Trajnerët Avrami dhe Toska, sherr e polemika për gjyqtarët e Superkupës

Basketboll

Trajnerët Avrami dhe Toska, sherr e polemika për gjyqtarët e Superkupës

Më: 11 prill 2018 Në ora: 06:45
Pamje nga takimi

Superkupa e Shqipërisë në basketboll që do të zhvillohet nesër në Durrës, në të dyja kategoritë, ka nisur me polemika e tensione akoma pa zbritur në fushë skuadrat. Sot është hedhur shorti për gjyqtarët që do të gjykojnë ndeshjet, por gjatë përcaktimit të gjyqtarëve ka patur mjaft polemika mes trajnerit të Flamurtarit , Viron Toska dhe atij të Tiranës, Roland Avrami. Madje ata nuk i kanë kursyer edhe fjalët fyese karshi njëri-tjetrit, duke e bërë mjaft të rëndë situatën gjatë hedhjes së shortit.

Shkaku i përplasjes mes dy trajnerëve është bërë emri i njërit prej arbitrave që do të gjykojë finalen e Superkupës në basketboll për femra, Erion Hoxhaj. Gjyqtari në fjalë është nga qyteti i Vlorës dhe për këtë shkak, trajneri i Tiranës, Roland Avrami e ka kontestuar, por ky konstetim, ka hasur në reagimin e ashpër të Viron Toskës, i cili është përplasur verbalisht me teknikun tiranas, duke përdorur edhe fjalë fyese e tensionuar situatën.

Treshja e arbitrave që do të gjykojë këtë ndeshje, plotësohet nga Ervin Koçi dhe Edison Gjoni. Ndërkohë në përballjen tjetër, në basketboll për meshkuj, Tirana-Teuta, treshja e arbitrave përbëhet nga Erion Hoxhaj, Andi Bejko dhe Erlambi Tiko. Ndeshjet finale të Superkupës do të luhen ditën e mërkurë në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të qytetit të Durrësit (ora 16:00 femrat dhe ora 18:00 meshkujt) dhe do të transmetohen live në ekranin e TeleSport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat