Ngjarjet që e përshkuan basketbollin në vitin 2017

Basketboll

Ngjarjet që e përshkuan basketbollin në vitin 2017

Më: 24 dhjetor 2017 Në ora: 17:51
Pamje nga një ndeshje

Viti 2017 ka qenë shumë i ngjeshur, por edhe i frytshëm për Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK). Krahas aktiviteteve në nivel të garave, ku janë zhvilluar ligat e të gjitha kategorive, prej atyre U-12 e deri te seniorët, në të dyja konkurrencat, FBK sivjet ka pasur sfida nga më të ndryshmet, si në nivelin vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar, raporton FBK.

Janë organizuar kampe të të rinjve në koordinim me FIBA-n, pastaj seminare për trajnerë, gjyqtarë, vëzhgues, po ashtu në bashkëpunim me FIBA-n, ndërsa ka pasur vizita të ndërsjella, si të zyrtarëve të lartë të FIBA-s në Kosovë, ashtu edhe të atyre të FBK-së  në  FIBA,  dhe të gjitha këto për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin  në mënyrë që të arrijmë deri te zhvillimi i kuadrove të basketbollit kosovar në të gjitha lëmitë.

Në 2017, Kosova ka arritur suksese historik, pasi e ka siguruar një vend për në kualifikimet për Kupën e Botës “Kina 2019”, duke u bërë pjesë kështu e 32 ekipeve kombëtare që janë duke garuar në këtë kompeticion.

Në nivel të klubeve në 2017, Sigal Prishtina ka debutuar në Basketball Champions League, pastaj ka luajtur në FIBA Europe Cup, derisa në Ligën Ballkanike kanë garuar Sigal Prishtina,  Peja, Trepça dhe Bashkimi në konkurrencën e meshkujve, derisa synimi është që në 2018 të kemi edhe një klub të femrave në gara ndërkombëtare.

Shikuar në tërësi është bërë një punë e madhe, por edhe më e madhe pritet të jetë ajo në vitin 2018, ku FBK në krye me kryetarin e saj, Erolld Belegun dhe Bordin, janë të gatshëm për të gjitha sfidat që e presin federatën në vitin që po vjen.

Më poshtë mund të gjeni disa nga ngjarjet më të rëndësishme që e kanë përshkuar vitin 2017 në basketbollin kosovar:

- Më 7 dhe 8 Janar 2017 në Prishtinë është mbajtur Klinika për gjyqtarët dhe vëzhguesit kosovarë, e cila është udhëhequr nga instruktori i FIBA-s, anglezi Mark Paton. Në fakt kjo ishte Klinika e parë e këtij lloji që është organizuar nga FIBA në Kosovë, ku gjyqtarët ndihmës janë njoftuar me punën dhe udhëheqjen e punës së tavolinës zyrtare. Kështu gjyqtarët ndihmës e kanë pasur rastin të informohen rreth programit DSS (Digital Scoresheet-Procesverbali i ndeshjes në mënyrë digjitale), si dhe i janë nënshtruar testeve nga njohja e rregullave dhe punës së tavolinës zyrtare.

- Më 10 Janar në organizim të Federatës së Basketbollit të Kosovës në Prishtinë është mbajtur Klinika për gjyqtarët e Superligës së Kosovës nën patronazhin e programit FIBA SCOD.  Klinika është  udhëhequr nga instruktori i FIBA-s,maqedonasi  Gjorgji Piperkov, ndërsa kanë marr pjesë 25 gjyqtarë nga elita e basketbollit kosovar.

-  Prej 13 deri më 15 Janar, Kosova ka marr pjesë në turneun ndërkombëtar që është organizuar në Shkup të Maqedonisë me grupmoshën U-14/15 në konkurrencën e meshkujve. Ky turne është organizuar në kuadër të projektit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja të FIBA Europe, i cili udhëhiqet nga Federata e Basketbollit e Turqisë, ndërsa implementohet nga Rumania, Kosova, Bullgaria dhe Maqedonia.

- Më 1 dhe 2 Shkurt në Munich të Gjermanisë është mbajtur një Punëtori (Workshop) e organizuar nga FIBA , me qëllim përgatitjen sa më të mirë të Federatave Nacionale për organizim të parakualifikimeve dhe kualifikimeve për Kupën e Botës “Kina 2019”. Federatën  e Basketbollit të Kosovës (FBK) në këtë event e kanë përfaqësuar dy pjesëtarë të stafit të FBK-së.

-  Prej 3 deri më 5 Shkurt është mbajtur Kampi për gjyqtarët fillestarë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri. Kampi është udhëhequr nga Instruktori Nacional i FBK-së, Faton Kurshumlija.

- Më 8 Shkurt, FBK e ka bërë shpërndarjen e topave Molten, madhësia 5 (mini-basket topa) për klubet e Ligës U-12. Topat ishin donacion i FIBA-s për FBK-në. Klubet që kanë përfituar nga ky donacion, janë ato të Ligës U-12.

-  Më 19 Shkurt 2017 është mbajtur Kuvendi i Punës i FBK-së në sallën e Asamblesë Komunale në Mitrovicë. Në Kuvendin e Punës, krerët e FBK-së kanë raportuar para delegatëve për Veprimtarinë e Punës. Delegatët e kanë miratuar njëzëri Raportin e Punës, Raportin e Përfaqësueseve dhe Raportin Financiar dhe të Auditimit, Planin e Veprimit dhe draft-buxhetin për vitin 2017, të cilat po ashtu u miratuan njëzëri nga delegatët. Është miratuar edhe Rregullorja e Arbitrazhit, që ishte edhe pika e fundit e Rendit të Ditës.

-  Turneu Final i Kupës së Kosovës është zhvilluar më 17 dhe 19 Shkurt në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, ku në gjysmëfinalet e 17 shkurtit, Sigal Prishtina e ka mposhtur Trepçën dhe Peja ishte skuadër më e mirë se Bashkimi. Në finalet e luajtura më 19 shkurt, dy ekipet nga Prishtina, Sigali (meshkujt) dhe Prishtina (femrat) kanë arritur të fitojnë trofeun e Kupës, duke i mposhtur pikërisht dy skuadrat nga Peja, Pejën dhe Penzën.

-  Prej 23 deri më 25 shkurt në organizim të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Shoqatës së Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK) është mbajtur Seminari për trajnerë të basketbollit. Në këtë seminar ka ligjëruar trajneri i mirënjohur slloven, Anton Krump, njëherësh edhe instruktor i FIBA-s.

-  Prej 24 deri më 26 Shkurt në organizim të FIBA-s dhe të FBK-së në Gjakovë është mbajtur Klinika për Gjyqtarët Kandidatë Potencial (Nacional) për thirrje të FIBA-s. Në këtë Klinikë kanë ligjëruar Dragan Medan dhe Gjorgi Piperkov, instruktor të FIBA-s. Duhet theksuar se kjo është hera e dytë radhazi që Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) i besohet një organizim i tillë.

-   Më 1 Mars, Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës e ka emëruar Këshillin Profesional, përzgjedhësit dhe ndihmësit e Përfaqësueseve të Kosovës të grupmoshave U-16, U-18, U-20 meshkujt dhe U-16 e U-18 femrat.  

-  Më 3 Mars, FIBA Evropa e ka konfirmuar pjesëmarrjen e 80 basketbollistëve/basketbollisteve për projektin inovativ "Time-Out". Projekti është unik dhe ka në shënjestër lojtarët që janë pensionuar së fundi nga basketbolli dhe të cilët dëshirojnë të vazhdojnë karrierën e tyre në sport jashtë fushës. FBK në këtë program e ka nominuar Elvira Dushkun, ish-basketbolliste e Universitetit të Prishtinës, fituese e dhjetra trofeve në Kosovë, tani në rolin e ushtrueses së detyrës së Sekretares së Përgjithshme dhe Ard Islamin, ish-basketbollist i të gjitha gjeneratave të Prishtinës, si dhe së fundi ka luajtur për ekipin e RTV21. Islami është i punësuar në FBK në rolin e zyrtarit të financave.

-  Më 6 Mars, FBK e ka emëruar trajnerin e mirënjohur slloven dhe instruktorin e FIBA-s, Anton Krump si kryetar të Këshillit Profesional dhe me të së bashku e ka hartuar programin për Edukimin dhe Licencimin e Trajnerëve në Kosovë. Këtij procesi i janë nënshtruar të gjithë trajnerët dhe në edicionin 2017/18 në asnjë ligë të Kosovës, të asnjë rangu nuk kanë mundur të punojnë trajnerët që nuk janë pjesë e programit apo që nuk i kanë përmbushur kriteret dhe rrjedhimisht nuk është bërë licencimi i tyre.

-  Më 13 Mars janë bërë dy vjet që nga anëtarësimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA). FBK më 13 mars 2015 u pati bërë anëtarja e 215-të e FIBA-s, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIBA-s të mbajtur në Gjenevë. Që nga ajo kohë e deri më tani basketbolli kosovar është përballur me sfida nga më të ndryshmet, por në të njëjtën kohë ka provuar edhe aventura dhe suksese të reja ndërkombëtare.

-  Më 14 Mars, FIBA Evropa e ka njoftuar zyrtarisht FBK-në se dy trajnerë kosovarë, Ilir Selmani dhe Ismet Ferati janë pranuar në programin e FECC-së (FIBA Europe Coaching Certificate) që do të zgjas dy vjet (2017-2019) dhe më pas të njëjtit do të kenë mundësi edhe të certifikohen. Duhet theksuar se në programin e FECC-së të periudhës, 2015-2017, Kosova ka qenë i vetmi shtet që i ka pasur tre trajnerë e ata janë Dritëro Sefaja, Edon Godeni dhe Petrit Zeqiri, të cilët së shpejti pritet të certifikohen në këtë program të FIBA Europe.

-  Më 8 Prill, kryetari i FBK-së, Erolld Belegu në Stamboll është takuar me presidentin e FIBA Europe, Turgay Demirel. Gjatë këtij takimi numri një i FBK-së, e ka njoftuar kreun e FIBA Europe për zhvillimet më të reja në basketbollin kosovar, ndërsa Demirel edhe një herë e ka shprehur gaditshmërinë e tij dhe të institucionit që ai e udhëheq për të ndihmuar në zhvillimin e basketbollit kosovar nëpërmjet shkollimit të trajnerëve, gjyqtarëve, vëzhguesve, stafit të FBK-së, dhe nëpërmjet projekteve të ndryshme për kategori të reja.

- Më 8 Prill, Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK) e ka mbajtur Kuvendin e saj Zgjedhor, ku ndër të tjera është miratuar edhe draft-statuti i ri i SHTBK-së. Ndërkaq si pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe prezantimi i Programit të sistemit të Edukimit dhe Licencimit të Trajnerëve, pikë kjo që u prezantua nga kryetari i Këshillit Profesional të FBK-së, Anton Krump. Po ashtu Arben Krasniqi njëzëri u votua edhe për një mandat nga delegatët e pranishëm për kryetar të SHTBK-së.

-  Më 14 Prill, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës (MKRS) dhe Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimin me qëllim të mbështetjes financiare për arritjen e objektivave dhe synimeve të federatës për vitin 2017. MKRS ka vendosur që FBK-në ta mbështet me 210 mijë euro.

- Më 23 Prill, kryetari i FBK-së Erolld Belegu para Bordit e ka prezantuar përzgjedhësin e ri të Përfaqësueses A të Kosovës, strategun e mirënjohur amerikan, Brad Greenberg, me të cilin edhe nënshkroi kontratë. Greenberg më parë e ka udhëhequr edhe klubin Hapoel Midgal Jerusalem me të cilin e ka fituar titullin, gjë të cilën e ka bërë edhe me Maccabi Bazan Haifa, kurse ka qenë asistent i Përfaqësueses së Venezuelës, si dhe ka qenë nënkryetar i Portland Trail Blazers, ndihmëstrajner i New York Knicks dhe LA Clippers. Në vitin 2017 me skuadrën Eskisehir ka arritur të zë një vend në Superligën e Turqisë pas triumfit në Ligën e Parë turke.

-    Prej 27 deri më 30 Prill, Kosova U-14/15 (meshkujt) ka marr pjesë në një turne ndërkombëtar në Bukuresht të Rumanisë. Ky turne është organizuar nga Federata e Basketbollit e Rumanisë në kuadër të projektit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja të FIBA Evropës, i cili udhëhiqet nga Federata e Basketbollit e Turqisë, ndërsa implementohet nga Rumania, Kosova, Bullgaria dhe Maqedonia.

-  Më 5 Maj, Federata e Basketbollit e Kosovës ka pranuar ftesë zyrtare nga drejtori i Basketball Champions League, Patrick Comninos që skuadra kampione e Kosovës (2016/2017) të marr pjesë në raundin kualifikues të kësaj gare për edicionin 2017/18. Sigal Prishtina debutoi në vitin 2017 në këtë, por nuk arriti të kualifikohet tutje.

-  Më 11 Maj, skuadra e Penzës nga Peja është shpallur kampione e Kosovës për edicionin 2016/17 në Ligën e Femrave. Basketbollistet pejane kanë triumfuar në dy ndeshjet finale të "play-off"-it. Në këtë mënyrë basketbollistet e Penzës e kthyen pas një viti titullin në Pejë, derisa Kupa e Kosovës nga Peja sivjet është kthyer në kryeqytet. Prishtina dhe Penza janë duke skuadrat më të trofeshme në basketbollin femëror në Kosovë që nga paslufta.

-  Më 12 Maj, skuadra e Borea-s nga Peja është bërë anëtarja më e re e Superligës së Kosovës në basketboll. Ekipi pejan ka triumfuar në dy ndeshje radhazi të finales së play-off-it të Ligës së Parë kundër Dritës së Gjilanit.

-   Më 20 Maj, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu dhe anëtari i Bordit, Arben Fetahu kanë marr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës që është mbajtur në Berlin të Gjermanisë. Në këtë Asamble ka folur për punën njëvjeçare presidenti i FIBA Evropës, Turgay Demirel, kurse ka raportuar sekretari gjeneral, Kamil Novak, së bashku me Komisionet e tjera të FIBA Evropës, si ai i Thesarit dhe Financave, ai Ligjor, pastaj ai i Garave, Gjeneratave të Reja, Shteteve të Vogla etj etj.

-   Më 22 Maj në moshën  54 vjeçare, vdiç Riza Zeqiri, ish-basketbollisti i disa skuadrave kosovare.  Zeqiri i njohur me nofkën “Gricka” pas luftës ka qenë trajner i gjeneratave të reja në skuadrën e Prishtinës, derisa ka qenë edhe asistent në ekipin e Real Universitetit, si dhe një periudhë ka qenë anëtar i Komisionit për Trajnerë.

-  Më 24 Maj, Sigal Prishtina është shpallur kampione e Kosovës për edicionin 2016/17. Bardhekaltrit kanë arritur ta mbrojnë titullin e kampionit duke e mposhtur në serinë finale të play-off-it të Superligës së Kosovës skuadrën e Bashkimit nga Prizreni pas serisë 3:1. Për Sigal Prishtinën ky është titulli i 12-të i kampionit që nga paslufta, kurse i katërti radhazi, ndërsa për Bashkimin kjo ishte finalja e dytë, derisa prizrenasit asnjëherë nuk janë stolisur me titull që nga paslufta. Duhet theksuar se bardhekaltrit në këtë edicion e kanë fituar edhe trofeun e Kupës së Kosovës duke e mundur në finale Pejën.

-   Më 27 dhe 28 Maj në Prishtinë është mbajtur Klinika Ndërkombëtare për Trajnerë të basketbollit. Klinika është organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës, ndërsa kanë ligjëruar Mehmed e Sani Becirovic nga Sllovenia, Arben Krasniqi dhe Korab Maloku e Besnik Podvorica nga Kosova. Kjo Klinikë është e para që është organizuar në kuadër të Programit për Edukim dhe Licencim të Trajnerëve, program ky i ri i FBK-së dhe SHTBK-së.

-   Më 30 Maj, Federata e Basketbollit e Kosovës i ka shpërblyer klubet e saj të Superligës së Kosovës dhe Ligës së Femrave për rezultatet e arritura në edicionin 2016/17. Në këtë mënyrë skuadra kampione e elitës së basketbollit kosovar, Sigal Prishtina është shpërblyer me 12,000.00 euro, ndërsa ekipit nënkampion, Bashkimit nga Prizreni i kanë takuar 6,000.00 euro. Ndërkaq skuadrat që kanë arritur të sigurojnë nga një vend në play-off të Superligës së Kosovës (krahas Sigal Prishtinës e Bashkimit, edhe Peja e Trepça) janë shpërblyer me nga 3,000.00 euro. Skuadra kampione në Ligën e Femrave, Penza nga Peja është shpërblyer me shumën 2,000.00 euro.

-  Më 11 Qershor në moshën 72 vjeçare vdiq Tafil Hoxha, ish gjyqtar dhe vëzhgues dhe punëtor shumëvjeçar i basketbollit dhe sportit. Tafil Hoxha ka qenë gjyqtar republikan në ish Jugosllavi dhe për shumë vjet e ka ndarë drejtësinë në liga republikane dhe liga federative të femrave. Pas mëvetësimit të sportit të Kosovës, në vitet e 90-ta ka qenë vëzhgues i ndeshjeve dhe anëtar i trupave dhe komisioneve të ndryshme në FBK. Si vëzhgues i ndeshjeve është angazhuar edhe pas luftës deri para disa viteve.

-  Më 21 Qershor, Gëzim Morina dhe Erjon Kastrati janë bërë emrat më të rinj të Përfaqësueses A të Kosovës. Federata e Basketbollit e Sllovenisë dhe Federata e Basketbollit e Kosovës kanë arritur marrëveshje që Morina dhe Kastrati tash e tutje të bartin fanellën e Kosovës. Kjo marrëveshje e arritur ndërmjet dy federatave është bërë edhe me pëlqimin e Morinës dhe Kastratit, të cilët janë treguar të gatshëm të luajnë për Kosovën. Të dy basketbollistët kanë qenë pjesë e Sllovenisë, ndërsa ata tani e kanë ndërruar nënshtetësinë e basketbollit, nga ajo sllovene në atë kosovare. Gjithçka është zyrtarizuar nga FIBA më 26 korrik pas kompletimit të dokumentacionit nga ana e FBK-së për basketbollistët në fjalë.

-   Prej 16 Korrik, Daut Mehmeti, Xhelal Mumini dhe Dardan Maxhuni janë gjyqtarët kosovarë që tash e tutje do të jenë bartës të thirrjes gjyqtarë të FIBA-s. Mehmeti, Mumini dhe Maxhuni, të tretë gjyqtarë të Superligës së Kosovës dhe vijues të shumë klinikave e seminareve ndërkombëtare të FIBA-s, titujt si gjyqtarë të FIBA-s i fituan në kampin për licencim të gjyqtarëve të rinj ndërkombëtarë, që është mbajtur në Zagreb. Daut Mehmeti, Xhelal Mumini dhe Dardan Maxhuni bëhen kosovarët e parë që e marrin licencën e FIBA-s, pas Mithat Belegut, i cili thirrjen e gjyqtarit ndërkombëtarë e kishte fituar më 1978.

-  Më 15 dhe 16 Korrik  në organizim të Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe në bashkëpunim me FIBA-n në Prishtinë është organizuar Kampi Veror për Gjyqtarë në kuadër të projektit FIBA SCOD. Ky Kamp është udhëhequr nga instruktori i FIBA-s, Gjorgi Piperkov dhe Instruktori Nacional i FBK-së, Faton Kurshumlija.

-Më 19 Korrik, Faton Kurshumlija është bërë bartës thirrjes vëzhgues i licencuar nga FIBA. Faton Kurshumlija në vitin 2016 i ka dhënë fund karrierës  së gjyqtarit  të Superligës së Kosovës  dhe tashmë me sukses është licencuar për punën e  vëzhguesit në trajnimin, i cili është mbajtur në  Zagreb.

- Më 23 Korrik, Përfaqësuesja U-20 e Kosovës e ka përmbyllur aventurën e saj në Kampionatin Evropian U-20, Divizioni B në Oradea të Rumanisë në pozitën e 12-të. Përfaqësuesja jonë në Oradea i ka regjistruar 5 humbje e 3 fitore. Kampionati Evropian U-20 në Oradea të Rumanisë ka filluar më 14 dhe ka përfunduar më 23 korrik. Duhet theksuar se gjatë verës së vitit 2017 Kosova ka marr pjesë edhe me 4 Përfaqësuese të Reja në Kampionate Evropiane, Divizone B dhe C. Me U-16 meshkujt ka garuar në Divizionin B dhe me U-18 meshkujt në Divizionin C, derisa te femrat ka garuar me U-16 dhe U-18 në Divizionin C, të cilat kanë pasur paraqitje solide në garat e lartpërmendura.  

-   Më 2 Gusht, Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll e ka nisur me fitore fazën e parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”. Kosova në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë para rreth 2000 shikuesve e ka mposhtur Maqedoninë me rezultat 72:68.  

- Më 9 Gusht, Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka pësuar humbje në Tallin nga Estonia me rezultat 76:50. Kjo ndeshje i takuar Grupit C të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës "Kina 2019".

- Më 13 Gusht, Përfaqësuesja A e Kosovës e ka regjistruar humbjen e dytë radhazi në kuadër të Grupit C të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës "Kina 2019". Kosova është mposhtur nga Maqedonia me shifrat 87:74.

- Më 19 Gusht, Përfaqësuesja e Kosovës e ka siguruar një vend për në kualifikimet për Kupën e Botës “Kina 2019” në mesin e 32 kombëtareve të tjera evropiane që janë pjesë e kësaj gare madhështore. Kosova në një atmosferë impresionuese në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë e ka mposhtur Estoninë në një ndeshje triller me rezultat 75:69.

-  Prej 20 deri më 24 Gusht në Prishtinë është mbajtur Kampi Nacional i të Rinjve U-15. Të pranishëm ishin 60 fëmijë, prej tyre djem dhe vajza të lindur në vitin 2002 e më të rinj. Kampi është organizuar nga FBK në mbështetje të FIBA-s dhe MKRS-së. Ky Kamp është organizuar në kuadër të projektit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja, i cili mbështetet nga FIBA. Kampi Nacional është udhëhequr nga trajneri amerikan, Chris Dial, kurse atij i kanë asistuar 12 trajnerë vendorë. Duhet theksuar se nga ky Kamp është bërë përzgjedhja e 30 basketbollistëve dhe 6 trajnerëve, të cilët më pas kanë udhëtuar për në Botevgrad të Bullgarisë për të marr pjesë në Kampin Ndërkombëtar  është organizuar në këtë vend prej 28 Gusht deri më 2 Shtator 2017.

- Më 23 Gusht në Prishtinë në organizim të Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe me FIBA-n është organizuar Kampi i të Rinjve (deri në moshën 15 vjeçe) në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave. Në këtë Kamp morën pjesë 60 fëmijë nga të gjitha qytetet e Kosovës, 12 Alumni (basketbollistë/basketbolliste dhe lider të etnive të ndryshme që janë pjesë e një programi të sportit të US Embassy në Prishtinë), 12 trajnerë vendor dhe trajneri amerikan, Chris Dial. Kampi kishte për qëllim masovizimin e këtij sporti ndër gjenerata të reja, por edhe socializimin e fëmijëve, trajnerëve dhe të gjithë atyre që ishin pjesë e këtij eventi. Kampe të ngjashme janë mbajtur edhe në Graçanicë, Kaçanik, Pejë dhe Podujevë.

- Më 24 Gusht, Përfaqësuesja e Kosovës e ka mësuar grupin ku do të luaj në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”. Kosova në shortin që është tërhequr në Munich të Gjermanisë është draftuar në Grupin C së bashku me Lituaninë, Poloninë dhe Hungarinë. Kjo fazë e garave do të luhet në 6 dritare, që kanë filluar në muajin Nëntor 2017 dhe do të përfundojnë në Shkurt të vitit 2019.

- Më 9 e 10 Shtator është mbajtur seminari për trajnerë të basketbollit në kuadër të Programit për Edukim dhe Licencim të Trajnerëve. Ky seminar ka qenë i vlefshëm për Licencën Pro A dhe B, si dhe për licencën E, ndërsa kanë ligjëruar instruktori nga FIBA, Matthias Zollner, Anton Krump dhe Albert Sylejmani.

- Më 16 e 17 Shtator në Prishtinë është organizuar seminari i përbashkët për trajnerë dhe gjyqtarë. Ligjërues në këtë seminar ishte Profesor Ridvan Ekmekçi, ekspert i Shkencave Sociale nga Turqia me temën: “Trajnimi Mental dhe Motivimi në Basketboll”.

-          Më 21 Shtator në Kosovë ka qëndruar Lubomir Kotleba, këshilltar i Sekretarit të Përgjithshëm të FIIBA-s. Qëllimi i vizitës së Kotleba-s ka qenë inspektimi i palestrës së vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Kjo vizitë është paralajmëruar nga FIBA një muaj më parë. Palestra në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë nuk i ka pasur më shumë se 2,000 ulëse gjithsej, ndërsa kapaciteti i kërkuar nga FIBA është 3,000 ulëse. Ndërkaq me rastin e inspektimit Kotleba e kishte bërë të qartë se duhet rritur kapaciteti i ulëseve në palestër dhe kështu edhe ka ndodhur pas investimit të MKRS-së, ku tani palestra numëron rreth 2,800 ulëseve, që edhe është pranuar nga FIBA.

-          Më 29 Shtator, Kryetari i Shoqatës së Streetball-it të Kosovës anëtare e FBK-së dhe FIBA 3x3 Basketball, Agon Fehmiu ka marr pjesë në Konferencën e Parë Speciale për 3x3 të organizuar nga FIBA Evropa dhe Federata e Basketbollit të Serbisë. Në këtë event morën pjesë 50 delegacione të Federatave Nacionale të FIBA Evropës. Pas vendimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë që basketbollin 3x3 ta pranojë si disiplinë të re olimpike e cila do të debutoi që nga LOV Tokio 2020, duke e përmbledhur këtë në moton tashmë të njohur “ 3x3 nga rruga deri tek Lojërat Olimpike”, FIBA ka shtuar aktivitetet e veta të planifikimit strategjik afatgjatë për zhvillimin dhe strukturimin sa më efikas të organizimit të garave në të gjitha nivelet, nga turnetë më të vogla deri tek Kampionatet Botërore dhe Olimpiadat, në të gjitha kategoritë.

-          Prej 24 Shtator deri më 31 Tetor, Ushtruesja e Detyrës së Sekretares së Përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushku ka qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në kuadër të programit “Global Sports Mentoring Program”. Dushku e ka përfaqësuar FBK-në dhe Kosovën në tërësi në këtë program, në mesin e 15 shteteve nga anekënd bota: Brazili, Palestina, Nigeria, Kosova, Franca, India, Peru, Tajvani, Belgjika, Venezuela, Uganda, Bolivia, Kina, Korea e Jugut dhe Maroko. Ky është viti i gjashtë i “Global Sports Mentoring Program”, ndërsa për Kosovën kjo ka qenë hera e parë që ka marr pjesë në këtë program.

-   Prej 3 deri më 5 Nëntor, Kosova U-15 ka marr pjesë në një turne ndërkombëtar në Sofje të Bullgarisë. Ky turne është organizuar nga Federata e Basketbollit të Bullgarisë në kuadër të projektit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja të FIBA Evropës, i cili udhëhiqet nga Federata e Basketbollit e Turqisë, ndërsa implementohet nga  Bullgaria, Rumania, Kosova, dhe Maqedonia.

- Më 24 Nëntor, Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka pësuar humbje nga Lituania në ndeshjen e luajtur në prani të rreth 2500 shikuesve në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë në kuadër të Grupit C të Dritares së Parë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës "Kina 2019".  Takimi ka përfunduar me shifrat 99:61.

-  Më 26 Nëntor, Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka pësuar humbje nga Hungaria me rezultat 84:76 në ndeshjen e luajtur të në Debrecen në kuadër të raundit të dytë të Dritares së Parë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës "Kina 2019". Ndeshjet e radhës Kosova në kuadër të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019” do t’i luaj më 23 dhe 26 Shkurt 2018 kundër Polonisë, respektivisht Lituanisë si mysafirë.

-  Më 4 Dhjetor, Federata e Basketbollit e Kosovës e ka fituar të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian U-18, Divizioni C (Meshkujt). Kampionati do të mbahet prej 22 deri më 29 Korrik të vitit 2018. Këtë vendim e ka marr Bordi i FIBA Evropës në mbledhjen e mbajtur në Munich. Për FBK-në, por edhe për vet Kosovën dhe sportin kosovar në përgjithësi kjo është një e arritur e madhe. FIBA tani pritet që në fillim të vitit të ardhshëm të dërgoj në vizitë inspektuese zyrtarët e saj për të zhvilluar takime me zyrtarë të FBK-së rreth përgatitjeve për organizimin e Kampionatit.

- Pas përfundimit të ndeshjeve të Dritares së Parë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës "Kina 2019" më 5 Dhjetor, FIBA World e ka publikuar renditjen në të cilën Kosova zë vendin e 86-të. Duhet theksuar se në renditjen e publikuar një muaj më parë Kosova ka qenë e 96-ta, ndërsa pavarësisht dy disfatave të pësuara në kuadër të Grupit C të Dritares së Parë, ndaj Lituanisë dhe Hungarisë, Përfaqësuesja jonë arriti që të avancojë për 10 pozita.

-  Prej 17 deri më 22 Dhjetor, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) dhe Shoqatën e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK) e kanë organizuar Kursin Teknik për Trajnerë-Nivelin e Dytë. Kursi Teknik gjashtë-ditor është përkrahur nga Solidariteti Olimpik, fondacioni më i madh në kuadër të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), për zhvillim të sportit në vende të ndryshme të botës. Ligjërues në Kursin Teknik për Trajnerë ka qenë instruktori i FIBA-s, slloveni Anton Krump, ndërsa kanë marr pjesë 20 trajnerë kosovarë.

-  Më 18 Dhjetor, Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll e ka fituar çmimin "Zemra e Kosovës" që ndahet nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK). Këtë çmim në emër të FBK-së e ka pranuar kryetari Erolld Belegu, të hënën mbrëma në një Gala Mbrëmje “Made in Kosova” të organizuar në hotel "Emerald" në Prishtinë nga KPK në bashkëpunim me USAID dhe partnerë të tjerë. Përfaqësueses së Kosovës i është ndarë ky çmim pas suksesit historik, kur gjatë verës së këtij viti ka arritur të sigurojë një vend në mesin e 32 kombëtareve për në kualifikimet për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat