Basketbollistët luajtën në temperatura dukshëm më të ulëta

Basketboll

Basketbollistët luajtën në temperatura dukshëm më të ulëta

Më: 1 mars 2018 Në ora: 11:50
Pamje nga ndeshja

Në palestrën “13 Qershori” në Suharekë ka nisur Final 8 i Kupës së Kosovës në basketboll.

Në program ishin dy ndeshje çerekfinake, Rahoveci – Kerasan Prishtina dhe Golden Eagle Ylli-Borea.

Në ndeshjen e parë fitore ka realizuar Rahoveci dhe atë me mjaft vështirësi kundër Kerasan Prishtinës me rezultat 81:74, kurse në duelin e dytë ka triumfuar ekipi nikoqir ndaj atij pejan me rezultat 106:96.

Të dyja ndeshjet janë përshkuar me rivalitet të madh në parket dhe kanë qenë vetëm minutat e fundit, atëherë kur edhe janë përcaktuar fituesit e takimeve.

Pavarësisht paralajmërimeve të skuadrës organizatore, Golden Eagle Ylli se do të marr masa që palestra të jetë e ngrohtë për Final 8 të Kupës së Kosovës, kjo nuk ndodhi për shkak të problemeve të mëdha që hasën organizatorët së pari me ndërprerjen e rrymës dhe më pas edhe me problemet me ngrohjen në palestër.

Në ndeshjen e parë basketbollistët kanë luajtur në temperatura dukshëm më të ulëta sesa që shkruhet në Udhëzuesin për organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës dhe në kontratën që është nënshkruar në mes FBK-së dhe KB Golden Eagle Yllit pas plotësimit të kushteve nga kjo e fundit për organizimin e këtij eventi.

Pas përfundimit të ndeshjeve të para çerekfinale, Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ua ka bërë shumë të qartë organizatorëve të Final 8 të Kupës së Kosovës, që gjërat që ndodhën ditën e mërkurë nuk do të tolerohen dhe se duhet krijuar kushtet sipas kontratës dhe udhëzuesit. Në anën tjetër zyrtarët e KB Golden Eagle Ylli kanë kërkuar falje për problemet që janë krijuar me rrymë dhe me ngrohje në palestër dhe janë zotuar se gjithçka do të rregullohet për ditën e enjte.

Ndërmjet ndeshjes së parë dhe të dytë është bërë edhe hapja solemne e këtij aktiviteti, në të cilën fjalën e rastit e morën Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, dhe Bali Muharremaj, kryetar i Komunës së Suharekës, derisa ky i fundit edhe zyrtarisht e hapi Final 8 të Kupës së Kosovës.

Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së:

“Së pari në emër të FBK-së dëshiroj t’i kërkoj falje ekipeve pjesëmarrëse dhe tifozëve për problemet e krijuara në palestër, më ndërprerje të rrymës dhe të ngrohjes. Uroj që së pari organizatorët të marrin masa sa më shpejtë për evitimin e këtyre problemeve dhe më pas që gjithçka të shkoj siç duhet. Për fund d’ua t’ju uroj suksese të gjitha skuadrave dhe shpresoj se do të kënaqni me basketboll cilësor”.

Bali Muharremaj, kryetar i Komunës së Suharekës:

“Suhareka edhe në të kaluarën e ka dëshmuar se është mikpritëse e mirë dhe besoj se edhe kësaj radhe do ta dëshmojmë një gjë të tillë. Unë jam i lumtur që Federata ia ka besuar qytetit tonë organizimin e këtij turneu dhe shpresoj se do ta arsyetojmë këtë besim. Me këtë rast ju dëshiroj të gjitha ekipeve suksese, si dhe e hapi zyrtarisht Final 8 të Kupës së Kosovës”.

Gjithashtu të mërkurën ka nisur edhe ka filluar Klinika për Gjyqtarët Kandidatë Potencial (Nacional) për thirrje të FIBA-s. Klinika po udhëhiqet nga drejtori i Departamentit të Gjyqtarëve në FIBA Evropë, Davorin Nakiç (Kroaci), ndërsa ligjerues janë instruktorët e FIBA-s, Gjorgji Piperkov (Maqedoni) dhe Faton Kurshumlija (Kosovë). Pjesëmarrës të Klinikës janë 9 gjyqtarë potencialë, 4 nga Kosova dhe 5 të tjerë nga shtetet si, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Duhet theksuar se pikërisht gjyqtarët e kësaj Klinike janë ata që do të ndajnë drejtësinë në ndeshjet e Final 8 të Kupës së Kosovës, duke përjashtuar finalet e së dielës në të dyja konkurrencat, të cilat do të drejtohen nga gjyqtarët vendor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat