Basketbolli ynë dhe politikat e zhvillimit

Basketboll

Basketbolli ynë dhe politikat e zhvillimit

Nga: Petrit Stefa Më: 4 mars 2018 Në ora: 13:16
Pamje nga një ndeshje

Disa ditë më parë, presidenti FSHB-së, z. Ponari dha një opinion mbi ligjin për sponsorizimet duke këmbëngulur për formalizimin e tij, duke e konsideruar atë tepër dobiprurës në të mirë të sportit. Për hir të së vërtetës, nuk mund të gjendet një njeri në Shqipëri, nga bota e sportit, që të mos jetë dakord me ato që thotë z. Ponari.

Ajo që mund të shtonin, pra, edhe unë, është që t’i kërkonin atij të ishte shumë më i ashpër me qeveritë (që kanë ikur, janë ose do të vijnë) dhe jo thjesht t’i “pickonte” lehtësisht. Veçanërisht, kur kryeministri i sotëm dhe zv/ministri i Arsimit dhe Sportit e dinë shumë më mirë si paraardhësit e tyre në vite sesi funksionon sporti në Europë dhe në botën mbarë.

Veç kësaj, janë akoma aktivë në botën e sportit (të paktën për lojërat me top) protagonistët e asaj kohe diktatoriale (’80-’90), kur në përputhje me nivelin ekonomik të atëhershëm i zhvatën (po, po i zhvatën) asaj qeverie sportin profesionist (në fillim gjysmë dhe pastaj të plotë). Kryeministri dhe zv/ministri i sotëm e kanë “prekur” dhe “shijuar” thellësisht këtë “profesionizëm” që kërkon me të drejtë koha aktuale dhe presidenti i FSHB-së.

E quaj të drejtë të kujtoj që, në një mbledhje me një funksionar të lartë të Partisë, me disa trajnerë të ekipeve kombëtare në fillim të viteve ’80- të, pyetjes së tij se “përse nuk fitojmë ne me ekipet e Europës?” Ne i jemi përgjigjur plot frikë, por njëzëri, të udhëhequr nga Tartari, Koja, Borova, Boriçi a Rreli, etj., (të më falin kolegët e futbollit që s’më kujtohen mirë) se “jemi në kushte të pabarabarta”, se “ata janë profesionistë me rroga”, se “stërviten pesë orë në ditë”, se “ekipet kombëtare stërviten mbi një muaj”, se “trajnerët paguhen më mirë”, se…etj., etj.

Pas kësaj mbledhjeje në sportin shqiptar, që kishte disa vjet me një lloj gjysmëprofesionizmi, shpërtheu ai profesionizëm, që përmend z. Ponari dhe që ne e kemi jetuar për rreth 10 vjet (gjysmë të plotë). Dhe, për hir të së vërtetës, duhet të themi se rezultatet e larta që kemi arritur janë të asaj periudhe, për të cilën s’ka arsye pse të mos mburremi për me to, sepse, përveçse arritëm rezultate që sot vetëm ëndërrohen (sidomos volejbolli i Tartarit dhe Kojës), ato janë pjesë e historisë së sportit shqiptar. Ne atë e dimë, e duam shumë, por ja që nuk e kemi dhe nuk e dimë as se kur do të na e japin. Shkurt, z.Ponari ka shumë të drejtë dhe duhet mbështetur fuqimisht nga të gjithë.

Kush të “gjithë”? Nismën duhet ta lançojnë, të paktën, federatat e basketbollit dhe volejbollit dhe pas tyre edhe federatat e tjera për individë të shquar. Pastaj, Ministria dhe Komiteti Olimpik, shtypi dhe televizionet kombëtare, deputetët e pozitës dhe opozitës (se njerëzit e sportit nuk janë të ndarë). Ata, ne duhet t’i sensibilizojmë, t’u shpjegojmë, t’u kërkojmë, t’u rrëmbejmë, t’u bërtasim, t’i “kërcënojmë” me mosbindje sportive, me demonstrata, me mospjesëmarrje në votime, mospjesëmarrje nëpër aktivitete artistike, shoqërore apo politike, nëpër fushata apo për të mbjellë pemë, ku na “përdorin” për interesat e tyre okulte, individuale dhe partiake.

Ne, duhet të bëhemi një bllok i madh dhe homogjen duke luftuar së bashku dhe me argumente të pakundërshtueshme. Sa herë nuk do të jemi të zotë të kërkojmë ngjashmëri me Europën (se të barabartë nuk dihet kur do të bëhemi), aq herë fjalët e z.Ponari ….nuk do t’i dëgjonin as zogjtë dhe jo më Pushteti e Parlamenti.

Por, le të mos merremi edhe me ato shifrat tronditëse të fqinjëve e, sidomos, të Hungarisë, ku dyshoj të ketë gabim shtypi (!?) sepse më duket një ëndërr që do të na e donte shpirti dhe zemra. Shkurt, “profesionalizmi”, “sponsorizimet” dhe “formalizimi” i tyre janë urgjente, të domosdoshme, të dobishme dhe do të japin rezultate të shpejta (eh, sa për shpejtësinë… është temë tjetër!). Të gjithë janë dakord me atë dhe duhet ta mbështesin.

Le ta mbyllim këtë temë. Por, z.Ponari nuk thotë një gjë shumë të rëndësishme. Cilët janë ata që nuk e duan “formalizimin” e sponsorizimeve, madje, edhe tani që ai është mikroskopik (4%)? “Formalizim”, në radhë të parë, do të thotë transparencë në fitimet. Këtë, në Shqipëri, nuk e duan as sponsorizuesit, as pushtetarët vendorë, as ligjbërësit politiko-financiarë (oligarkët e parlamentit), por po ashtu edhe përfituesit e sponsorizimeve. Arsyeja është e thjeshtë: Në këtë mjegull të krijuar, të parët marrin qokat nga pushteti në heshtje (me tendera fiktive, sheshe, etj.) dhe përfitime individuale (vendorët), kurse të dytët bëjnë çfarë të duan me ato para.

 

Pra, pa një shkundje të madhe politiko-ekonomike të udhëhequr nga Qeveria, ato që thotë presidenti i FSHB-së, nuk do të duken edhe për shumë kohë në horizontin sportiv shqiptar (veç futbollit). Atëherë, ç’të bëjmë? Duke mos e lënë asnjëherë këtë përpjekje, mendoj se në Federatën tonë ka shumë mendësi, ide, vendime, organizime apo udhëzime të tjera, që duhen krijuar, ndryshuar, korrigjuar apo anuluar nëpërmjet një diskutimi të gjerë, të hapur e transparent.

Nëse s’ka kaq shumë, (siç them unë), ndoshta ka pak, por sigurisht jo aspak. Duke perifrazuar filozofin amerikan të basketbollit, J.Wooden: “Ata që bëjnë diçka, gjithnjë mund të bëjnë më tepër”. Kjo është ideja në këtë përsiatje fragmentare për basketbollin. Po përpiqem të shpjegohem për sa mendoj. E para, që duhet të pranojmë, është ajo që basketbolli po përjeton një krizë aktuale dhe, për më tepër, perspektiva është shumë e zymtë.

Protagonistë të kësaj krize janë shumë faktorë, që fillojnë me sistemin sportiv shqiptar, vazhdojnë me institucionet qeveritare dhe sportive dhe…pa dyshim, mbaron me trajnerët (e të gjitha niveleve). Kriza e sportit të caktuar nuk ka asnjëherë 1 (një) personazh njerëzor apo dy-tre të tillë. Sikur të ishte kështu…hëëm!

Në rastin e vendit tonë ka edhe faktorë të tjerë, si numri i banorëve në rënie, niveli i ulët ekonomik i familjeve për të përballuar përgatitjen e lartë, shtrirja e dobët gjeografike dhe aktive e basketbollit, mungesa e terreneve sportive, atavizmi nga periudha diktatoriale për të zhvilluar shumë sporte në çdo qytet, kualifikime empirike dhe të dobëta të trajnerëve, pagesa qesharake të tyre, që nuk krahasohen as me ato të mësuesve të fizkulturës në shkolla, kritikë dhe autokritikë rrugëhumbur, marketing inekzistent, mungesë ndihme nga shtypi i shkruar dhe elektronik, mungesë meritokracie, korrupsioni i gjyqtarëve, emërime dhe shkarkime të shpeshta e të pagjetura të trajnerëve të kombëtareve, mosgjetja e metodave të përshtatshme (me sa më pak shpenzime individuale) për stërvitjen e individëve të talentuar (kandidatë të ardhshëm të Kombëtares), mungesë e shoqatës së trajnerëve (e ngritur dikur dhe e shpërfillur me qëllim), korrigjimi i taksave të ekipeve për pjesëmarrje në aktivitete, ndryshim i formulave të zhvillimit të aktiviteteve të moshave etj.

Këtë perspektivë të zymtë e tregojnë rezultatet tona, në dy europianët e fundit, ku pjesëmarrja është e admirueshme dhe e ëndërruar dikur me shumë dhimbje nga ne. Veçanërisht te Kombëtaret e moshave, rezultatet e të cilave nuk tregojnë se mund të shpresojmë për ndryshime në nivelet e larta, në atë që z.Ponari e quan “basketbolli elitar”. U-të tona (16,18,20) janë shumë larg nga bashkëmoshatarët e tyre europianë, madje edhe nga shtetet pa basketboll elitar.

Sigurisht që ata do të rriten e zhvillohen, por po ashtu, edhe kundërshtarët europianë, madje ata, duke mos pasur problemet e Shqipërisë, do të ecin më shpejt, ashtu siç ka ndodhur. Kështu, diferenca do të mbetet. Këtu vlen të theksohet që edhe ata shkojnë në shkolla e universitete, pra, nuk paguhen dhe nuk stërviten dy herë në ditë. Pra, nuk janë profesionistë, por amatorë, me një tjetër mendësi përkushtimi ndaj sportit.

Shtetet e vogla kanë gjetur metoda sesi t’i bashkojnë disa herë gjatë një sezoni sportiv këto mosha, duke ua vënë në dispozicion 1-2 trajnerëve më të mirë të tyre, që janë ose nuk janë të angazhuar me ekipet e tyre në klube. Aty plotësohen boshllëqet, korrigjohen të metat, përpunohen rolet e ardhshme të tyre në Kombëtare, zgjerohen kapacitetet taktike, evitohen seleksionime paraprake në prag të aktiviteteve zyrtare (a thua jemi shtet disa dhjetëra milionësh dhe nuk i njohim lojtarët tanë) etj.

Nëse kemi këtë mendësi, ne patjetër do të nxjerrim edhe talente, të cilët edhe do të largohen nga Shqipëria, por edhe do të luajnë si protagonistë në kampionatin tonë. Këto “dallëndyshe” edhe do të kthehen në Kombëtaren tonë. Veçanërisht, në qoftë se nuk kanë humbur në kategoritë inferiore, rajonale dhe kanë luajtur jashtë si protagonistë të vërtetë nëpër skuadrat e tyre. Duke bërë këtë, ne do të “dalim në tregun europian”, qoftë edhe në periferi të tij.

Por, që të ndodhë kjo, “vogëlushët” tanë duhet të jenë të paktën të barabartë me moshatarët e tyre, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Ky “prodhim vendës” së bashku me “prodhimin europian” shqiptar do të bëjë një Kombëtare që duam. Ju siguroj që kjo është metodologjia e zhvillimit në vendet e vogla të Europës.

Këtë e ka filluar Greqia 30-35 vite më parë, Izraeli 15 vite më parë dhe “çudia” Islandë (300.000 mijë banorë) në futboll dhe basketboll. rreth 10 vjet më parë e vazhdon kështu. Si përfundim, në këto mosha është fusha ku protagoniste është dhe duhet të jetë FSHB, veçanërisht ekzekutivi i saj. Pra, edhe “fatura” është e saj për të marrë apo për të dhënë. Kjo gjendje mund të ndryshojë vetëm duke bashkëpunuar të gjithë, duke u kundërshtuar miqësisht dhe sinqerisht edhe me mendësi të ndryshme, për hir të qëllimit të përbashkët: “Të zhvillojmë basketbollin tonë! (marrë nga panoramasport).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat