Biraj: Finalet të japin presion

Basketboll

Biraj: Finalet të japin presion

Nga: Kemajl Goca Më: 4 maj 2018 Në ora: 10:46
Qëndrim Biraj

Bashkimi nga Prizreni është në finalen e madhe të play-off-it të Kampionatit të Kosovës, pasi që me 3:0 në seri të fitoreve e  eliminuan rivalin fqinj, Rahovecin. Prizrenasit pretendojnë se do ta fitojnë titullin e kampionatit apo do të jetë e treta e vërteta, për faktin se në finalen e Ligës Ballkanike dhe në atë të Kosovës, nuk iu priu fati. Kapiteni i Bashkimit, Qëndrim Biraj, tha se janë të përqendruar për finalen e madhe dhe beson se do ta arrijnë qëllimin.

Basketbollisti i ekipit të ‘portokalltë’, shprehet se po përgatiten maksimalisht për finale, me bindje se do ta dalin ballëlart dhe ta sjellin titullin në qytetin e Prizrenit. Duhet theksuar se në ndeshjen e tretë të gjysmëfinales së play-off-it, prizrenasit fituan bindshëm me rezultat 106:91 në Gjakovë kundër Rahovecit.

“Bota sot”:  Bashkimi në finalen e madhe, a është shumë afër qëllimit, titullit të kampionit?

Qëndrim Biraj: Tani pasi arritëm në finale, ne duhet që të vazhdojmë me këtë formë të mirë drejt arritjes së qëllimit tonë, pra fitimit të kampionatit. Besoj që këtë vit jemi shumë afër për të arritur këtë sukses.

“Bota sot”: Ku e sheh përparësinë e Bashkimit në finale?

Qëndrim Biraj: Jemi komponuar mjaft mirë si ekip, të gjithë i dimë detyrat që kemi, jemi ekip mjaft dinamike, besoj që në aspektin ofensivë jemi në përparësi, na mbete tani që ta tregojmë në fushë.

“Bota sot”: A jeni në presion të finales, çfarë u duhet më shumë?

Qëndrim Biraj: Çdo finale të jep një lloj presioni apo përgjegjësie, ne duhet që ta minimizojmë këtë që të mos na ndikojë në rezultat. Jemi më të mirë karshi kundërshtarit dhe në këtë duhet të besojmë.

“Bota sot”: Bashkimi pas finales në Ligën Ballkanike, të Kupës së Kosovës, tani janë në finalen e Kampionatit të Kosovës, a mendoni se ka qenë edicion i madh për ekipin tuaj?

Qëndrim Biraj: Ky vit mund të them lirshëm që ka qenë viti më i suksesshëm i Bashkimit, me kusht nëse e arrijmë ta fitojmë Kampionatin e Kosovës. Paraprakisht këtë vit kemi luajtur edhe në dy finale: atë të Kupës së Kosovës dhe në finale të Ligës Ballkanike, po të kishim pak fat sportiv shumë lehtë do të triumfonim sepse kemi treguar lojëra mjaft cilësore dhe për skuadrën tonë është sukses i madh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat