Rugova: Play-off-i do të jetë më interesant dhe më i fortë

Basketboll

Rugova: Play-off-i do të jetë më interesant dhe më i fortë

Nga: Kemajl Goca Më: 5 mars 2018 Në ora: 19:18
Fisnik Rugova

Sigal Prishtina është fitues i Kupës së Kosovës në basketboll. Bardhekaltrit shënuan fitore me rezultat të ngushtë 77:74 kundër Bashkimit, në finalen që u zhvillua në palestrën e sportit “13 Qershorit” në Therandë. Vëllezërit Rugova, Fisniku e Graniti, dhanë atomin e fundit për këtë sukses të madh, pa e harruar edhe Alban Veselin që ishte më efikasi me 24 pikë. Fisniku e Graniti pothuajse realizuan gjysmën e pikëve për skuadrën nga kryeqyteti, i pari 21 pikë dhe i dyti 15, gjithsej 36 pikë.  Prishtina krahas trofeut të Kupës, mëton edhe titullin e kampionit. Ata udhëheqin me 40 pikë apo me 20 fitore rresht, pa humbje. Prishtinasit kanë pesë pikë më shumë se Bashkimi në vend të dytë, kjo e fundit ka 15 fitore e 5 humbje. 

Qendra e Prishtinës, Fisnik Rugova, mendon se do ta mbrojnë edhe titullin e kampionit, sipas tij janë më të mirë. Si rival të vetëm e sheh Bashkimin. Ai është reprezentues i Kosovës, i cili ka folur edhe për shpresat e saja në kualifikimet për Kampionatin Botëror – Kina 2019. Rugova tha se cilësia është më e mirë se sa ishte në fillim të edicionit sepse sipas tij disa skuadra janë përforcuar, duke paralajmëruar se gara e play-off-it do të jetë shumë e nxehtë. Duhet theksuar se MVP i Final 8 të Kupës së Kosovës është shpallur Fisniku, i cili ndeshjen finale e përmbylli me 21 pikë, 12 kërcime, 4 asistime e 3 topa të vjedhur. 

“Bota sot”: Prishtina triumfoi në një finale dramatike me rezultat 77:74 kundër Bashkimit, ku ishte arma kryesore?

Fisnik Rugova: Mendoj që kemi shpenzuar shumë energji në ndeshjen gjysmëfinale, kurse në finale u vërejt edhe lodhja pak tek ne, po ne kemi pritur një rivalitet nga Bashkimi dhe ata kanë luftuar gjatë gjithë ndeshjes. Megjithatë në fund përvoja ishte në anën tonë dhe mendoj që e merituam fitoren.

“Bota sot”: Prishtina e nisi me trofe vitin 2018, si e sheh në vazhdim të kampionatit?

Fisnik Rugova: Normalisht ndeshjet në Kupë janë pak më të vështira, pasi është vetëm një ndeshje dhe mund të mos jetë nata jonë, kësisoj të humbësh ndeshjen. Por ne kemi ndeshjet e ardhshme dhe ato t’i përfundojmë sa më mirë dhe besoj që në play-off do të jemi absolutisht më të fortë.

“Bota sot”: A është vetëm Bashkimi rivali më i madh i Prishtinës apo ka edhe ndonjë skuadër konkurrent për titull?

Fisnik Rugova: Momentalisht për ne rival tani është vetëm Bashkimi, duke mos i lënë anash edhe skuadrat tjera të cilat do të luftojnë deri në fund.

“Bota sot”: Fisniku 21 pikë, Graniti 15 kundër Bashkimit, vëllezërit Rugova pothuajse i shënuan gjysmë e pikëve në finalen e madhe, ishit Ju që vendoset fitoren?

Fisnik Rugova: Unë isha i lodhur pak nga ndeshja kundër Yllit, por në finale dhashë maksimumin po ashtu edhe Graniti, besoj që e kemi ndihmuar ekipin drejt fitores.

“Bota sot”: A është një kampionat më i zbehtë se të gjithë të tjerët që e mbani mend?

Fisnik Rugova: Në fillim ashtu dukej por ekipet u forcuan dhe besoj që tani është më mirë dhe Kupa ishte në një nivel të mirë, edhe ishin ndeshje të forta dhe interesante. Mendoj që play-off-i do të jetë ende më interesant dhe më i fortë.

“Bota sot”: Jeni pjesë e kombëtares së Kosovës, në tri ndeshje po aq humbje në kualifikimet për Kampionatin Botëror-Kina 2019, a janë shpresat zero për kualifikim si dhe a ishte një përvojë e mirë?

Fisnik Rugova: Po, pas kampionatit kemi kohë të përgatitemi për kombëtare. Normal tri ndeshjet e para ishin me skuadrat shumë të forta aq kemi pasur mundësi ndaj tyre, por si vendas ne jemi më të mirë dhe do të mundohemi t’i fitojmë dy ndeshjet në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat