Shoshi pas disfatës në Debrecen: Bëmë disa gabime

Basketboll

Shoshi pas disfatës në Debrecen: Bëmë disa gabime

Më: 27 nëntor 2017 Në ora: 17:49
Lis Shoshi në veprim

Një ndër basketbollistët më të dalluar të Përfaqësueses së Kosovës në duel me Hungarinë, Lis Shoshi pas disfatës në Debrecen ka deklaruar se pavarësisht humbjes ai është i kënaqur me faktin se skuadra ka luajtur më mirë se në ndeshjen e parë kundër Lituanisë në shtëpi. Ai po ashtu ka shtuar se do të punojnë në atë drejtim që të përmirësohen edhe më shumë në mënyrë që në ndeshjet e radhës të arrijnë rezultate pozitive.

"Ishte me të vërtetë një ndeshje e fortë. E përgëzoj Hungarinë për fitoren. Mendoj se kemi luajtur më mirë se dy ditë më parë kur u përballëm me Lituaninë në Prishtinë. Jemi përgatitur mjaft mirë për këtë ndeshje, këtë e dëshmuam edhe në fushë, përveç çerekut të tretë. Unë mendoj se kjo e bëri diferencën në fushë, kur kundërshtari ia doli të krijoj epërsi dyshifrore. Krahas kësaj unë mendoj se ne luajtëm mirë, bëmë disa gabime, por unë jam krenar se si ne po luajmë, tani e tëra që na mbetet është të punojmë për t'u bërë skuadër edhe më e mirë. Hungaria është ekip i mirë, ata kanë luajtur në Eurobasket 2017, kështu që ne e kemi bërë më të mirën kundër një kundërshtari të fortë".

Duhet theksuar se Kosova i ka regjistruar dy humbje në Dritaren e Parë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”, nga Lituania në shtëpi dhe nga Hungaria si mysafire.

Dritarja e Dytë do të luhet në muajin shkurt të vitit të ardhshëm dhe Përfaqësuesja jonë të dyja ndeshjet do t’i luaj si mysafire, ndaj Polonisë dhe Lituanisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat