj fryme të optimizmit që do të kemi një stinor interesant dhe atë që nga xhiro e parë e tutje.”, tha Fetahu.

Skuadra si Golden Eagle Ylli, Sigal Prishtina dhe Trepça do ta përfaqësojnë Kosovën në garat evropiane këtë sezon dhe kjo sipas Fetahut, është një arritje e madhe që tregon se basketbolli i vendit tonë, është në rrugën e duhur të ngritjes së cilësisë nga viti në vit.

Fetahu: Pjesëmarrja në garat ndërkombëtare arritje e madhe për basketbollin tone

“Për basketbollin e Kosovës është shumë e rëndësishme që të kemi pjesëmarrje në garat ndërkombëtare. Edhe ne jemi shumë me fat që të tri ekipet të cilat e kanë fituar këtë të drejtë për pjesëmarrje përmes garave të vitit të kaluar e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë dhe sivjet janë pjesëmarrëse. Ne kemi pasur pjesëmarrje nëpër garat ndërkombëtare edhe në të kaluarën dhe kemi pasur paraqitje mjaftë të mira dhe këto paraqitje të mira neve na e ngritin reitingun, çoftë klubit çoftë shtetit na e ngritin reitingun për kompeticionet e klubeve në Evropë dhe kjo është natyrisht fatlume dhe e mirë për basketbollin e Kosovës...Unë iu urojë të triave shumë fat dhe shpresoj që të tria të kalojnë nëpër fazën e grupeve, por edhe mos kalimi i fazës së grupeve nuk është rezultat i cili të na befasoj apo rezultat i keq.”, ka thënë Fetahu.

Përtej organizimit të garave, Federata e Basketbollit po punon edhe në procesin e rilicensimit që është kërkuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Fetahu bënë të ditur se kësaj federate i është kërkuar edhe organizimi i një kuvendi statutar.

Fetahu: MKRS ka kërkuar që të organizojmë kuvend statutar

“Kushtet e reja të rilicensimit për federata sportive të cilat janë përcaktuar me duhëzimin administrativ janë të ndryshme nga ato të cilat i kemi pasur më parë edhe neve na është paraqitur një sërë hapash të cilët duhet t’i ndërmarrim për të siguruar ose garantuar pajtueshmëri me këto kushte të reja të licensimit. Një prej tyre, për fatin ton të keq, që duhet të organizojmë një kuvend statutar në të cilin duhet t’i miratojmë disa ndryshime në statut për shkak se kushtet e reja të licensimit parashohin që disa çështje të caktuara të rregullohen vetëm me statut dhe kurrsesi me akte të tjera normative”, shtoi Fetahu.

I pari i FBK-së shton se ky proces i nisur nga MKRS nuk ka pasur ndikim në të hyrat buxhetore por se do t'u shkaktojë atyre disa shpenzime shtesë.

Fetahu: Do të kemi shpenzime shtesë për shkak të rilisencimit

“Nuk është ky rasti me federatën tonë për shkak se ne nuk kemi pasur të paraparë që të pranojmë fonde në këtë fazë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Neve natyrisht se na shkakton telashe organizative dhe do të na shkaktojë një kosto shtesë organizimi i një kuvendi i cili nuk ka qenë i paraparë në buxhetin e vitit të kaluar por si do që të jetë ky është një hap që ne jemi ftuar ta ndërmarrim dhe ne do ta ndërmarrim, do ta kryejmë këtë punë dhe do të shkojmë tutje.”, tha në fund Fetahu.

Sot do të zhvillohen dy ballafaqimet e para ku ndeshen Rahoveci-Golden Eagle Ylli dhe Bashkimi-Vallëzimi, kurse të dielën ballafaqohen Sigal Prishtina me Pejën dhe Trepça me Ponte Prizrenin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat