Të gjithë në palestër për Gazin - Bota Sot
Të gjithë në palestër për Gazin

Basketboll

E diel, 23 shtator 2018

Të gjithë në palestër për Gazin

Më: 27 qershor 2018 Në ora: 16:59
I ndjeri Gazmend Sinani

Kombëtarja e Kosovës është e mobilizuar para ndeshjes së nësërme (20.30) kundër Hungarisë, e cila luhet në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë. Djelmoshat tanë deri me tash kanë pësuar 4 humbje në Kupën e Botës – Kina 2019 në basketboll. Megjithatë, kjo është sfida më emocionuese për Kosovën pas vdekjes në një aksident komunikacionit (të shtunën që e lamë pas) të basketbollistit Gazmend Sinani.  Kapiteni Dardan Berisha, basketbollisti Erjon Kastrati, përzgjedhësi i Kosovës, Brad Greenberg dhe kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, folën para sfidës me Hungarinë. Hyrja për ndeshje do të jetë falas, ndërsa FBK fton publikun që të jenë të pranishëm në numër sa më të madh në përkrahje të djelmoshave tanë, të cilët të enjten dhe dielën do të dalin në fushë dhe do të luajnë për Gazin.

Ndërkaq, të dielën (20.30) do të takohen me Poloninë. “Jemi duke u përballur me një situatë shumë të vështirë emocionale, po mundohemi ta përballojmë, por nuk është aspak lehtë. Ne vetëm sot kemi dal në fushë dhe e kemi zhvilluar stërvitjen e parë, s’ka qenë lehtë, sepse të gjithë ne kemi pasur emocione për faktin se dy javë kemi stërvitur së bashku me Gazin dhe lojtarët tjerë që janë të lënduar. Në aspektin fizik dhe mental nuk jemi të përgatitur, por po bëjmë përpjekje që deri të enjten në mbrëmje, kur edhe do të luhet ndeshja të japim maksimumin për të hyrë në fushë dhe për të luajtur mirë për Gazin dhe për shtetin tone. Shfrytëzoj rastin t’i bëjë thirrje të gjithë adhuruesve të sportit të jenë në numër sa më të madh në palestër, sepse vërtetë kemin nevojë për mbështetjen e të gjithëve”, tha Berisha.

“Krejt çfarë mundemi të bëjmë është të gjejmë forcën të hyjmë në ndeshje dhe të luajmë sa më mirë dhe këtë ta bëjmë për Gazin”, tha Kastrati. “Mendimet tona janë me familjen e Gazit dhe të tjerë që janë lënduar në aksident. Pas aksidentit të gjithë kemi qenë në shok dhe nuk kemi menduar për basketboll.

Ne sot kemi stërvitur për herë të parë dhe as paraqitja në parket nuk ka qenë e lehtë për të gjithë ne e veçanarisht për lojtarët. Të enjten kundër Hungarisë dhe të dielën kundër Polonisë do të mundohemi të paraqitemi sa më mirë. Është e rëndësishme ta theksoj se grupi po mundohet ta përballoj situatën duke qëndruar i bashkuar dhe lirisht mund të them se karakteri i grupit është vërtetë i lartë. Do të bëjmë përpjekje të hyjmë në fushë dhe të luajmë me shpirt, ashtu siç edhe Gazi e ka dashur jetën me plot shpirt. Këto janë momente të vështira për të gjithë ne, por vetëm kështu të bashkuar mund t’ia dalim. Jemi të vetëdijshëm se gjendja jonë fizike dhe mentale nuk është e mirë, por do të mundohemi maksimalisht të gjejmë forcën e duhur për të luajtur. Të gjithë e dimë se në këtë ndeshje rezultati nuk është në plan të parë, andaj ne do të bëjmë përpjekje që të luajmë në kujtim për Gazin”, thotë Brad Greenberg, përzgjedhës i Kosovës.

Arben Fetahu, kryetar i FBK-së, theksoi: “Rast të tillë si ky çfarë na ka ndodhur ne, nuk ka pasur në të kaluarën as në radhët tona, e as në ato të FIBA-s, dhe pavarësisht faktit se ne kemi kërkuar që të mos luajmë, sepse në aspektin emocional nuk jemi në gjendje ta bëjmë këtë, FIBA na ka informuar se ndeshjet duhet të zhvillohen. Tani ne duhet t’i mbledhim forcat dhe t’i motivojmë djemtë tanë që të hyjnë në ndeshje dhe të gjejnë forcën për të luajtur.

Në aspektin e basketbollit, ekipi nuk është në gjendje të mirë, pasi kemi të lënduar nga aksidenti, pastaj të lënduar në stërvitje dhe kjo na i ka vështirësuar edhe më shumë situatën.

Sidoqoftë të enjten dhe të dielën në fushë do të paraqiten 11 lojtarë, ndërsa vendi i 12-të do të jetë për Gazmend Sinanin.

Në të dyja këto ndeshjet mendimet tona do të jenë me familjen e Gazit dhe të atyre që janë lënduar nga aksidenti.

Në çdo ndeshje shikuesit janë shumë të rëndësishëm, këtë e dimë të gjithë, por kësaj radhe është diçka e veçantë, andaj ftojmë opinionin që në numër sa më të madh të jenë në palestër, për të përkrahur djelmoshat tanë, sepse me të vërtetë këta janë heronjtë e vërtetë të kësaj ngjarje”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test