Rugova kundër Bashkimit: Eksperienca është në anën tonë

Basketboll

Rugova kundër Bashkimit: Eksperienca është në anën tonë

Nga: Kemajl Goca Më: 11 maj 2018 Në ora: 15:13
Fisnik Rugova

Basketbollisti i Sigal Prishtinës, Fisnik Rugova, tha se janë të përgatitur maksimalisht për finalen e parë të play-off-it të IP Superligës së Kosovës, kundër Bashkimit, e cila luhet nesër në orën 19.00 në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë. Rugova shprehet se shumica e shohin si favoritë absolut Bashkimin, por gjithçka do të shihet në fushë. “Siç shihet deri me tash, shumica thonë se Bashkimi është kampion absolut, por ne nuk merremi me parashikime të tilla, megjithatë, ne me këtë potencial që kemi, mund ta mbrojmë titullin. Kemi mungesë të fundorit, pavarësisht kësaj eksperienca është në anën tonë”, tha Rugova për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Më tutje tha se Prishtina nuk ka asnjë humbje si vendas dhe beson se do ta fitojnë finalen e parë. “Nesër do të japim maksimumin sepse siç dihet është loja e parë dhe si gjithnjë sfida e parë është e vështirë, por shpresojmë që të fitojmë. Kemi përparësi terrenin vendas dhe deri me tash jemi të pamposhtur në kryeqytet dhe shpresoj se do të vazhdojmë kësisoj”, tha ai. Bashkimi ka disa lojtarë të huaj por dot se tremb Rugovën.

“Bashkimi ka lojtarë të huaj, që i ka gjetur në ato pozita që ka pasur nevojë, kanë përparësi në pozitën e fundorit me basketbollistin Moss. Po ashtu janë të përforcuar edhe në atë të qendrës me Stutz, kanë lojtarë më shumë dhe mund të bëjnë rotacion. E tëra varet nga ne, nëse jemi 100 për qind dhe aplikojmë lojën tonë, s’ka kush që na ndalë”, thotë Rugova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat