Jordan, Bryant, Durant & Co, ja të fshehtat e numrave në fanellë

Basketboll

Jordan, Bryant, Durant & Co, ja të fshehtat e numrave në fanellë

Më: 3 janar 2018 Në ora: 22:03
Jordan, Bryant, Durant & Co

Të gjithë lojtarët e NBA-së mbajnë nga një numër në fanellë, e cila, në shumicën e rasteve, është zgjedhur nga vetë ata për një arsye të ndryshme, që shpesh ka lidhje me ngjarje të ndryshme të jetës së tyre. Ja një listë e disa prej ikonave të këtij sporti dhe përse ata mbajnë një numër të caktuar në fanellë.

Kobe Bryant (numrat 8 dhe 24)

Ylli i Lakers ka patur dëshirën që të mbante numrin 33 në fanellë, ashtu si babai i tij, por ky numër u tërhoq nga Lakers në nder të Kareem Abdul Jabbar pak vite para se Bryant të firmoste. Ndaj ai mori numrin 8 që ka mbajtur kur luante në Itali, kur ishte fëmijë. Nga sezoni 2006-2007 vendosi të mbajë numrin 24 në fanellë, si frymëzim i faktit që duhet të punojë 24 orë në ditë për të fituar.

Pau Gasol (numri 16)

Në basketboll, fillimisht ekzistonin numrat nga 4 deri në 15 për 12 basketbollistët që zbrisnin në fushë dhe kur debutonte dikush, merrte numrin 16 ose 17. Kështu ka ndodhur me basketbollistin spanjoll, që për herë të parë ka mbajtur në fanellë në vendlindjen e tij numrin 16. Gasol pati fat me këtë numër që në sezonin e parë në NBA dhe vendosi që të mos e ndryshojë asnjëherë atë numër në fanellë.

Kevin Garnet (numri 2)

Një nga ikonat e NBA-së, për 12 sezone me Minnesota ka mbajtur në fanellë numrin 12 dhe për gjashtë sezone te Boston numrin 5. Por, kur shkoi te Brooklyn, Garnet vendosi të mbajë në fanellë numrin 2, që është dita e lindjes së mikut të tij Malik Sealy (ish-shok skuadre te Minnesota). Sealy humbi jetën gjatë një aksidenti rrugor, pikërisht teksa po kthehej në shtëpi pas festës së ditëlindjes së Garnet, që për ta kujtuar vendosi të mbajë numrin 2.

Kevin Durant (numri 35)

Lojtari është rritur pa babanë e tij dhe këtë figurë të rëndësishme në jetën e tij e ka zëvendësuar trajneri i tij i parë, Charles Craig, që e kishte pranë në çdo moment. Por, në prill të 2005-ës, kur Durant ishte 16 vjeç, Craig u vra tragjikisht në moshën 35-vjeçare. Dhe për ta nderuar trajnerin e parë dhe mikun e tij të ngushtë të fëmijërisë, Durant vendosi të mbajë numrin 35, sa vitet që jetoi Craig.

Michael Jordan (numri 23)

Kur ishte fëmijë, numri i preferuar i Jordan ishte 45, që e mbante vëllai i tij më i madh. Por kur Jordan shkoi në shkollën e lartë, ai numër mbahej nga vëllai i tij, ndaj Michael vendosi të mbajë numrin 23, si gjysma e 45-ës (duke e rrumbullakosur). Në vitin 1995, ai ka mbajtur për pak kohë edhe numrin 45, të cilin e përdori edhe kur u rikthye në parket, pasi u tërhoq herën e parë. Por Jordan e braktisi shpejt numrin 45 dhe iu rikthye numrit 23, pasi njerëzit thonin se Jordan me nr.45 nuk është i fortë sa Jordan me nr.23.

Metta World Peace (numrat 23, 91, 51 dhe 37)

Lojtari ka mbajtur shumë numra në fanellë dhe secili prej tyre ka patur një kuptim. Fillimisht Ron Artest (Metta World Peace është emri që i ka vendosur vetes) mbante numrin 23 në nder të Michael Jordan. Më pas në fanellë vendosi numrin 91, në nder të një tjetër ish-basketbollisti, Dennis Rodman. Numri i tretë që mbajti në fanellë ishte 51, në nder të babait të tij. Në fund, kur luajti me Lakers, vendosi të mbajë numrin 37, në kujtim të Michael Jackson dhe albumit të tij “Thriller”, që qëndroi në krye të hiteve botërore për 37 javë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat