Flamurtari - Bashkimi, sot finalja e Superkupës Mbarëkombëtare

Basketboll

Flamurtari - Bashkimi, sot finalja e Superkupës Mbarëkombëtare

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 11:50
Flamurtari - Bashkimi, sot finalja e Superkupës Mbarëkombëtare

Flamurtari dhe Bashkimi janë ekipet fi naliste të Superkupës Mbarkombëtare në basketbollin e femrave, aktivitet që po mbahet në qytetin e Prizrenit.

Vlonjatet dhe prizrenaset kaluan dje me sukses gjysmëfinalet, teksa fituan përkatësisht ndaj Partizanit dhe Penzës, e tashmë do të matin forcat për trofeun në finalen e sotme, takim që do të startojë në orën 19:00.

Derbi i ekipeve shqiptare ishte edhe sfida e parë gjysmëfinale që hapi Superkupën Mbarëkombëtare.

Një takim i luftuar, por suksesi shkoi për ekipin vlonjat, që pasi i kishte mundur disa ditë më parë në kampionat, regjistron një tjetër triumf ndaj të kuqeve, këtë herë në eventin mbarëkombëtarë.

Flamurtari e nisi lojën me 4 lojtare të huaja në formacion dhe me Tea Memushin që plotësoi pesëshen titullare.

Te Partizani numri i të huajave në parket ishte tre, ndërsa në këtë takim bëri debutimin edhe bjellorusja Brych.

Ndeshja nisi dy 3-pikësha të amerikaneve Jacobsson e Benally për Flamurtarin, ndërsa për të kuqet serinë e koshave e hapi Mathis me një 2-pikësh.

Më tej në parket shifrat u ekuilibruan, me skuadrat që i përgjigjeshin njëra-tjetrës thuajse kosh për kosh, teksa perioda e parë u mbyll me avantazhin e ngushtë 19-21 për Partizanin.

Në 10-minutëshin e dytë ishte Flamurtari që e mori në kontroll lojën, për ta fituar këtë fraksion 16-8, duke shkuar në pushimin mes dy pjesëve në kryesim 35-29.

Edhe në periodën e tretë vajzat e drejtuara nga Elona Hasanaj ishin më të sakta në lojë, për ta fituar këtë 10-minutësh 18-12, duke e thelluar avantazhin e përgjithshëm në 53-41 pas 3 periodash.

Me gjithë përpjekjet e kryeqytetaseve të Eliverta Bujarit, të cilat e fituan periodën e katërt 14-19, vlonjatet nuk e vendosën për asnjë moment në diskutim suksesin, duke dalë me triumfin 67-60 nga kjo sfidë, për të siguruar kështu finalen.

Për sa u përket paraqitjeve individuale, për Flamurtarin spikatën Samra Omebasiç me 23 pikë e 9 ribaunde si dhe Tea Memushi me 15 pikë, 9 ribaunde dhe 7 asiste. Për Partizanin lojtaret më të mirë në këtë takim ishin Ketjona Fekollari me 18 pikë dhe Jomyra Mathis me 16.

Derbi i skuadrave kosovare rezultoi një sfidë me më shumë rivalitet, e cila dhuroi emocione deri në sekondën e fundit. Por vendëset e Bashkimit arritën që të triumfonin me rezultatin minimal 70-69 (20-15, 18-15, 17-17, 15- 22).

Aleksandra Sasha me 21 pikë e 13 ribaunde ishte lojtarja me rendimentin më të lartë për Bashkimin. Për ekipin pejan, spikatën Jenkins me 13 pikë e 17 ribaunde dhe Zeka e Thompson me nga 17 pikë secila, por pa mundur që ta shmangin disfatën e Penzës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat