Dushku për herë të parë në takimin e sekretarëve të përgjithshëm të FIBA-s

Basketboll

Dushku për herë të parë në takimin e sekretarëve të përgjithshëm të FIBA-s

Më: 6 mars 2018 Në ora: 10:55
Dushku për herë të parë në takimin e sekretarëve të përgjithshëm të FIBA-s

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku të hënën ka marr pjesë në takimin e 13-të të Sekretarëve të Përgjithshëm të FIBA Evropës që është mbajtur në Munich të Gjermanisë.

Për Dushkun kjo ishte hera e parë që ka marr pjesë në një takim të tillë në pozitën e Sekretares së Përgjithshme të FBK-së, e cila njëherësh në fillim të takimit është përshëndetur nga Kamil Novak, Drejtor Ekzekutiv i FIBA Evropës.

“Në fillim të takimit të zhvilluar në Munich, z. Novak shfrytëzoi rastin të përshëndes 5 persona të rinj që ishin emëruar në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të federative të ndryshme nacionale, e në mesin e tyre isha edhe unë. Isha e nderuar të prezantohesha nga z. Novak si një punëtore e palodhshme e FBK-së, e cila më vonë është avancuar në pozitën, së pari të ushtrueses së detyrës dhe më pas edhe të Sekretares së Përgjithshme”, ka thënë Dushku për faqen zyrtare të FBK-së.

Ishte pikërisht Novak, ai i cili para Sekretarëve të Përgjithshëm të federative nacionale të Evropës ka folur për eventet e organizuara nga FIBA Evropa, si Eurobasket në të dyja konkurrencat, pastaj Dritaret e kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”, pastaj për garat në nivel të klubeve, ndërsa zyrtaret e FIBA Evropës, Radmila Turner (përgjegjëse për Federatat Nacionale), Elizabeth Cebrian (Përgjegjëse për Projektet për Gjeneratat e Reja në FIBA Evropë), si dhe Ljubomir Mandiq (Përgjegjës për Gara) para të pranishmëve kanë prezantuar punën e tyre dhe të FIBA Evropës sa i përket departamenteve të tyre.

Ndërkaq, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku gjatë ditës së hënë ka pasur edhe takime të tjera me zyrtarë të FIBA-s, dhe të federatave nacionale sa i përket projekteve të gjeneratave të reja, në të dyja konkurrencat.

Duhet theksuar se pikërisht Dushku është përgjegjëse për organizimin e Kampionatit Evropian U-18, Divizioni C (Meshkujt), që do të mbahet në Prishtinë prej 22 deri më 29 korrik të këtij vitit.

Kampionati Evropian U-18, Divizioni C (Meshkujt) është një prej eventeve kryesore të FBK-së gjatë këtij viti, por jo i vetmi, pasi FBK është pjesë e projekteve të ndryshme me gjenerata të reja në FIBA Evropë, derisa me Përfaqësuesen A të Kosovës në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut do të bëjë gara në Dritaren e Tretë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat